Papa në varrezën Laurentino: të mos i humbasim kurrë kujtesën e shpresën
R. SH. - Vatikan
Françesku është papa i parë, që e kapërceu pragun e varrezës Laurentino, në një skaj të periferisë së Romës, ku kremtoi Meshën për shpirtin e të vdekurve. Për ta pritur kishin dalë kardinali mëkëmbës, Angelo De Donatis, ipeshkvi–ndihmës për sektorin Jugor, imzot Paolo Lojudice, kapelani i kapelës “Jezusi i ngjallur” të varrezës, imzot Claudio Palma si dhe nga kryetarja e bashkisë së Romës, Virginia Raggi.
Lutja mbi varret e fëmijëve
Thellësisht prekës, ndalimi pranë varreve të ferishteve të vdekura para kohe për shkak sëmundjesh a aksidentesh, si dhe të atyre, që s’mundën të lindin kurrë e u varrosën në atë, që njihet si “Kopshti i Engjëjve”. Papa lexoi emrat e tyre të shuar, preku mermeret e mbuluara me lule, qirinj e lojëra, vuri mbi ta trëndafilë të bardhë e u lut në heshtje, ndërsa në fytyrë i lexohej një emocion i thellë. Pastaj përshëndeti dhembshurisht disa nga familjarët e të vegjëlve: shumë lot u derdhën në këtë çast, por edhe shumë ngushëllim ndjenë zemrat e përvëluara, nga përqafimi përdëllyes i Papës. Së fundi Françesku vijoi, me automobil, rrugën, për të arritur në Sheshin para kapelës së varrezës, ku e prisnin qindra vetë, ulur edhe mbi bar e ku ndonjë duartrokitje e përmbajtur e grisi heshtjen e thellë të varrezës.
Ditë kujtimi
Pas leximit të fragmetit kushtuar Lumturive, shkëputur nga Ungjilli sipas Mateut, Françesku e shqiptoi homelinë e tij të shkurtër krejt lirisht, në atë vend ku letra e shkruar iu duk krejt e huaj, duke u ndaluar tek tri përmasat kryesore të jetës njerëzore: e tashmja, e shkuara dhe e ardhmja, të skicuara nga liturgjia e sotme.
“Sot është dita e kujtesës - tha Papa - ndërsa shpjegonte se kujtesa është gjithnjë kapitëse, por njëkohësisht, edhe e detyrueshme!
Kujtesa është ajo, që e bën të fortë një popull, sepse e ndjen veten me rrënjë të ngulura në një udhë, në një histori, me rrënjë në gjiirn e një populli. Kujtesa na bën të kuptojmë se ne nuk jemi vetëm, jemi popull; një popull, që ka histori, ka të kaluar, ka jetë! Kujtesa e shumë njerëzve, që ecën përkrah nesh e sot janë këtu. Nuk është e lehtë t’i kujtosh! Shpesh na lodh kthimi mbrapa, na lodhin kujtimet e ngjarjet, që kanë ndodhur: në jetën tonë, në familje, në shoqëri, në gjirin e popullit tim... Po sot është ditë kujtese, kujtesë, që na çon tek rrënjët tona, tek rrënjët e mia, të popullit tim.
Shpresa e takimit
Por, të kujtosh - vijoi Papa - do të thotë edhe të kesh shpresën e takimit e të të dashurisë me Atë, që na fali jetën. Shpresën për qiej të rinj e toka të reja, siç na kujton Leximi II, për Jeruzalemin qiellor, të nuses së stolisur për dhëndrrin.
Të kujtosh, do të thotë të presësh takimin me bukurinë… Kujtesë e shpresë! Shpresë për t’u ritakuar, shpresë për të arritur atje ku është dashuria, që na krijoi, atje ku është dashuria, që na pret: dashuria e Atit.
Drita e Lumturive
Ndërmjet kujtesës e shpresës, është edhe përmasa e tretë, ajo e së tashmes, udhës, që duhet përshkuar ditë për ditë, me ndihmën e “dritave të mira” që Papa na i tregon përmes Lumturive.
Cilat janë dritat, që më ndihmojnë të mos dredhoj rrugë? Cila, busulla, që na e jep vetë Zoti? Janë Lumturitë, që na i mëson Jezusi në Ungjill. Këto Lumturi - butësia, varfëria e shpirtit, drejtësia, mëshira, pastërtia e zemrës- janë dritat që na shoqërojnë, për të mos gabuar rrugën: e kjo është e sotmja jonë.
Në këtë varrezë - përfundoi Papa - takohemi me të tri përmasat e jetës: me kujtesën e skalitur mbi rrasa, me shpresën, që e kremtojmë në fe e udhën e sotme, të sheshuar nga dashuria:
“T’i kërkojmë sot Zotit të na japë hirin të mos e humbasim kurrë kujtesën, e as të mos e fshehim kurrë - kujtesën e njeriut, të familjes, të popullit! Na dhashtë hirin e shpresës, sepse shpresa është dhuratë e Tij: të dimë të shpresojmë, të shikojmë horizontin, të mos mbetemi të mbyllur brenda mureve. E na dhashtë edhe hirin të kuptojmë cilat janë dritat, që do të na shoqërojnë në rrugë, për të mos gabuar, e kështu të mund të arrijmë ku na presin me shumë dashuri!”.