Cerca

Vatican News

Papa në Tv2000: Zoja nuk mund të jetë nëna e të korruptuarve

“Lutja për të korruptuarit duhet të shungullojë si të ishte tërmet, që t’i trondisë në atë pikë, sa të kujtohen se bota nuk filloi me ta e as nuk do të mbarojë me ta!”. E pohon Papa Françesku, i intervistuar nga Marco Pozza në episodin e ri të “Ave Maria”, që do të transmetohet sonte, në orën 21.05 në Tv2000.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku vë në plan të parë temën e të korruptuarve, në episodin javore të “Ave Maria” - “Të falemi Mari”. “Nëse do të thosha se nuk jam mëkatar, do të isha i korruptuar” - i përgjigjet njërës nga pyetjet e don Pozzo-s, që e interviston.

Të korruptuarit

“Maria nuk mund të jetë nënë e të korruptuarve, sepse ata janë gati të shesin dhe nënën e vet  - shtoi Papa - të shesin popullin, të cilit i përkasin e deri familjen, ku u lindën. Kërkojnë vetëm përfitimin ekonomik, intelektual, politik. Zgjedhin rrugën egoiste, madje do të thosha, rrugën satanike. E mbyllin derën me çilc nga brenda e nuk e lënë Marinë të hyjë. Nuk e lënë të hyjë Nënën! “Prandaj - shpjegoi - mbyllen - sepse nuk kanë nevojë as për mëmë e as për atë, as për popull e as për Atdhe, as për miq e as për familje. Jetojnë nën strehën e egoizmit të vet e ati i egoizmit, që ua dha këtë mësim, është vetë djalli”. Lutja për të korruptuarit - vijon akoma Françesku - duhet të shungullojë si tërmet, që t’i trondisë në atë pikë, sa të kujtohen se bota nuk nisi me ta e as nuk do të mbarojë me ta,”.

Maria i hap krahët për të gjithë

E pra Maria i mirëpret të gjithë. “Maria - shpjegoi akoma Françesku - na shoqëron në rrugën tonë ne, mëkatarët, secili i ngarkuar me barren e mëkateve të veta e lutet për ne, mëkatnorë tash e në fill të mordes sonë! Duhet t’i themi Marisë: “Jam mëkatar, po ti mos më lësho dore. Më ruaj, të lutem!”. E ajo të ruan”. Pastaj Papa kujtoi përsëri fëmijërinë. “Nëna ime, duke na folur ne, 5 fëmijëve, thoshte:  fëmijët e mi janë si gishtrinjtë e dorës: të gjithë të ndryshëm, por nëse ma shpojnë njërin gisht, më dhemb njësoj si tjetri”.

Të ftuarit e episodit

Të ftuarit e episodit të sontëm, janë Kristina e Antonio, të burgosur në burgun e Padovës. Nga programi bazuar mbi bisedën  e don Markos dhe Papës Françesku për lutjen më të njohur në botë - rikujtojmë -  u realizua edhe një libër, titulluar “Ave Maria”, botuar nga Rizzoli dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit.

27 nëntor 2018, 16:31