Kërko

 Panoramikë e  Casablanca-s, në Marok Panoramikë e Casablanca-s, në Marok 

Papa në Marok, më 30 e 31 mars 2019

Shtegtim apostolik i Papës në Marok. Françesku do të vizitojë Rabatin e Casablanca-n.

R. SH. - Vatikan

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, njoftoi sot gazetarët se Papa Françesku, duke pranuar ftesën e Mbretit Mohammed VI dhe të ipeshkvijve të vendit, do të bëjë një shtegtim apostolik në Marok, më 30 e 31 mars 2019. Do të vizitojë qytetet Rabat dhe Casablanca.

Programi i shtegtimit do të botohet më pas. Ky i Marokut, vend me shumicë myslimane, do të jetë shtegtimi i 26-të apostolik ndërkombëtar i Papës Françesku, që nga fillimi i papnisë.

33 vjet pas vizitës historike të Shën Gjon Palit II në Marok, më 19 gusht 1985, me ftesën e sovranit të asokoshëm, Hasani II, gazeta marokene Al Ahdath Al Maghribia kujton rëndësinë e kësaj vizite të parë të Papës për hapjen e  dialogut të përhershëm ndërmjet të krishterëve e myslimanëve.

Në studion e Casablanca-s, në takimin historik me të rinjtë myslimanë,    etapë e rëndësishme në dialogun ndërmjet krishterimit dhe islamit, Shën Gjon Pali II pati pohuar: “Të krishterë dhe islamikë në përgjithësi, u keqkuptuam e, nganjëherë, në të kaluarën, iu kundërvumë njëri-tjetrit, duke ndezur edhe polemika e luftëra. Por nuk duhet harruar se kemi shumë gjëra të përbashkëta, si besimtarë e si njerëz”. Pati pohuar Papa, gjatë fjalimit, edhe: “Jetojmë në të njëjtën botë, plot me shenja shprese, por edhe plot me shenja ankthi. Abrahami është për ne i njëjti model i besimit të patundur në Zotin, i nënshtrimit ndaj vullnetit të Tij e i besimit në mirësinë e Tij. Ne besojmë në të njëjtin Zot, të vetmin Zot, Zotin e gjallë, Zotin që krijon botët e u prin krijesave të veta drejt përkryerjes”.

13 nëntor 2018, 14:18