Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Papa, në Engjëllin e Tënzot: mbretëria e Zotit jep paqe, ato, që themelohen mbi armët, shemben!

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi historinë, e cila na mëson se mbretëritë e themeluara mbi fuqinë e armëve e mbi padrejtësinë, janë të ligshta e heret a vonë shemben. Ndërsa Mbretëria e Zotit ngrihet mbi dashurinë e rrënjoset në zemra: vetëm Jezusi, nënvizoi, mund t’i japë kuptim të ri jetës, të vënë shpesh në prova të rënda edhe për shkak të gabimeve e të mëkateve tona, me kusht që të mos ndjekim logjikat e botës e të “mbretërve” të saj.

R: SH. - Vatikan

Është Jezusi, mbret i jetës sonë. Ta përhapim “mbretërinë e tij”, duke dhënë dëshmi për të vërtetën, që është dashuria. Kështu u shpreh Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një shi të dendur, megjithatë, përplot me besimtarë, si zakonisht.

Historia na mëson se mbretëritë e themeluara mbi forcën e armëve e mbi padrejtësitë, janë të brishta e heret a vonë shemben. Ndërsa Mbretëria e Zotit, e themeluar mbi dashurinë e Tij, lëshon rrënjë në zemrat. Mbretëria e Zotit rrënjoset në zemra, duke e mbushur atë, që e pranon, me paqe, liri e jetë. Të gjithë e duam paqen, të gjithë e duam lirinë, të gjithë, përsosurinë. Por, si bëhet për t’i pasur? Lëre dashurinë e Zotit, mbretërinë e Zotit, dashurinë e Jezusit të lëshojë rrënjë në zemrën tënde e do të kesh paqe, do të kesh liri, do të kesh jetë të plotë.

Mbretëria e amshuar e Krishtit

Françesku reflektoi për solemnitetin e sotëm kushtuar Jezu Krishtit Mbret i Universit, që kremtohet në përfundim të Vitit Liturgjik, për të treguar se jeta e gjithësisë shkon drejt cakut të fundit, që është dëftimi  përfundimtar  i Krishtit. Kapitulli i fundit i historisë - shpjegoi - do të jetë “Mbretëria e tij e amshuar”. Papa vijoi të mbështetet tek fragmenti ungjillor i Gjonit. që  na rikujton situatën poshtëruese të Jezusit pas arrestimit në Gjetseman,  zvarrisjen me forcë tek autoritetet e Jeruzalemit e paraqitjen para prokurorit romak “si njeri, që synon të përmbysë pushtetin politik, për t’u bërë mbret i Judenjve”. Po Jezusi i shpjegon Pilatit se mbretëria e tij nuk është e kësaj bote. E kur romaku e pyet: “Ti, pra, je mbreti i Judenjve?”. Zoti i jep përgjigjen: “Mirë thua! Unë jam mbret!”.

Duket qartë se e gjithë jeta e Jezusit nuk ka ambicie politike. Pas shumëzimit të bukëve, njerëzit, të entuziazmuar në kulm nga mrekullia, deshën ta shpallin mbret, për të përmbysur pushtetin romak e për të rivendosur mbretërinë e Izraelit. Por për Jezusin, mbretëria është gjë tjetër e nuk realizohet, sigurisht, me revoltë, me dhunë, me forcën e armëve!

Dashuria dhe dëshmimi i së vërtetës

Duke iu përgjigjur gjithnjë Pilatit, Jezusi - vërejti Papa - i kujton se dishepujt e Tij nuk luftuan për ta mbrojtur.

Jezusi dëshiron që romaku ta kuptojë se përtej pushtetit politik, është një forcë tjetër, shumë më e madhe, që nuk përdor mjete njerëzore. E se Ai erdhi mbi tokë për ta përdorur pikërisht këtë forcë, këtë pushtet, që është dashuria, duke dhënë dëshmi për të vërtetën.

Mbretëria e dashurisë, e drejtësisë, e paqes

Është fjala - shpjegoi Françesku.- për “të vërtetën hyjnore”, mesazh themelor i Ungjillit. “Zoti është dashuri” - siç na e kujton Shën Gjoni Ungjilltar - e dëshiron të vendosë në botë mbretërinë e dashurisë, të drejtësisë e të paqes. Kjo është “mbretëria, mbi të cilën sundon Jezusi”. Mbretëri, që shtrihet deri në fund të fundit të kohëve. E është pikërisht Jezusi - vijoi Papa -  që na kërkon sot “ta lëmë të bëhet Mbreti ynë”.

Mbret që, me fjalën e Tij, me shembullin, me jetën e Tij të flijuar mbi kryq, na shpëtoi nga vdekja. Mbret që i tregon njeriut udhën e humbur, i jep dritë të re jetës sonë, përplot me dyshime, frikë, prova të përditshme. Pa harruar kurrë se Mbretëria e Jezusit nuk është e kësaj bote. Ai mund t’i japë një kuptim të ri jetës sonë, të vënë shpesh në prova të rënda edhe për shkak të gabimeve e mëkateve tona. Por me një kusht: që të mos ta ndjekim logjikën  e botës e të “mbretërve” të saj.

Përshëndetjet pas lutjes mariane

Në përshëndetjet përfundimtare, Papa kujtoi, ndërmjet tjerësh, pjesëmarrësit në Kongresin mbi fertilitetin, organizuar nga Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit, me rastin e 50-vjetorit të Enciklikës “Humanae vitae” të Shën Palit VI. E, para se të përshëndetej, i quajti të pranishmit “guximtarë”, sepse kishin ardhur me shumicë në Shesh, pa pyetur fare për shiun e rrëmbyer, që nuk pushoi gjatë gjithë takimit të së dieles.

 

25 nëntor 2018, 15:45