Kërko

2018.11.11 Angelus 2018.11.11 Angelus 

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi do t’i demaskojë ata, që shtypin të varfrit: është me të fundmit

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i nxiti të krishterët të dhurojnë vetveten, si mblatë e përvujtë e bujare për Zotin, duke nënvizuar se Jezusi do të çjerrë çdo maskë, pas së cilës fshihen sjellje të ndryshme të padëshirueshme, edhe fetare. Më pas kujtoi se dje, në Barcelonë, u shpallën të Lum Atë Teodoro del Olmo dhe 15 shokë martirë dhe dha njoftimin për Ditën II Botërore të të varfërve.

R. SH. - Vatikan

“Zoti mban anën e të varfërve. T’i japim Zotit e vëllezërve jo diçka, por vetveten, si mblatë e përvujtë e bujare”. Kjo, nxitja e Papës në lutjen  e Engjëllit të Tënzot të së dielës, duke komentuar Ungjillin e sotëm të Shën Markut, përqendruar mbi dy figura krejt të kundërta: skriba e vejusha që, ndonëse tejet e varfër, i jep Zotit gjithçka ka mbas shpirtit!

Zoti është në anën e të varfërve

Njëri - shpjegoi Papa - përfaqëson njerëzit e rëndësishëm, të pasur, me peshë në shoqëri, që u dëgjohet fjala e zëri. Tjera, të fundmit, të ligshtit, të varfërit, pa pikë peshe, pa zë e, natyrisht, pa para. Gjykimi i vendosur i Jezusit kundër skribëve - shtoi Papa - nuk ka të bëjë me të gjithë kategorinë,  por vetëm me ata, që përpiqen ta nxjerrin në pah vetveten, ta vënë në dukje  pozitën  shoqërore, të mburren me titullin e mësuesit, të nderohen në turmë e të zënë kudo kryet e vendit. E çka vret më keq – vërejti në vijim Papa - është  se mburrja e tyre ka natyrë fetare. Ata luten veç për t’u dukur! I shërbejnë Zotit, vetëm për t’u krekosur si mbrojtës të ligjit të Tij. Për t’u mburrur me epërsinë e tyre. Për të dalë mbi të tjerët... E kjo sjellje i çon në përbuzjen ndaj atyre, që vlejnë pak e aspak, sepse nuk kanë as poste e as para.

Jezusi ia çjerr maskën këtij mekanizmi të mbrapshtë: i kundërvihet shtypjes së njerëzve të ligshtë, duke pohuar qartë se Zoti mban anën e të varfërve, se është gjithnjë përkrah njerëzve të pafuqishëm.

Dhurimi i plotë i vetvetes    

Mësim i çmuar, ky, që u jep Jezusi dishepujve përmes një shembulli të gjallë, vejushës së varfër, “pozita shoqërore e së cilës - vuri në dukje Françseku -  ishte krejt pa vlerë. Plakës së shkretë, pa burrë e pa fëmijë, nuk kish kush t’ia mbronte të drejtat. Mund të binte lehtësisht pre e kreditorëve pa skrupuj.

Kjo grua, që shkon e dhuron në thesarin e Tempullit dy kacidhe, domethënë gjithë ç’i kish mbetur pas shpirtit, e jep lëmoshën duke u   përpjekur të mos bjerë fare në sy, gati-gati duke u turpëruar për atë pak e gjë, që po jipte, ndonëse kaq kishte. Po pikërisht me këtë përvujtëri, ajo bën një akt të ngarkuar me domethënie të madhe, domethënie fetare e shpirtërore. Ky gjest vetëflijues nuk i shpëton syve të Jezusit, që shikon në të dhurimin e plotë të vetvetes, me të cilin dëshiron t’i edukojë dishepujt e vet.

Zoti vlerëson cilësinë, jo sasinë!

Mësimi i Jezusit - vijoi Papa - ndihmon për të kuptuar çka është themelore në jetën tonë dhe favorizon marrëdhëniet konkrete e të përditshme me Zotin.

Kandari i Zotit nuk është si yni! Ai i peshon ndryshe njerëzit dhe gjestet e tyre: Zoti nuk mat sasinë, por cilësinë, shqyrton zemrat, jo zyrat; shikon pastërtinë e ndjeteve, jo sasinë e parave. Kjo do të thotë se “çka i japim” Zotit në lutje e të tjerëve, në bamirësi, duhet t’i shmanget gjithnjë ritualizmit e formalizmit, ashtu si edhe logjikës së llogarisë, se duhet të jetë gjithnjë shprehje e dhurimit. Ashtu si bëri Jezusi me ne: na shpëtoi, pa na kërkuar llogari! Falas! Nuk na bëri ta paguajmë ringjalljen.

Të heqim dorë nga gjërat e tepërta

Jezusi e shikon Vejushën e varfër e bujare, si model të jetës së krishterë, që duhet ndjekur. Nuk ia dimë emrin plakës, që u përjetësua në faqen ungjillore, por ia njohim zemrën e urojmë ta gjejmë në qiell e të shkojmë ta përshëndesim: vetëm kjo vlen para syve të Zotit! Kur të tundohemi nga dëshira për t’u dukur a për t’i vënë në dukje gjestet tona bamirëse; kur të na interesojë më shumë shikimi i tjetrit, se lëmosha; kur të nisim e të krekosemi si pavodat, të mendojmë për gruan, që del nga Tempulli i lashtë, për t’u bërë bashkudhëtare me ne, njerëz të kohëve moderne.  Do të na bëjë mirë ky takim “imagjinar” e do të na ndihmojë të heqim dorë nga tepritë, për të kërkuar çka vlen me të vërtetë e për të mbetur gjithnjë kokulur, të përvujtë!

Lumnimet dhe Dita e të varfërve

Menjëherë pas lutjes mariane, Françesku kujtoi lumnimin e atë Teodoro Illera del Olmo me 15 shokët martirë, vrarë për fenë e tyre, në vende e data të ndryshme, gjatë luftës dhe persekutimit fetar të shekullit të kaluar në Spanjë. Janë dëshmitarë të guximshëm të Zotit - theksoi. E më pas njoftoi se të dielën e ardhshme do të kremtohet Dita II Botërore e të Varfërve, me një mori nismash ungjillëzimi, lutjesh e ndarjeje të përbashkët. Me këtë rast - vijoi Papa - në Sheshin e Shën Pjetrit është vendosur një pikë shërbimi shëndetësor, që do t’i ndihmojë një javë rresht, ata që kalojnë çaste të vështira.

Uroj - theksoi Françesku - që kjo ditë të shërbejë për t’i kushtuar më shumë vëmendje nevojave të të fundmëve e të përjashtuarve nga radhët e shoqërisë.

Përshëndetje polakëve

Në përfundim, përshëndetja drejtuar “një shumice polakësh”, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, për 100-vjetorin e pavarësisë së Polonisë.

11 nëntor 2018, 15:26