Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa në audiencë: para shkandullit të varfërisë, pasuria të ketë përmasë shoqërore

Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku kujtoi se pasuritë e botës sot janë në duart e pak vetëve, ndërsa varfëria, mjerimi dhe vuajtja janë për shumë njerëz. Jeta të kthehet në kohë për të dashur: kjo, këshilla e Atit të Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Jeta nuk është bërë për të “pasur” por “për të dashur”. Papa Françesku e thekson këtë në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke vazhduar katekizmin mbi urdhërimet dhe duke u ndalur sot në të shtatin: “Mos vidh”. Duke u nisur nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Timoteut, Papa reflekton mbi “interpretimin më të gjerë të kësaj Fjale”, në dritën e urtisë së krishterë, dhe nënvizon “kuptimin e saj pozitiv”, që nxit për “të bërë mirë, sa më shumë të jetë e mundur” me pasurinë që zotërojmë, në mënyrë që ajo të bëhet “dhuratë për të gjithë”.

Destinacioni universal i të mirave materiale

Në fakt, thotë Papa, urdhërimi i Tënzot na bën të mendojmë “për vjedhjen dhe respektin për pasurinë e të tjerëve”, sepse në thelb - vëren Françesku – “nuk ka kulturë ku vjedhja dhe shpërdorimi i pasurisë të jenë të ligjshme”: njerëzit janë me të vërtetë “shumë të ndjeshëm ndaj mbrojtjes së pasurisë”. Doktrina shoqërore e Kishës flet për destinacionin universal të të mirave materiale, që Zoti ia ka besuar njerëzimit. “Gjithsesi, Provania Hyjnore nuk ka përcaktuar ndonjë botë ‘në seri’ - shpjegon Papa - ka dallime, kushte të ndryshme, kultura të ndryshme, prandaj mund të jetojmë duke u kujdesur për njëri-tjetrin”.

Bota është e pasur me burime për të plotësuar të gjitha nevojat parësore. Megjithatë, shumë jetojnë në një varfëri shkandulluese dhe burimet, përdorur pa kriter, po harxhohen. Por bota është vetëm një! Njerëzimi është vetëm një! Sot, pasuria e botës është në duart e pakicës, të pak vetëve dhe varfëria, madje, mjerimi dhe vuajtja janë për shumë vetë, për shumicën. Nëse ka uri në tokë, kjo nuk ndodh për mungesën e ushqimit! Përkundrazi, për shkak të kërkesave të tregut, nganjëherë, arrihet të hidhet. Po, hidhet! Ajo që mungon, në të vërtetë, është një sipërmarrje e lirë dhe largpamëse, e cila siguron prodhim të përshtatshëm, qasje solidare dhe shpërndarje të drejtë.

Të kesh për ta dhuruar

Katekizmi katolik shpjegon se pasuria e “bën atë që e zotëron, administrator të Provanisë Hyjnore”, “askush nuk është zotëruesi absolut i mallrave”: “çdo pasuri - thekson Papa – duhet të ketë një përmasë shoqërore”.

Pasja është përgjegjësi: "Por, unë jam i pasur në gjithçka ..." - kjo është një përgjegjësi që ke, dhe çdo pasuri larg nga logjika e Provanisë Hyjnore është mall i tradhtuar, tradhtuar në kuptimin më të thellë. Ajo, që kam me të vërtetë, është gjithçka di të dhuroj. Kjo është masa për të vlerësuar si e zotëroj pasurinë, mirë a keq. Kjo fjalë është e rëndësishme: ajo, që kam me të vërtetë, është gjithçka di të dhuroj. Nëse mund të dhuroj, e kam zemrën të hapur, jam i pasur, jo vetëm sepse zotëroj diçka, por edhe sepse jam bujar: edhe bujaria duhet kuptuar si diçka për t’u dhuruar, që të gjithë të marrin pjesë në të.

Të rritemi në bamirësi dhe bujari

Nëse nuk jemi në gjendje të dhurojmë diçka, do të thotë se ajo pasuri është “zoti” ynë, na ka bërë skllevër. Zotërimi i mallrave, thotë Papa Françesku, është “mundësi për t'i shumëzuar në mënyrë krijuese dhe për t'i përdorur me bujari”, duke u rritur “në dashuri dhe liri”. Vetë Krishti, kujton Papa, pavarësisht se ishte Zot, “boshatisi veten”, duke na pasuruar “me varfërinë e tij”.

Ndërsa njerëzimi shqetësohet për të pasur sa më shumë, Zoti e shëlbom, duke u bërë i varfër: ai Njeri i Kryqëzuar pagoi për të gjithë një shpërblim të paçmuar nga ana e Zotit Atë, “i pasur me mëshirë”. Ç’na bën të pasur nuk janë mallrat, por dashuria. Shumë herë kemi dëgjuar se çfarë thotë populli i Zotit: “Djalli hyn nga xhepat”. Së pari vijnë paratë, dashuria për para, uria për të pasur; pastaj, kotësia: “Ah, unë jam i pasur dhe jam krenar për këtë”; dhe së fundi, kryelartësia dhe mendjemadhësia. Kjo është mënyra e djallit për të vepruar në ne. Por dera e hyrjes janë xhepat ...

Jeta është kohë për të dashur

Edhe një herë, është Jezu Krishti ai, që na zbulon kuptimin e plotë të Shkrimeve të Shenjta.

“Mos vidh” do të thotë: duaj me pasurinë tënde, shfrytëzoji mjetet që ke për të dashur, ashtu si mundesh. Atëherë, jeta bëhet e mirë dhe pasja kthehet me të vërtetë në dhuratë. Sepse jeta nuk është kohë për të pasur, por për të dashur.

Përshëndetjet përfundimtare

Në fund të katekizmit, duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhëve të ndryshme, Papa Françesku kujton 100-vjetorin e pavarësisë së Polonisë, që kremtohet të diel, duke uruar “që populli polak ta jetojë dhuratën e lirisë në paqe dhe begati, duke ndërtuar një të ardhme të lumtur për atdheun e tij, në bashkimin e bazuar në trashëgiminë shpirtërore të paraardhësve dhe në dashurinë vëllazërore”. Gjithashtu, përshëndet Fakultetin e së Drejtës Kanonike "Shën Piu X" i Venedikut, shoqëruar nga Patriarku, imzot Francesco Moraglia. Pasi përmend se të premten kremtohet festa e Kushtimit të Bazilikës Laterane, katedrale e ipeshkvit të Romës, Papa kërkon që besimtarët të luten për të, në mënyrë që Zoti ta ndihmojë për “t’i përforcuar gjithnjë në fe” bijtë e Tij.

07 nëntor 2018, 12:56