Cerca

Vatican News
Kremtim i krishterë në Pakistan Kremtim i krishterë në Pakistan  (ANSA)

Papa, “Misionit Shahbaz Bhatti”: pranë të krishterëve dhe pakica

Papa mendon për Pakistanin. Kështu u tha, sot paradite, anëtarëve të shoqatës “Misioni Shahbaz Bhatti”, që mban emrin e ministrit të krishterë për pakicat, vrarë më 2011. Ati i Shenjtë i nxiti të vazhdojnë ndihmën për të krishterët dhe për pakicat e persekutuara.

R.SH. - Vatikan

Vijoni t’u siguroni ndihmën tuaj “viktimave të akuzave të rreme” dhe punoni konkretisht për t’i zhdukur “varfëritë e skllavëritë moderne”. Ky qe inkurajimi i Papës Françesku për 33 anëtarët e shoqatës “Misioni Shahbaz Bhatti”, e cila vë në dispozicion shërbimet e saj për ata, që pësojnë diskriminime fetare e dhunë në Pakistan. Kjo punë, u kujtoi Papa, duhet bërë me stil ungjillor, i cili bashkon butësinë me vendosmërinë.

Shenja juaj dalluese qoftë feja

         Në krye të shoqatës është Paul Bhatti, i cili vijon kështu, misionin e të vëllait ministër të Pakicave Fetare në Pakistan, që u vra nga ekstremistët, në vitin 2011. Pagoi me çmimin e jetës mbrojtjen e Asia Bibit, gruas së krishterë të akuzuar për blasfemi, por edhe impenjimin e tij kundër ligjit për blasfeminë. Atë kujtoi Papa Françesku, duke përmendur frytet e flijimit të Shahbaz Bhattit.

         Uroj që, të mbështetur nga lutja dhe nga solidariteti konkret i shumë njerëzve, ta shtrini veprimtarinë tuaj në të gjitha zonat e Pakistanit, ku të krishterët dhe pakicat e tjera janë më të pranishme e, fatkeqësisht, edhe më të diskriminuara, objekte abuzimi e dhune. Shenja juaj dalluese qoftë gjithnjë ajo, që shndrit në dëshminë e Shahbaz Bhattit dhe të shumë martirëve të tjerë të kohës sonë, pra, feja e përvujtë dhe e guximshme në Zotin tonë Jezu Krisht dhe aftësia për të shprehur dashuri aty ku ka urrejtje.

Papa mendon për Pakistanin

         “Një nga frytet e vuajtjes së të krishterëve” është pikërisht rritja e numrit të shoqatave “si e juaja”, që ndërtojnë ura vëllazërimi, duke kapërcyer ndryshimet ndërmjet kulturave dhe, nganjëherë, edhe ato ndërmjet feve, vërejti Papa. Kjo duket qartë në solidaritetin e bashkësive të ndryshme fetare nga e gjithë bota me ata, që punuan për lirimin e Asia Bibit, deklaruar e pafajshme pas 9 vjetësh burgim. Fatkeqësisht, akoma nuk është e lirë plotësisht, pasi banon në një vend të mbrojtur nga qeveria, ndërsa të bijat kërcënohen vazhdimisht. Kanë një shpresë të vetme: të largohen sa më shpejt nga Pakistani. Duke pasur parasysh edhe këtë gjendje, Ati i Shenjtë u kërkoi anëtarëve të “Misionit Shahbaz Bhatti”, t’u thonë njerëzve që takojnë se Papa mendon për Pakistanin.

30 nëntor 2018, 14:17