Kërko

Papa lutet për viktimat e atentatit të Egjiptit

Ngushëllimet e Papës për shtegtarët koptë, vrarë të premten e kaluar nga terroristët e IS

R. Sh. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu dhimbjen për atentatin  që, dy ditë më parë, shkaktoi vdekjen e 11 të krishterëve koptë dhe plagosjen e së paku 19 vetëve. “Lutem për viktimat, shtegtarët e vrarë vetëm e vetëm pse ishin të krishterë- tha Papa - e i lutem Shenjtes Mari t’i ngushëllojë familjet dhe mbarë bashkësinë”.

Të sulmuar në rrugën për në manastirin  e Shën Samuelit

Shtegtarët u bllokuan e pastaj edhe u vranë të premten e kaluar rrugës ndërmjet Sohag e Minya, nga një grup islamistësh të degës egjiptiane të Shtetit Islamik,  ndërsa po shtegtonin me te autobusë drejt manastirit të afërm të Shën Samuelit Dëshmitar. Së pari i detyruan të zbrisnin nga autobusët e pastaj i qëlluan me armë zjarri.

Reagimi i Egjiptit

Nëntëmbëdhjetë anëtarët e milicisë islamike, që konsiderohen si përgjegjës të sulmit,  u vranë sot në mëngjes nga forcat e sigurisë egjiptiane, gjatë një ndeshjeje në shkretëtirën në perëndim të Minya-s.,

Dje, funerali i familjes së vrarë

Dje me qindra besimtarë morën pjesë, në një kishë të qytetit, në funeralin e gjashtë viktimave, të gjithë të së njëjtës familje, ndërmjet të cilave, një djalë 15 vjeç e një 12.  Të  shumta masat e sigurisë për të mbrojtur një nga bashkësitë më të goditura nga terrorizmi islamik.

 

 

04 nëntor 2018, 14:20