Papa lutet për paqen në Ukrainë: kurrë më, tragjedi të tilla!

Pas përfundimit të Engjëllit të Tënzot, Papa u lut për paqen në Ukrainë, ku dje u kremtua 85-vjetori i Holodomor

R: SH. - Vatikan

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, para përshëndetjeve drejtuar besimtarëve, Papa kujtoi popullin e Ukrainës, që përkujtoi dje 85-vjetorin e Holodomor, me një mori nismash e mbrëmësore lutjesh. Holodomor do të thotë të “shkaktosh vdekjen nga uria”, situatë e krijuar nga regjimi i Stalinit, që i shtetëzoi të gjitha prodhimet ushqimore, duke e detyruar popullsinë t’i dorëzojë shtetit edhe tërë grurin e prodhuar. Kohë të trishtuara, të dhimbshme, që u njohën menjëherë pas, nga Parlamenti Evropian, si “krim kundër njerëzimit”, kryer ndërmjet viteve 1929-1933. Pasojat: shfarosja e 5 milion vetëve: të vdekur nga uria, të internuar, të pushkatuar me ekzekutime në masë. Është tepër shpejt për t’i harruar këto krime, e edhe kriminelët, që i kryen, në shumicën e rasteve, të padënuar.

I kujtoi edhe Papa, por duke ngulmuar shumë të punohet për paqen në Ukrainën, që  paqe s’ka. Që nga viti 2014, vijon të jetë përsëri teatër konfliktesh të brendshme, të cilat shkaktojnë jo pak viktima të reja:

“Dje Ukraina përkujtoi përvjetorin e Holodomor, zinë e tmerrshme të bukës, shkaktuar nga regjimi sovjetik, që pati si pasojë miliona viktima. Kujtim tejet i dhimbshëm. Plaga e përbindshme e së kaluarës, duhet të jetë për të gjithë thirrje, që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë më. Të lutemi për këtë vend të dashur e për paqen, aq të dëshiruar”.

 

25 nëntor 2018, 15:38