Kërko

Papa Lëvizjes së të Verbërve: në qendër të varfërit. Kjo, udha e zgjedhur për ungjillëzimin

Papa Françesku priti, në Vatikan, anëtarët e Lëvizjes Apostolike të të Verbërve. Foli për ndarjen e përbashkët, solidaritetin e integrimin e njerëzve me aftësi të kufizuara si dhe për zgjedhjen e të varfërve, si udhë e privilegjuar e ungjillëzimit.

R. SH. - Vatikan

Ardhmëria e njerëzimit nuk mund të kuptohet pa ndarjen e përbashkët dhe miqësinë me të varfërit, të braktisurit, të shtypurit. Papa e përsëriti me zë të lartë, duke pritur në audiencë më se 400 anëtarë të Lëvizjes Apostolike të të Verbërve, themeluar më 1928, domethënë, 90 vjet më parë, nga Maria Motta, grua gjysëm e verbër, por guximplote, që vendosi të angazhohej për të zgjidhur problemet e krijuara nga mungesa e shikimit e për të formuar njerëz të fortë, të pavarur e të aftë për ta dëshmuar fenë edhe përmes kufizmit jo të lehtë: mungesës së dritës së syve:

“Sot e gjithë kjo është e dukshme. Ju, me e pa sy në ballë, jeni fuqimisht të bashkuar në një udhë të vetme, në udhën ku ndani bashkë të mira e të  vështira, duke promovuar njeriun me aftësi të kufizuara, jo vetëm pse kjo parashikohet nga statutet tuaja, por sidomos, falë miqësisë natyrore të krishterë, që karakterizon udhët tuaja të fesë”.

Arma e dashurisë

Françesku e lavdëroi misionin e Lëvizjes, e cila i kuptoi shumë shpejt nevojat e të varfërve dhe ua hapi zemrën, duke iu përgjigjur, kështu, ftesës së Jezusit e duke ngulmuar për t’i plotësuar konkretisht nevojat e njerëzve  me aftësi të kufizura shikimi:

“E përsëris se përgjigjja më e mirë, që mund t’i japim shoqërisë sonë, e cila shpesh ka prirjen t’i përjashtojë njerëzit me aftësi të kufizuara, është arma e dashurisë, jo e dashurisë së rreme, të sheqerosur, të papranueshme, por dashurisë së vërtetë, konkrete, respektuese”.

Të varfërit, në qendër

Pas më se 90 vjet jete - kujtoi Papa - MAC kujton sot 50-vjetorin e bashkëpunimit me vendet  në Jug të botës, ku të verbërit janë të shumtë e jetojnë në kushte të vështira. Më pas nënvizoi dy elemente themelore, që karakterizojnë  karizmën e Lëvizjes:

“I pari, bashkëpunimi ndërmjet njerëzve, që nuk shikojnë e atyre, që shikojnë, si fryt i solidaritetit dhe e reciprocitetit. I dyti, zgjedhja e të varfërve që, në mënyra e forma të ndryshme, është tipike për  mbarë Kishën. Kështu bashkëpunoni për të rritur një Kishë të varfër për të varfërit, duke provuar se ata kanë shumë për të na mësuar e se t’i vësh në qendër, është udha e zgjedhur e ungjillëzimit”.

Në prag të Ditës Botërore të të Varfërve, Papa kërkon të zgjidhen më nevojtarët, të duhen, të zbulohet në ta Fytyra e Krishtit e t’u jepet zëri ynë, kur kanë nevojë të mbrohen.

Kultura e mikpritjes

Jemi të thirrur - përfundoi Françesku - të punojmë edhe për integrimin shoqëror dhe shkollimin e njerëzve me aftësi të kufizura, pa harruar edhe mbështetjen e familjeve të tyre:

“E gjithë kjo kontribuon për të përhapur kulturën e mikpritjes, duke i ndihmuar njerëzit dhe familjet. Edhe pse të vegjël, përballë problemeve tepër të mëdha të botës, jemi të fortë në dashurinë e Zotit e të thirrur të kujdesemi për brishtësinë e popullit e të botës, në të cilën jetojmë”.

17 nëntor 2018, 15:44