Kërko

Papa: Kisha ta falënderojë Zotin për bashkësitë klaustrale dhe t’i mbështesë

Dita e Klaustralëve-Pro Orantibus është rast falënderimi drejtuar Zotit për dhuratën e shumë njerëzve, që i kushtohen plotësisht Atij në fshehtësi. Këtë theksoi Papa në përfundim të audiencës së përgjithshme, në të cilën i ftoi të gjithë të mësojnë nga Virgjëra Mari sesi mund të plotësohen planet e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, mendimi i Papës shkoi tek klaustralët e klaustralet, rregulltarë të vetëmbyllur në kuvende, që ia kushtojnë gjithë jetën lutjes. Këto, fjalët e Atit të Shenjtë:

“Sot, kujtimi liturgjik i paraqitjes të Zojës së Bekuar në Tempull, kremtojmë Ditën pro Orantibus, kushtuar bashkësive rregulltare të klauzurës; janë shumë! Është rast i përshtatshëm që ta falënderojmë Zotin për dhuratën e shumë njerëzve që, në manastire e eremitazhe, i kushtohen plotësisht Zotit në lutje, në heshtje e në fshehtësirë. Këtyre bashkësive nuk duhet t’u mungojë kurrë dashuria, afërsia, mbështetja - edhe materiale - e mbarë Kishës!”.

Të mësojmë nga Maria t’i themi “po” Zotit

Së fundi, duke përshëndetur shtegtarët e gjuhës italiane, Françesku u ndalua edhe një herë tek festa e sotme liturgjike:

“Sot kremtojmë kujtimin e Paraqitjes të Zojës së Bekuar në Tempull. Shikojmë atë, që lindi Krishtin dhe e nderojmë si Nënë e Ndihmë e fuqishme e të krishterëve. Nga Ajo mësojmë ç’do të thotë t’i kushtohesh me mish e me shpirt planit, që ka Zoti për secilin prej nesh e për botën mbarë!”.

 

21 nëntor 2018, 13:58