Kërko

Murgesha në lutje Murgesha në lutje 

Papa: jeta rregulltare nuk është për heronj, por për njerëz të shpresës

Në një mesazh për Konferencën spanjolle të rregulltarëve, që mbahet në Madrid, Papa Françesku i nxit ata, që ia kushtojnë jetën Zotit të punojnë për ungjillëzimin e të rinjve, që t’ia hapin zemrën thirrjes së Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Të jesh rregulltar, që ia ka kushtuar jetën Zotit, nuk kërkon ndonjë heroizëm e as t’u paraqitesh të tjerëve si model, por duhet të qëndrosh pranë të vuajturve, me besim në Hyjin e në dashurinë e Tij pa kufi. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për Asamblenë e 25-të të përgjithshme të Confer – Konferencës spanjolle të rregulltarëve – që filloi sot në Madrid e do të përfundojë të enjten. Konferenca është mbledhur në 25-vjetorin e saj e kësaj radhe diskuton mbi temën ungjillore “Do t’ju jap një të ardhme plot shpresë”. Ati i Shenjtë kujton udhën e bërë deri tani nga rregulltaret e rregulltarët spanjollë, historinë e tyre të pasur me përkushtim e shenjtëri “të fshehur e të heshtur”.

Mundësitë e jetës rregulltare

         Papa fton të mësohet nga e kaluara, duke hedhur vështrimin drejt së ardhmes, “pa i fshehur pasigurtë dhe shqetësimet”, por duke pasur gjithnjë parasysh se “jeta rregulltare është plot mundësi, entuziazëm e pasion”. Kisha ka nevojë për “burra e gra të shpresës”, vijon Françesku, duke përmendur një nga frazat tipike të Vitit kushtuar rregulltarëve e kremtuar që nga fundi i 2014-ës, gjatë gjithë 2015-ës, deri në fillimet e 2016-ës: “përqafojeni të ardhmen me shpresë”.

Vështirësitë e jetës rregulltare

         Papa nënvizon vështirësitë e sotme të jetës rregulltare, si pakësimi i numrit të thirrjeve, plakja e anëtarëve, problemet ekonomike, sfida e ndërkombëtarizimit dhe e globalizimit, kurthet e relativizmit, mënjanimi dhe shpërfillja shoqërore. E megjithatë, shkruan Françesku, pikërisht në këto rrethana, shtohet shpresa në Zotin, i vetmi, në gjendje të ndihmojë e të shpëtojë.

Sfidat e sotme

         Ndër sfidat aktuale, Ati i Shenjtë vë theksin mbi “punën për ungjillëzimin e të rinjve, në mënyrë që t’ia hapin zemrën thirrjes së Zotit”. E kjo ndodh vetëm nëse “u ngjitet” gëzimi i Ungjillit e i përkatësisë në bashkësinë e ndjekësve të Krishtit, dëshmuar nga rregulltarët. Prandaj, ata duhet të jenë të guximshëm, të hapin udhë të reja e ta paraqesin çështjen e thirrjes si opcion themelor të krishterë. Jeta rregulltare, kujton Papa, “ecën në rrugën e shenjtërisë”, duke i jetuar veprat e mëshirës “me Kishën e në Kishë”, duke dalë nga skemat e rehatitë, “për të qenë afër njerëzve të vuajtur e të dëshpëruar, të cilët presin dritën e Ungjillit”. Sfidat e sotme për jetën rregulltare janë të shumta: “kohët kanë ndryshuar e përgjigjet duhet të jenë të ndryshme”. Papa inkurajon forma të reja organizimi, që kanë parasysh nevojën për të dalë e për të qenë të pranishëm në botë në mënyrë të re, gjithnjë duke i qëndruar besnikë Ungjillit dhe rrugëve të dashurisë së Zotit. Ati i Shenjtë i jep përparësi lutjes, takimit personal me Krishtin, shoshitjes në bashkësi dhe dialogut me ipeshkvin. Urimi i Papës, në fund të mesazhit për rregulltarët spanjollë, është të jetojnë me guxim të përvuajtur, duke dëgjuar ç’u thotë Shpirti Shenjt, që të jenë, kështu, profetë të shpresës.

13 nëntor 2018, 14:58