Kërko

Papa: idhujtaritë rrënojnë, Zoti transplanton në kraharorin tonë një zemër plot me dashuri

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa përfundoi katekizmin kushtuar Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. Nëse ka dëshira të mbrapshta, që e rrënojnë njeriun, kujtoi, Shpirti i Zotit mbjell në shpirtin tonë dëshirat e tij të shenjta, filizat e jetës së re.

R. SH. - Vatikan

Ta kundrosh Krishtin “për të hapur kraharorin e për të marrë zemrën e Tij, dëshirat e Tij, Shpirtin e tij Shenjt”. Këtë kuptim ka Dekalogu, që Papa Françesku e shpjegoi sot në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, duke përfunduar serinë e nisur javët e kaluara, kushtuar Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. Papa i ftoi besimtarët ta meditojnë Letrën  drejtuar Galatasve, në të cilën Shën Pali Apostull na kujton se ‘fryti i Shpirtit Shenjt’, është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, sundimi i vetvetes”:

“Nëse dëshirat e mbrapshta e rrënojnë njeriun, Shpirti i Zotit mbjell në zemrat tona  dëshirat e tij të shenjta, filizat e jetës së re. Jeta e re nuk është përpjekje titanike për të zbatuar besnikërisht një normë! Jeta e re është vetë Shpirti i Zotit, që nis të na prijë deri tek frytet, deri tek bashkëveprimi ndërmjet gëzimit tonë, pse duhemi, e gëzimit të  të Tij, pse na do”.

Mashtrimet e idhujtarive

Zoti - vijoi Papa - nuk na kërkon asgjë, para se të na japë shumë më tepër sesa dëshiron zemra jonë njerëzore. Na fton për bindje, që të mund të na shpëtojë nga mashtrimi i idhujtarive, të cilat kanë shumë pushtet mbi ne:

“Kërkimi i realizimit në idhujt e kësaj bote, të boshatis, të skllavëron, ndërsa çka të larton e të forcon, është lidhja me Atë që, në Krishtin, na bën bij, sepse Atë i Tij”.

Udhë e liruar

Është proces bekimi e çlirimi, “prehje e vërtetë shpirtërore, sepse vetëm në Zotin pushon shpirti njerëzor, vetëm prej Tij vjen shpresa”. Kjo jetë, e çliruar, bëhet mirëpritje e historisë sonë personale e na pajton me gjithçka jetuam  që nga fëmijëria, deri në të sotmen, duke na bërë të rritur e të aftë për ta peshuar si duhet realitetin, njerëzit, e edhe vetë jetën tonë. Nëpër këtë udhë, që është thirrje për bukuri e besnikëri, bujari e vërtetësi, hyjmë në lidhje me të afërmim, me dashurinë, që Zoti na shpreh në Jezu Krishtin.

Transplantim i zemrës

Për të jetuar kështu - shton Françesku - kemi nevojë për një zemër të re. Po si mund të ndodhë ky “transplantim” i zemrës? Ky kalim nga zemra e vjetër, tek e reja? Unë do t’u jap një zemër tjetër, një shpirt të ri; nga trupi juaj do ta nxjerr zemrën e gurtë e do t’u jap një zemër  njerëzore (Ez. 11,19;36 36.26) - thotë Zoti – Do t’ju dhuroj dëshira të reja, plot vëmendje ndaj Fjalës:

“Dëshira të reja, që i mbjell në zemrën tonë hiri i Zotit, posaçërisht përmes Dhjetë Urdhërimeve, përplotësuar nga Jezusi, siç na e mëson ai vetë në Fjalimin mbi mal”.

Radiografia e Krishtit

Pikërisht përmes kundrimit të jetës së përshkruar nga Dekalogu, një jete  mirënjohëse, të lirë, të vërtetë, të bekuar, të pjekur, rojtare e dashuronjëse e jetës, besnike, bujare e sinqertë, ne, gati pa u kujtuar, ndodhemi përpara Jezusit:

“Dekalogu është ‘radiografia’. Dekalogu, radiografia e Krishtit, është si  negativ fotografik, nëpër të cilin mund ta shikojmë fytyrën e Tij - ashtu si e shikojmë në Sindonën e shenjtë. E kështu Shpirti Shenjt e fekondon  zemrën tonë me dëshirat, që janë dhuratë e Tij. Kështu dëshirojmë sipas Shpirtit, dëshirojmë me ritmin e Shpirtit, dëshirojmë me muzikën e Shpirtit”.

Ta hapim portën e shpëtimit

Në Krishtin shikojmë bukurinë, mirësinë, vërtetësinë. E Shpirti na ushqen me shpresën, fenë, dashurinë”. Jezusi - vijoi të nënvizonte Papa - nuk erdhi për ta zhdukur ligjin, por për ta përmbushur, për ta bërë ligjin të rritet “sipas mishit e gjakut”, sepse nuk është më urdhërim, por vetë korpi i Krishtit, që na do, na kërkon, na fal, na ngushëllon e në Korpin e vet, rikrijon bashkimin me Atin, të humbur për shkak të mëkatit të mosbindjes:

“E kështu negativiteti letrar, negativiteti në shprehjen e Urdhërimeve: ‘mos vra’, ‘mos merr nëpër gojë’, ‘mos…mos...’ shndërrohet në sjellje pozitive, në ‘duaj’, ‘hape zemrën’, ‘mirëprit’! E kjo është përkryerja e ligjit. Këtë erdhi të na e sjellë Jezusi!”.

Dëshira për të bërë mirë

Në Krishtin, Dhjetë Urdhërimet nuk janë më dënim. Bëhen e vërtetë e mirëfilltë e jetës njerëzore!

 Vepra e Zotit

Të kërkosh Zotin në Dekalog, do të thotë ta fekondosh zemrën, që të mbushet plot me dashuri e të hapet, për veprën e Zotit:

“Kur njeriu dëshiron të jetojë sipas Krishtit, atëhere është duke hapur portën e shëlbimit, i cili nuk mund të mos vijë, sepse Hyji Atë është bujar e, siç thotë katekizmi, “ka etje për ne, kur ne jemi etshëm për Të”.

Përshëndetjet përfundimtare.

Në përfundim, Papa përshëndeti shtegtarët e Lituanisë, të pranishëm në Sallën Pali VI, duke kujtuar shtegtimin e tij në vendet balltike; ata polakë dhe ekspozitën e hapur pranë Universitetit Papnor Urbanian, kushtuar familjes polake Ulma “pushkatuar nga nazistët gjermanë, gjatë Luftës II Botërore, sepse fshihte e shpëtonte hebrenjtë. Françesku uroi që kjo familje Shërbëtorësh të Zotit, në pritje të lumnimit, të jetë shembull  besnikërie ndaj Zotit e Urdhërimeve të tij të dashurisë për të afërmin e të respektit ndaj dinjitetit  njerëzor:

Së fundi, porosia: “T’i përgatisim zemrat për ta pritur Jezusin Shëlbues, ta presim Krishlindjen si takim i Krishtit me njerëzimin, posaçërisht me ata, që jetojnë në skutat e shoqërisë, në kushte varfërie, vuajtjeje, lufte”.

 

28 nëntor 2018, 14:12