Papa Françesku Papa Françesku 

Papa Françesku u dha Cmimin Ratzinger, dy studiuesve

Sot, në një takim në Sallën Klementine në Vatikan, Papa Françesku u dha Ҫmimin Ratzinger, dy studiuesve: teologes katolike nga Baviera e Gjermanisë, Marianne Schlosser dhe, arkitektit zviceran me famë ndërkombëtare, Mario Botta.

R.SH. - Vatikan

Njohëse e thellë e teologjisë dhe e përshpirtërisë së Patristikës dhe të Mesjetës së Ultë, me vëmendje të veçantë ndaj Urdherave lypsarë, Marianne Schlosser ka përkthyer në gjermanisht veprën e Shën Bonaventurës, si edhe është kujdesur për botimin e Vëllimit II të “Opera Omnia” të Joseph Ratzinger mbi “Idenë e Zbulesës dhe të Teologjisë në historinë e Bonaventurës”. Në vitin 2014, papa Françesku e emëroi anëtare të Komisionit teologjik ndërkombëtar.

Arkitekti Mario Botta ka punuar për shumë ndërtesa të rëndësishme për kultin, si kisha e Shën Gjon Pagëzuesit në Mogno, katedralja e Evry pranë Parisit, konkatedralja e Fytyrës Shenjte të Krishtit në Torino. Gjithashtu, është autor i njërës nga kapelat e ekspozuara në pavionin e Selisë së Shenjtë në Ishullin e Shën Gjergjit, në Bienalen e arkitekturës, që vijon në Venedik të Italisë.

Këto ditë, ata morën pjesë në Simpoziumin ndërkombëtar me temë “Të drejtat themelore dhe konflikti ndërmjet të drejtave”, organizuar nga Fondacioni “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, në bashkëpunim me Universitetin katolik italian “Lumsa”, 70 vjet pas Deklaratës universale të të drejtave të njeriut, nënshkrimi i së cilës mban datën 10 dhjetor 1948.

17 nëntor 2018, 13:12