Kërko

 Papa n takimin me pjesëmarrësit në Kuvendin e parë ndërkombëtar për rektorët dhe punonjësit e shenjtëroreve, Papa n takimin me pjesëmarrësit në Kuvendin e parë ndërkombëtar për rektorët dhe punonjësit e shenjtëroreve, 

Papa Françesku: përshpirtëria popullore është sistemi imunitar i Kishës

Në Sallën Regia, Papa priti sot në audiencë pjesëmarrësit në Kuvendin e parë ndërkombëtar për rektorët dhe punonjësit e shenjtëroreve, me temë: “Shenjtërorja, portë e hapur për ungjillëzimin e ri”. Në këto vende, theksoi, shkëlqen “përshpirtëria popullore e provohet se mëshira nuk ka kufi”.

R. SH. - Vatikan

Shenjtëroret janë të pazëvendësueshme, sepse mbajnë gjallë përshpirtërinë popullore, janë vende ku “populli mblidhet me kënaqësi për të shprehur  thjeshtësisht fenë e vet”. Kështu u shpreh Papa Françesku, duke pritur, në Vatikan, pjesëmarrësit në Kuvendin e parë ndërkombëtar për rektorët dhe punonjësit e shenjtëroreve, me temë: “Shenjtërorja, portë e hapur për ungjillëzimin e ri”. Ka shumë rëndësi - saktësoi - të mbahet gjallë përshpirtëria popullore e të mos harrohet kjo stoli, numri 48 i Evangelii Nuntiandi, ku Shën Pali VI e ndryshoi emrin “besim popullor”, në “përshpirtëri popullore”. Emëronte, kështu, atë që është sistemi imunitar i Kishës.

Përparësi shtegtarëve, jo kërkesave financiare

Para përfaqësuesve të shenjtëroreve të panumërta, përhapur në të katër anët e botës, Papa theksoi posaçërisht rëndësinë e mikpritjes. Gjithnjë më shpesh shenjtëroret nuk janë më cak i grupeve të organizuara, por i besimtarëve të veçantë, ose grupeve të vogla. E është e trishtuar të arrish në një vend aq të dëshiruar, shpesh pas një shtegtimi të gjatë,  e të mos të të presë askush, të mos të ta urojë askush mirëseardhjen, madje, nganjëherë, ta gjesh edhe portën mbyllur. “Klima e miqësisë - shtoi Papa - është farë pjellore, që shenjtëroret tona mund ta hedhin në truallin e shtegtarëve, duke  krijuar kushtet që ata ta rigjejnë atë besim në Kishën, që nganjëherë mund të jetë zbehur, si pasojë e pritjes indiferente.

Nuk duhet t’i kushtohet vëmendje kryesore kërkesave materiale e financiare, duke harruar se realiteti më i rëndësishëm janë shtegtarët. Ata vlejnë më shumë se gjithçka tjetër. Buka vjen më pas, po të parët mbeten gjithnjë ata. Duhet t’i kushtojmë vëmendje secilit prej tyre, që të ndjehet menjëherë si në shtëpi të vet, si në familje, si mik, që pritet prej kohe e që më në fund arrin.

Rrëfimi kërkon priftërinj  të shenjtë e të mirëformuar

Papa kujtoi në vijim se mëshira nuk ka kufij, për t’u ndaluar, më pas, tek sakramenti i rrëfimit, që kremtohet shpesh në shenjtëroret. Rrëfimi kërkon priftërinj  të shenjtë e të mirëformuar - theksoi - që shtegtari të mund ta shijojë takimin e vërtetë me Zotin,  në sa ai i Lumi e fal. Duhet të jenë misionarë të vërtetë të mëshirës, të aftë për ta takuar popullin pa paragjykime, me frymën e fesë.

Një anekdotë, në përfundim

E Papa e përfundoi fjalën drejtuar të pranishmëve, me një anekdotë. Kujtoi një plakë, që u kërkonte bekimin figureve, ndonëse e kishte marrë një herë në fund të Meshës: “Donte t’i prekte me dorë. E kjo është ndija më fetare, ajo e prekjes. Njerëzit dëshirojnë t’i prekin figuret, shtatoret… Prekin e prekin e prekin… Prekin Zotin!”. E këtu mjafton të kujtojmë shtatoren prej bronzi të Shën Pjetrit, në Bazilikën e Vatikanit, që ka mbetur me gjysma këmbësh, të ngrëna nga miliarda puthje e prekje të shtegtarëve. Puthjet prej miliona buzësh, te këmbët e shenjtit, flasin vetë për përshpirtërinë e prekjes, tipike për shtegtarët e të gjitha kohëve!

29 nëntor 2018, 15:06