Kërko

 Polonia: 100-vjet pavarësi! Polonia: 100-vjet pavarësi! 

Papa Françesku: mesazh urimi polakëve, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë

Më 11 nëntor 1918 Polonia rifitoi pavarësinë, pas shekujsh kaluar nën thundrën e të huajve. Gjithnjë në kërkim të lirisë, e mbështetur mbi besimin e vërtetë në ndihmën e Zotit”.

R. SH. - Vatikan

“I kërkoj Zotit hirin e fesë, të shpresës e të dashurisë për të gjithë polakët, që, në unitet e paqe, të dinë ta përdorin mirë një dhuratë kaq të çmuar si liria”. Kjo, lutja e Papës Françesku me rastin e njëqind vjetorit të pavarësisë së Polonisë, që do të kremtohet të diel, më 11 nëntor e që u kujtua në mesazhin papnor, drejtuar imzot Stanislaw Gadecki-t, kryeipeshkëv i Poznanit dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore polake.

Dëshirë për lirinë, kalitur nga feja

Me përfundimin e Luftës I Botërore Polonia, që kishte kontribuar në krijimin e historisë së Evropës së krishterë me gjithë pasurinë e kulturës e të përshpirtërisë së saj të fisme, rifitonte pavarësinë, pas sundimit rus, prusian e austriak. Rifitim i sovranitetit, që u pagua me flijimin e shumë bijve të Polonisë. Rikërkimi i lirisë - shkruan Papa, duke kujtuar fjalët e Gjon Palit II - “bazohej mbi shpresën, që buronte nga feja e thellë e nga ndihma e Hyjit, Zotit të historisë së njerëzve e të kombeve! Kjo fe ishte mbështetje edhe kur, pas rifitimit të pavarësisë, duhej kërkuar uniteti, pavarësisht nga ndryshimet, me qëllim që të rindërtohej vendi e të mbroheshin kufijtë e tij”.

Shpresë, që nuk u shua kurrë

“Së bashku me Kishën në Poloni e me të gjithë polakët - shkruan akoma Papa Françesku - falënderoj Zotin, që i ndihmoi breznitë pasardhëse me hirin dhe pushtetin e Tij për të mos e humbur shpresën e lirisë, pavarësisht nga përvoja e dhimbshme e mëpasme historike, e lidhur me Luftën II Botërore, pushtimin nazist dhe regjimin komunist”.

Mbrojtja e Marisë

Papa Françesku ia besoi mbrojtjen e Polonisë e të mbarë polakëve Marisë, Zojës së Jasna Gora-s, Mbretëreshë e Polonisë, duke iu lutur Provanisë hyjnore “t’i japë paqe e prosperitet kombit polak, sot e në të ardhmen!”.

09 nëntor 2018, 17:20