Kërko

Vështirësia për ujë të pijshëm Vështirësia për ujë të pijshëm 

Papa Françesku: është turp i madh që njerëzit vdesin, për shkak të ujit të ndotur

Mesazh i Papës Françesku për pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare mbi temën e qasjes së ujit të pijshëm për të gjithë. Kjo qasje, shkruan Ati i Shenjtë, duhet të konsiderohet “e drejtë, që rrjedh nga dinjiteti njerëzor”.

R.SH. - Vatikan

“Uji është themelor për jetën. Në shumë zona të botës, motrat e vëllezërit tanë nuk mund të kenë një jetë dinjitoze, për shkak të mungesës së ujit të pastër. Statistikat dramatike të etjes, sidomos gjendja e atyre njerëzve, që sëmuren  e shpesh vdesin për shkak të ujit jo të pijshëm, është turp jashtëzakonisht i madh për njerëzimin e shekullit XXI”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare, që u hap sot në Universitetin Papnor Urbanian, me temë: “Administrimi i një pasurie të përbashkët: mundësia që të gjithë të kenë ujë të pijshëm”. Konferenca është organizuar nga Dikasteri vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në bashkëpunim me ambasadën e Francës, të Italisë, të Monakosë dhe të SHBA-ve pranë Selisë së Shenjtë. Në të marrin pjesë ekspertë të feve e kulturave të ndryshme.

Pata etje…

         “Nga pikpamja e fesë – nënvizon Papa – në çdo njeri të etur shohim fytyrën e Zotit, siç lexojmë në Ungjillin sipas Mateut: pata etje e nuk më dhatë të pi”.

Uji i pijshëm mohohet edhe për interesa ekonomike

         Në mesazhin papnor theksohet se gjendja aktuale është rënduar, për shkak të fenomeneve shqetësuese si tregtia e armëve dhe korrupsioni. “Fatkeqësisht – shkruan Papa – në shumë vende, në të cilat popullsia nuk ka gjithmonë ujë të pijshëm, nuk mungon furnizimi me armë dhe municione, që vijon ta përkeqësojë gjendjen! Korrupsioni dhe interesat e një ekonomike, e cila përjashton e vret, mbizotërojnë tepër shpesh mbi përpjekjet solidare, që duhet të garantojnë ujin e pijshëm”.

Impenjimi i Kishës

         Në këtë kuadër kritik, bëhen urgjente përgjigjet në nivel ndërkombëtar: “Statistikat e etjes – shpjegon Françesku – kërkojnë vullnet e vendosmëri dhe përpjekje institucionale, organizative, edukative, teknologjike dhe financiare”. “Selia e Shenjtë dhe Kisha – kujton Papa – impenjohen në favor të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë. Ky impenjim duket në nismat e shumta si realizimi i infrastrukturave, formimi, ndihma për popullsitë në rrezik, që kanë vështirësi në furnizimin me ujë, ndër të cilat, emigrantët”.

Statistika alarmuese

         Sipas vlerësimeve të fundit, mbi 2,1 miliard njerëz jetojnë pa ujë të pijshëm në shtëpi e 1 miliard prej tyre nuk e kanë atë aspak. Ndërkaq, 3-4 miliard njerëzve nuk u mjafton uji i pijshëm në dispozicion. Sipas Unicef-it, më se 700 fëmijë në ditë vdesin për shkak të sëmundjeve, që lidhen me përdorimin e ujit jo të pijshëm dhe me kushtet e varfëra higjieno-shëndetësore. Uji i ndotur sjell sëmundje si tifo, kolera dhe dizanteria, poliomeliti dhe diarrea. Kuadër dramatik, që sipas organizatës “Save the Children”, shkakton vdekjen e një ndër pesë fëmijëve, nën moshën 5 vjeç.

08 nëntor 2018, 14:58