Kërko

 Papa pret Kalorësit e Varrit të Krishtit Papa pret Kalorësit e Varrit të Krishtit 

Papa: flet për “martirizimin e bardhë” të të krishterëve, në vendet demokratike me liri të kufizuar

Papa Françesku, duke pritur Konsultën e Kalorësve të Varrit të Shenjtë, kujtoi situatën dramatike të të krishterëve të persekutuar e të vrarë “në një numër gjithnjë në rritje”. Martirë, edhe në vendet demokratike, që e kufizojnë lirinë fetare. Lavdërohet angazhimi për krizën e refugjatëve në Lindjen e Mesme.

R. SH. - Vatikan

Vijoni ta dëshmoni mirësinë, me të cilën Zoti i do të gjithë! E t’i ndihmoni të krishterët e persekutuar “në numër gjithnjë në rritje”, për të cilët, përveç martirizimit të kuq, të gjakut, ekziston edhe “martirizimi i bardhë”, si ai, që vërehet në vendet demokratike, “kur kufizohet liria e fesë”. Papa Françesku e theksoi fort këtë, në takimin me pjesëmarrësit e Konsultës së Urdhërit Kalorsiak  të Varrit Shenjt të Jeruzalemit, gjatë audiencës së sotme, në sallën Klementine të Pallatit Apostolik.

Faleminderit për ndihmën dhënë njerëzve  të Tokës Shenjte!

130 anëtarët e magjisterit të madh dhe mëkëmbësit e tyre, mbledhur në Romë për këshillimin pesëvjeçar, Papa i falënderoi posaçërisht për veprimtaritë e shumta shpirtërore e bamirëse, që zhvillojnë në dobi të popullsive të Tokës së Shenjtë. Këtu jeni si në shtëpi tuaj - u kujtoi - si institucion i lashtë papnor, i vënë nën mbrojtjen e Selisë së Shenjtë, i cili, që nga konsulta e fundit e 2013-tës, e ka  shtuar numrin e anëtarëve, njëherësh me shtrirjen gjeografike e asistencën materiale të Kishës në Tokën Shenjte.

Shkollat e spitalet tuaja – të hapura për të gjithë

Përkrah Patriakatit Latin - i kujtoi Papa mjeshtrit të madh, kardinalit Edwin O’Brien dhe zëvendës-eprorit të madh, imzot Pierbattista Pizzaballa, ju u impenjuat t’i bëni ballë krizës së refugjatëve për të cilën, këto pesë vjetët e  fundit,    Kisha ka dhënë një ndihmë domethënëse humanitare në të gjithë rajonin. E është shenjë e bukur - vijoi Ati i Shenjtë - që shkollat e spitalet e Kalorësve të Varrit të Shenjtë janë me porta të hapura për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga bashkësia, së cilës i përkasin a nga feja, që praktikojnë.

Në rend të parë, rritja shpirtërore e kalorësve

 Papa u ndalua gjatë edhe tek misioni i kalorësve në botë:

“Përsa i përket këtij misioni - nënvizoi -  mos e harroni kurrë se nuk jeni ent filantropik i angazhuar për të nxitur përmirësimin material e shoqëror të njerëzve. Jeni të thirrur për të vënë në qendër të vëmendjes e për të pasur si qëllim përfundimtar të veprave tuaja, dashurinë ungjillore për të afërmin e për të dëshmuar kudo mirësinë dhe kujdesin, me të cilin Zoti i do të gjithë”.

Martirizimi i bardhë” i Kishës, në vendet demokratike

Është detyrë e ipeshkvijve, meshtarëve e diakonëve të pranuar në Urdhër, t’i asistojnë kalorësit me çaste lutjeje komunitare, liturgjike e me katekizëm- theksoi Papa. E, më pas, kujtoi dramën e të krishterëve të persekutuar:

“Mbarë bota - që shpesh kthen kokën mënjanë - e ka parasysh situatën dramatike   të të krishterëve që persekutohen ose vriten në numër gjithnjë në rritje. Përveç martirizimit të tyre të kuq, larë me gjak, ekziston edhe një tjetër, ‘martirizimi i bardhë’, që vërehet në vendet demokratike, kur kufizohet liria e fesë. E ky është martirizim i përditshëm i Kishës në këto vise”.

Ikona e Zojës së të krishterëve të persekutuar

Papa i nxiti kalorësit ta shoqërojnë gjithnjë me lutje ndihmën materiale, që u japin popullsive, duke ia porositur veprimtarinë e edhe vetë jetën e tyre, Marisë me titullin “Zoja e Palestinës”.  E njoftoi edhe se do të bekojë ikonën e Zojës së të krishterëve të persekutuar, të cilën kalorësit do ta kenë me vete kudo shtegtojnë.

Në lutjen përfundimtare, Papa Françesku i drejtoi  Marisë një uratë të veçantë për Tokën Shenjte dhe Lindjen e Mesme “duke iu lutur të ndërmjetësojë në mënyrë të posaçme për njerëzit,  jeta e të cilëve është në rrezik të përhershëm”.

16 nëntor 2018, 15:17