Papa falënderon Libanin, “zemër mikpritëse” për një milion refugjatë”
R. SH. - Vatikan
Një falënderim i përzemërt drejtuar bashkësisë libaneze, për aftësinë e ruajtjes së ekuilibrit ndërmjet të krishterëve e myslimanëve si dhe për mikpritjen bujare të më se një milion refugjatëve, nga e gjithë Lindja e Mesme, në flakë. Kështu, me një përshëndetje të shkurtër, i priti Papa Françesku anëtarët e “Fondacionit Maronit” dhe autoritetet e Libanit, në Sallën Klementine, në Vatikan, në përfundim të audiencës me 35 ipeshkvijtë e Kishës patriarkale të Antiokisë së Maronitëve, në shërbim të bashkësisë libaneze, por edhe të besimtarëve të shumtë të diasporës.
Edhe besimtarët, me ipeshkvijtë: “Kështu i njohim më mirë bashkësitë”.
Pas përshëndetjes së kardinalit Bechara Boutros Rai, patriark i Antiokisë së Maronitëve, Papa iu drejtua 50 laikëve të Fondacionit, duke nënvizuar se është ide e mirë, kjo e shoqërimit të ipeshkvijve, sepse kështu - kujtoi - do të mund t’i njohim më konkretisht punët e bashkësisë. E, duke bërë shaka, Papa shtoi; “Kështu besimtarët mund t’i marrin qetësisht nëpër gojë ipeshkvijtë”. “Më thanë se ishin nja 40 vetë, që duheshin përshëndetur - vijoi Françesku - po këtu asistova shumëzimin e libanezëve. Ju falënderoj, që erdhët kaq shumë”.
Faleminderit për ekulibrin ndërmjet të krishterëve e myslimanëve
Papa e falënderoi nga zemra “bashkësinë libaneze për gjithë çka bën në dobi të Libanit”. Për të mbajtur ekulibrin kryesisht - këtë ekuilibër krijues, të fortë, si kedrat - ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, sunitëve e shiitëve; “ekuilibër patriotësh, vëllezërish”. E pastaj, për bujarinë tuaj, për zemrën tuaj mikpritëse për refugjatët; kemi më se një milion! Shumë faleminderit - shtoi.
Së fundi, Papa i bekoi të gjithë të pranishmit, familjet, atdheun, bijtë e, natyrisht, edhe refugjatët e tyre.