2018-06-30 Papa Francesco Card. Krajewski cena poveri in Vaticano 2018-06-30 Papa Francesco Card. Krajewski cena poveri in Vaticano 

Papa: në Ditën Botërore të të Varfërve, më 18 nëntor, do të kremtojë Meshën

Të dielën më 18 nëntor, në festën e Kushtimit të Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit, në ora 10, në të njëjtën bazilikë të Vatikanit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës Botërore të të varfërve.

R.SH. - Vatikan

Të dielën më 18 nëntor, në festën e Kushtimit të Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit, në ora 10, në të njëjtën bazilikë të Vatikanit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me rastin e Ditës Botërore të të varfërve. Kështu njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë.

Dita Botërore e të varfërve, që sivjet do të kremtohet për të dytën herë, u themelua nga Papa Françesku në përfundim të Jubileut të Mëshirës, ​​me letrën apostolike "Misericordia et misera".

Dita Botërore e të Varfërve, është Ditë e dëshiruar shumë nga Papa Françesku, në përfundim të Jubileut të Mëshirës, me qëllim që e gjithë bashkësia e krishterë dhe njerëzore të ftohet t’u zgjasë dorën të varfërve, të ligshtëve, burrave e grave, që u mohohet dinjiteti njerëzor.

"Në dritën e Jubileut kushtuar personave të përjashtuar nga shoqëria, ndërkohë që në të gjitha katedralet dhe shenjtëroret e botës mbylleshin Dyert e Jubileut të Mëshirës, ​​e kuptova se, si shenjë e mëtejshme konkrete e këtij Viti të Shenjtë të jashtëzakonshëm, duhej të ishte kremtimi në mbarë Kishën, me rastin e së Dielës së XXXIII të kohës së zakonshme liturgjike, i Ditës botërore të të varfërve ", shkruan Papa Françesku në fund të letrës apostolike.

E ishte ai vetë, që njoftoi kështu, se si lindi iniciativa, si u konceptua në një nga momentet më të pazakonta dhe elokuente të Jubileut të Mëshirës Hyjnore, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan të mbushur nga mijëra të pastrehë, të varfër dhe të mënjanuar nga shoqëria, pikërisht në Ditën e Vitit Jubilar të Mëshirës Hyjnore kushtuar atyre, më 13 nëntor 2016.

Për të krishterët, çështja e varfërisë është qendrore. Papa Bergoglio nënvizon: “nëse duam të takohemi me të vërtetë me Krishtin, është e nevojshme që ta prekim Atë në trupin plot plagë të të varfërve”. Ndihma për ta nuk mund të jetë e rastësishme, është pjesë e jetës së të krishterëve, të cilët duhet ta dëgjojnë britmën e të varfërve e të impenjohen në favor të tyre. Sipas Papës Françeskut tek të varfërit duhet të shohim edhe atë varfëri ungjillore, e cila nuk duhet humbur, e cila që natyrisht, nuk i bën njerëzit ta humbasin dinjitetin e jetës. Në këtë kuptim, të varfërit nuk janë problem, janë pasuri, që duhet përdorur për të pranuar e jetuar thelbin e Ungjillit.

05 nëntor 2018, 13:19