Kërko

Papa Françesku dhe Mar Gewargis III, Patriai i Kishës Asire të Lindjes Papa Françesku dhe Mar Gewargis III, Patriai i Kishës Asire të Lindjes 

Papa dhe Katolikosi i Asirëve: pa të krishterët, Lindja e Mesme nuk do të ekzistonte

Takimi i Papës me Katolikosin Gewargis III, shkëmbimi i përshëndetjeve dhe lutja për paqen. Më pas, nënshkrimi i një Deklarate të përbashkët, që shpreh impenjimin për mbështetjen e të krishterëve të Lindjes së Mesme.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku takoi sot paradite Shenjtërinë e Tij, Mar Gewargis III, Patriarku-Katolikos i Kishës Asire të Lindjes, i shoqëruar nga delegacioni. Pas bisedës private, palët përshëndetën njëri-tjetrin edhe publikisht, për të vijuar me një lutje të përbashkët në Kapelën Redemptoris Mater në Vatikan, gjatë së cilës krerët fetarë iu lutën Zotit për paqen në Lindjen e Mesme, sidomos në Irak e Siri.

Ndajmë vuajtjen e të krishterëve të Lindjes së Mesme

         Ati i Shenjtë kujtoi takimin e parë me Katolikosin e Asirëve, në Vatikan, dy vjet më parë, më 17 nëntor 2016, por edhe atë të 7 korrikut të kaluar në Bari, me rastin e Ditës së reflektimit e të lutjes për paqen në Lindjen e Mesme. Pastaj, nënvizoi:

         Ndajmë me ju vuajtjen e madhe, që sjell gjendja tragjike, në të cilën jetojnë shumë vëllezër e motra në Lindjen e Mesme, viktima të dhunës e shpesh, të detyruar t’i lënë tokat ku jetojnë përgjithmonë. Ata bëjnë Udhën e Kryqit, në gjurmët e Krishtit e, megjithëse u përkasin bashkësive të ndryshme, lidhin marrëdhënie vëllazërore, duke u bërë dëshmitarë të bashkimit për ne”.

Lutja për Lindjen e Mesme

         Pikërisht në fund të takimit, Papa Françesku dhe Katolikosi Mar Gewargis III u lutën për “fundin e kësaj dhimbjeje të madhe – siç nënvizoi Ati i Shenjtë gjatë përshëndetjes – duke i kërkuar Zotit dhuratën e paqes për Lindjen e Mesme, sidomos për Irakun dhe Sirinë”.

Puna e Komisionit për dialogun teologjik

         Ati i Shenjtë vuri në dukje edhe rezultatet e mira të punës së Komisionit të përbashkët për dialogun teologjik, si për shembull, nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët mbi “jetën sakramentore”, para një viti. Është një hap tjetër drejt kremtimit të Flijimit të Zotit nga i njëjti altar, studimi teologjik i të cilit ka hyrë tashmë në fazën e tretë. Rrugë, që kërkon edhe ruajtjen e kujtesës. E Papa përmendi Metropolitin e Nisibit, Abdisho bar Berika, një nga shkrimtarët më të famshëm të traditës siro-lindore, të cilit sivjet, Kisha Asire e Lindjes dhe Kisha Kaldease i kremtojnë 700-vjetorin e vdekjes. Studimi i këtij teologu të madh, veçanërisht ekspert në fushën e së drejtës kanonike, uroi Françesku, “na ndihmoftë për t’i njohur më mirë pasuritë e traditës asire dhe për t’i pranuar si dhuratë për mbarë Kishën”.

09 nëntor 2018, 13:15