Kërko

Papa: detyra e Ligjit është ta bëjë njeriun t’ia hapë zemrën Zotit

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa Françesku reflektoi për Urdhërimin e fundit: “Mos e lakmo gruan e të afërmit tënd… e mos lakmo asgjë, që i përket të afërmit tënd!”. I gjithë Dekalogu na çon në zemër të njeriut, atje ku lindin dëshirat e mbrapshta - nënvizoi Papa në katekizëm. - E nuk mund të çlirohemi prej tyre, nëse nuk ia hapim zemrën Zotit.

R. SH. - Vatikan

Detyra e Ligjit biblik nuk është të na bëjë të gënjejmë veten, duke menduar  se “bindja e fjalëpërfjalshme ndaj Ligjit mund të na shëlbojë!”. Do të ishte një shëlbim i rremë, i panatyrshëm. Detyra e Ligjit është ta çojë njeriun në  kuptimin e varfërisë së tij, gjë që e bën t’ia hapë zemrën Zotit. Kush e provon mëshirën e Zotit di, më pas, të ketë mëshirë edhe për të tjerët. Këtë nënvizoi sot paradite Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 10 mijë besimtarëve, ardhur, si zakonisht, nga mbarë bota. Françesku, si gjithnjë, i përshëndeti ngrohtësisht, duke iu afruar posaçërisht të sëmurëve e fëmijëve.

Rrënja e mëkatit janë lakmimet e mbrapshta

Reflektimi i Papës sot u ndal tek Urdhërimi i fundëm, i dhjeti. Këto nuk janë vetëm fjalët e fundit të tekstit - nënvizoi Françesku - por  edhe përfundim i shtegtimit përmes Dekalogut. Pikërisht në Urdhërimin e fundëm, është për t’u vënë në dukje me forcë se rrënja e përbashkët e mëkateve janë dëshirat e liga, janë lakmimet, që të çojnë në shkeljen e Ligjit, domethënë në plagosjen e vetvetes e edhe të tjerëve. Më pas Papa i kujtoi një për një këto dëshira vrasëse. Janë: “flligështia, hajdutëria, vrasja, kurorëthyerja, lakmia, mbrapshtia, gënjeshtra, shthurja, zilia, shpifja, fodullëku, marrëzia e madhështisë”.

Nëse nuk çlirohet zemra, pak kuptim kanë të tjerat

“E gjithë udha e bërë nga Dekalogu, nuk do të kishte pikë vlere, nëse nuk do të arrinte ta prekë zemrën e njeriut”. Ligjet e Zotit mund të katandisen në fasadën e bukur të një jete skllavi, por jo biri e shpesh - vërejti akoma Françesku - pas maskës farizeike të korrektesës së rreme, fshihet poshtërsia e dashakeqësia më e neveritshme. Kështu u shpreh Papa, duke i ftuar, më pas, besimtarët, t’ia çjerrin maskën këtij qëndrimi ndaj Urdhërimit, të mos lakmojnë çka nuk duhet lakmuar e të ecin kah përvujtëria e shenjtë, drejt së cilës na prin.

T’ia hapim zemrën Zotit

Nuk mund ta çlirojmë vetveten, as me përpjekjet titanike të vullnetit tonë. Duhet t’ia hapim zemrën Zotit, të lidhemi ngushtë me Të:

“Detyra e Ligjit biblik nuk është ta bëjë njeriun të gënjejë veten, duke menduar se ‘bindja e fjalëpërfjalshme mund të na çojë në shëlbim, kështu i paarritshëm’. Detyra e Ligjit është ta çojë njeriun  tek e vërteta, apo tek varfëria e tij, që bëhet hapje personale për Mëshirën e Zotit, i cili shndërron e rinon. Zoti është i vetmi që ka aftësinë ta përtërijë zemrën tonë, me kusht që edhe ne t’ia hapim. Ky është kushti i vetëm: Ai mund të bëjë gjithçka, e ne na mbetet vetëm t’ia hapim zemrat”.

Kush e provon mëshirën, di të mëshirojë

Prej këndej mund të themi se fjalët e fundit të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot na edukojnë të pranojmë se jemi lypës. “Ta lëmë Shpirtin Shenjt të na ndihmojë - nxiti Papa - duke kujtuar se ky Urdhërim na e trazon zemrën e na nxit të bëhemi ‘të varfër në shpirt’”. Mbasi të lumë janë ata, që nuk e gënjejnë veten se mund të shpëtojnë nga ligështia njerëzore, pa ndihmën e mëshirës së Zotit, e vetmja, që mund t’i shërojë plagët e zemrës”:

“Vetëm mëshira e Zotit e shëron zemrën. Lum ata, që pranojnë se kanë dëshira të mbrapshta e, me zemër të penduar, nuk paraqiten para Zotit e para njerëzve si të drejtë, por si mëkatarë. Është e bukur shprehja që përdor Pjetri, kur i thotë Zotit: ‘Largoju prej meje, Zot, se jam mëkatar’. Lutje e bukur, kjo: ‘Larg meje, Zot, sepse jam mëkatar’. Këta janë  që dinë të kenë mëshirë, që i mëshirojnë të tjerët, sepse e provuan në shpirtin e tyre ç’do të thotë mëshirë”.

Dita e Orantibus

Në përfundim, sot, në ditën e kujtimit liturgjik të paraqitjes së Marisë në Tempull, Papa kujtoi se kremtohet edhe Dita pro Orantibus, domethënë, dita kushtuar bashkësive të klauzurës, rregulltarëve e rregulltareve të vetëmbyllur në kuvende, që luten edhe për secilin prej nesh, në heshtje, me përkushtimin e atyre që, përmes lutjes, i lartojnë drejt Zotit të gjitha ahtet e botës.

21 nëntor 2018, 14:06