Kërko

 Shpella e Betlehemit prej rëre të Jesolo-s Shpella e Betlehemit prej rëre të Jesolo-s 

Një piramidë rëre në Shën Pjetër: merr formë Shpella e Betlehemit 2018

Të shtunën, më 17 nëntor, në Sheshin e Shën Pjetrit do të ngrihet një piramidë e, më 21, katër skulptorë do të nisin të modelojnë me rërë të ardhur nga Dolomitet, “Sand Nativity”, Shpellën e re, krejtësisht origjinale, të Betlehemit, dhuruar Papës Françesku nga Jesolo. Bredhi i Krishtlindjes, dhuratë e zonës Friuli Venezia Giulia, do të arrijë në Shesh më 22 nëntor. Më 7 dhjetor audienca e dhuruesve tek Papa. Pasdite, përurimi.

R. SH. - Vatikan

Një piramidë rëre do të duket në Shën Pjetër të shtunën, më 17 nëntor, e kjo do të jetë etapa e parë për realizimin e Shpellës së Betlehemit për Krishtlindjen 2018. “Sand Nativity” - apo Shpella prej rëre e Betlehemit”, dhuratë e qytetit Jesolo dhe e Patriarkatit të Venedikut. Njëmijë e treqind metra kub rëre nga plazhi venet, me origjinë nga Dolomitet, do të  shkarkohen në Shesh, për të  krijuar piramidën, me peshë 700 tonelata.

Skuptorët në punë që nga 21 nëntori

Ndërmjet 19 e 20 nëntorit do të montohet streha për mbrojtjen nga shiu e më 21 nëntor, katër skulptorë do të modelojnë Shpellën e monumentale të Betlehemit, një basoreliev 16 metra i gjatë, 5 i lartë e 6 i thellë, me shtrirje prej 25 metrash katrore. Artistët e punimeve me rërë Richard Varano (SHBA), Ilya Filimontsev (Rusia), Susane Ruseler (Holandë) e Rodovan Ziuny (Republika Çeke), do të punojnë deri në fillim të dhjetorit, për ta përfunduar punën e tyre të jashtëzakonshme, më 6 dhjetor.

Bredhi i Krishtlindjes, nga pyjet e Cansiglio-s

Ky, kronoprogrami për Shpellën e Betlehemit, sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, që përfshin edhe lajmin mbi ngritjen e Bredhit të Krishtlindjes, dhuratë e Rajonit Friuli Venezia Giulia dhe e Dioqezës Concordia-Pordenone. Pema e Vitit të Ri 2019 është një bredh i kuq, i gjatë rreth 21 metra, me diametër 50 centimetra e trashësi rreth 10 metra në bazë. Sot, 16 nëntor, në prag të shtegtimit të gjatë, po punohet për lidhjen e degëve e, pastaj, më 19 nëntor, punonjësit e ndërmarrjes pyjore të Pordenones do ta presin. Atëhere bredhi i kuq do t’i thotë lamtumirë pyllit, ku lindi e u rrit, e do të nisë rrugën e gjatë, drejt Sheshit të Shën Pjetrit.

Bredhi do të arrijë në Vatikan më 22 nëntor

Bredhi do të arrijë në Sheshin e Shën Pjetrit më 22 nëntor. Për ta zbukuruar do të kujdeset Drejtoria e shërbimeve teknike e Guvernatoratit, në bashkëpunim me ndërmarrjen Osram, që do të ofrojë sistemin e ndriçimit dekorativ modern, për të kufizuar konsumin energjitik.

Më 7 dhjetor, përurimi i Shpellës së Betlehemit dhe i Bredhit

Më 7 dhjetor, në mesditë, Papa Françesku do t’i presë në audiencë dy delegacionet e bashkësive, që dhuruan bredhin, domethënë të Dioqezës Concordia-Pordenone e të rajonit Friuli Venezia Giulia si dhe ata, që punuan  në Patriarkatin e Venedikut dhe në Komunen e Jesolos, për realizimin e Shpellës së Betlehemit “Sand Nativity” - “Shpella prej rëre”.

Pasdite, në orën 16.30, do të nisë ceremonia zyrtare e përururimit të Shpellës e, po në atë çast, do të ndriçohet edhe Bredhi. Papa do ta vizitojë Shpellën e Betlehemit  mbrëmjen e 31 dhjetorit, pas kremtimit të Te Deum, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Mund të admirohet deri më 13 janar

Çmontimi i simboleve të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit do të nisë më 13 janar 2019, të dielën e Pagëzimit të Zotit, datë zyrtare kur mbyllet koha e Krishtlindjes. Shpella e Betlehemit, si në përralla, do të shkrihet e do të bëhet rishtas rërë, ndërsa bredhi do t’i besohet një ndërrmarrjeje të specializuar, që do ta përdorë për punime të ndryshme në dru. Do të shndërrohet, pra, në sende, që do ta ruajnë përgjithnjë kujtimin e ditëve, kur e gjithë bota i kishte sytë mbi vezullimet e tij të papërsëritshme.

16 nëntor 2018, 12:54