Kërko

 Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Një javë me Papën

Me Papën, duke ndjekur veprimtaritë e një jave, ngarkuar me kremtime e përkujtime.

R. SH. - Vatikan

Sivjet, për të përkujtuar të vdekurit, Françesku zgjodhi varrezën romake  Laurentino. U ndalua një copë herë para “Kopshtit të Engjëjve”: një zonë krejt e blertë, rreth 600 metra katrore, kushtuar varrimit të fëmijëve, që nuk e panë kurrë dritën, për shkak të ndërprerjes së shtatzanisë (spontane a vullnetare). I rrethuar me një gardh, Kopshti ndodhet përballë “Arës së Fëmijëve”, ruajtur simbolikisht nga dy engjëj, simbol pafajsie e pastrie.

Papa e kremtoi Meshën kushtuar përkujtimit të të gjithë të vdekurve, përpara kapelës së Krishtit të Ngjallur. Gjatë Meshës, duke folur lirisht, mbajti një homeli prekëse, në përkim me këtë ditë që, më shumë se vdekjen, na kujton Ringjalljen në Krishtin!

Papa, në Engjëllin e Tënzot, ditën e Gjithë Shenjtorëve, porositi të zgjedhim udhën e Lumturive

Ta pyesim veten me kë jemi: me qiellin - apo me tokën? Jetojmë për Zotin, apo për vetveten? Për lumturinë e amshuar, apor për atë të çastit? Këto, disa nga pyetjet që u drejtoi Papa besimtarëve para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në festën e Gjithë Shenjtorëve.  

Zoti na kërkon gjithçka  - vijoi Françesku  - e ajo që na jep, është jeta e vërtetë. Na jep, pra, gjithçka, na jep lumturinë për të cilën u krijuam. Prandaj: “O shenjtëri, o hiç!”. Shenjtorët që këtu mbi tokë nuk u kënaqen me pak, bëjnë tifo për ne, me besim se do të zgjedhim udhën e Lumnive, e cila na çon në qiell çdo ditë, do të zgjedhim Zotin, përvujtërinë, butësinë, mëshirën, pastrinë, do të apasionohemi për qiellin e jo për tokën.

Kryedioqeza e Firences feston 90-vjetorin e kardinalit Simoni

I mbushi më 18 tetorin e kaluar 90-vjetët, kardinali Ernest Simoni. E i kremtoi në Shën Martë, së bashku me Papën Françesku, që e krijoi kardinal në nëntor 2016.  Më pas, një kremtim i dytë. Për 90-vjetorin e kardinalit Simoni,  më 1 nëntor, ditën kushtuar Gjithë Shenjtorëve, u kremtua një Meshë në Firence, në katedralen Santa Maria del Fiore, kryesuar nga kryeipeshkvi, Giuseppe Betori, në të cilën mori pjesë edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Pasdite, kardinalit shqiptar iu dorëzua “Vula e paqes”, dekoratë nderi e Firences, qytet që e  quan kardinalin 90-vjeçar, martir i fesë e dëshmitar i dinjitetit të njeriut.

Njëzet e tetë vjet punë të detyruar, dy dënime me vdekje të shndërruara në burgim të përjetshtëm, purpuri i kardinalit, simbol i gjakut, që duhet derdhur në mbrojtje të fesë: kjo, e gjithë jeta e tij…

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke plotësuar katekizmin kushtuar Urdhërimit VI: “Mos kurvëro!”, Papa theksoi: “Thirrja jonë e zanafillës është dashuria martesore e plotë e besnike, që Jezu Krishti na e zbuloi e na e dhuroi”.  

Gjatë reflektimit mbi Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Efezianëve,  e quajti  revolucionare, mbasi “me antropologjinë e asaj kohe”, pohon “se burri duhet ta dojë gruan, ashtu si  Krishti Kishën”. Duke shpjeguar, pastaj, domethënien e fjalës “martesore”, theksoi se të vësh kurorë nuk do të thotë të kremtosh martesën, por nga unë, të kalosh tek ne e vuri në dukje se çdo thirrje e krishterë, ashtu si dhe meshtaria e virgjëria e kushtuar, kanë natyrë martesore.

 Më 25 tetor të vitit 1988 agjencia gazetareske Sir botonte buletinin e saj të parë. Me rastin e këtij 30-vjetori, Papa Françesku i dërgoi mesazhin e tij të urimit: “Vijoni ta kryeni detyrën tuaj me të njëjtën risi, që e menduan themeluesit e, më pas, edhe i dhanë formë këtij projekti të pashembullt në llojin e vet - shkruan Papa Françesku - duke vijuar me porosinë: “Ishit nxitës  të bashkimit në informimin, si kishtar, ashtu edhe shoqëroro-kulturor. Vijoni të jeni!  Ushtrojeni profesionin “gjithnjë në kërkim të së vërtetës”.  “Apasionojuni gjithnjë më shumë në kërkimin e së vërtetës! Jini rojtar të lajmeve!”.

Drita e Ungjillit mbi Evropën, ku zbret nata!

Mbi Evropën zbret nata?  Kishat duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të treguar Ungjillin – porosit Papa Françesku.

Evropa  duket moralisht e lodhur? Kjo tregon se ka më shumë se kurrë nevojë për Krishtin. Ungjilli sigurisht që nuk do t’i ndërrojë politikat evropiane, por do t’i çlirojë besimtarët nga shqetësimi, që u krijohet prej opinineve të përhapura me ngulm nga shumë liderë dinakë politikë.

Mbi Evropën tonë dyndet nata? Ndoshta, por Evropa nuk është thjesht hesap, as taksë që duhet paguar: Evropa mbetet lidhje kombesh e ëndërr njerëzish! Lidhje, që vijon prej 70 vjetësh në paqe! E ëndërr, që do t’u krijojë të rinjve kushtet ta rimendojnë me fund atë, që sot quhet demokraci.

Mbi Evropën zbret nata? Kishat të shfrytëzojnë mundësinë për të treguar Ungjillin, që është Dritë!

04 nëntor 2018, 13:38