Papa priti sot në audiencë aktivistin indian për të drejtat e fëmijëve, Kailash Satyarthi Papa priti sot në audiencë aktivistin indian për të drejtat e fëmijëve, Kailash Satyarthi 

Në audiencë tek Papa, Nobeli për Paqen, Kailash Satyarthi

Papa priti sot në audiencë aktivistin indian për të drejtat e fëmijëve, Kailash Satyarthi, Nobel për Paqen në vitin 2014. Ati i Shenjtë mbështeti kërkesën e tij për një konventë në OKB, ligjërisht të detyrueshme, që të ndalë abuzimet seksuale dhe pornografinë on line.

R.SH. - Vatikan

Lindur në Kailash Sharma të Indisë, më 11 janar 1954, Kailash Satyarthi është themeluesi i Lëvizjes për Mbrojtjen e Fëmijëve (Bachpan Bahcpan Bachao Andolan), i Fondacionit të Fëmijëve, që mban emrin e tij dhe i “GoodWave International”. Deri tani, ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë liruar 87 mijë fëmijë indianë nga puna e të miturve, nga skllavëria dhe nga trafiku. Në vitin 1998, Satyarthi udhëhoqi Marrshimin Global kundër punës së të miturve, gjatë të cilit njerëzit përshkuan 80 mijë kilometra në 103 vende të botës për të paraqitur kërkesën e mospërdorimit të fëmijëve për punë. Lëvizja është bërë një nga më të mëdhatë e realizuara ndonjëherë në favor të fëmijëve të shfrytëzuar.

Pas audiencës në Vatikan, i drejtuam Kailash Satyarthi-t mikrofonin tonë për një përshtypje nga takimi me Papën Françesku:

         Është gjithnjë kënaqësi e madhe e frymëzim kur takon Atin e Shenjtë. E kam parë edhe herë të tjera, por kësaj radhe shkova tek ai me një kërkesë të veçantë për përkrahje. Ideja është miratimi i një konvente të OKB-së, ligjërisht e detyrueshme, për të ndalur shpërdorimet seksuale dhe pornografinë në internet. Ai më mbështeti me vendosmëri. Jo vetëm kaq: më tha se do të punojë për këtë. I fola edhe për domosdoshmërinë e një “task force” globale kundër këtyre krimeve e kundër trafikut të fëmijëve. Ajo duhet të ketë jurisdiksion jashtëterritorial, sepse krimet në internet i kalojnë kufijtë e vendeve. Gjithashtu, i dhashë idenë e themelimit të një linje telefonike ndërkombëtare për mbështetjen e viktimave, të të mbijetuarve dhe të atyre që i kanë ndihmuar. Kjo linjë duhet të kontrollohet nga Interpoli dhe nga ndonjë agjenci tjetër e OKB-së. Papa është dakord për këtë projekt dhe e mbështet atë. I thashë se e admiroj për impenjimin kundër abuzimeve seksuale në institucionet kishtare. Ati i Shenjtë e merr shumë seriozisht këtë problem. I shpreha kënaqësinë për takimin e krerëve të Konferencave Ipeshkvnore, në shkurt, pikërisht mbi abuzimet. Shpresoj të dalë një “road map” e qartë nga kjo mbledhje. Papa më siguroi se do të jetë takim praktik, nga ku do të dalin masa praktike.

16 nëntor 2018, 15:18