Cerca

Vatican News
Konferenca me temë: “Zoti nuk banon më këtu?" Konferenca me temë: “Zoti nuk banon më këtu?" 

Mesazh i Papës për takimin “Zoti nuk banon më këtu?”

Mesazh i Papës Françesku për konferencën mbi ndryshimin e destinacionit të vendeve të kultit. Zakonisht, “besimtarët shohin në ambientet dhe objektet e destinuara për kultin vazhdimësinë e një lloj gjurme, që nuk shuhet edhe pasi ato e kanë ndryshuar destinacionin”.

R.SH. - Vatikan

Ndjenja e bashkësisë, në qendër të mesazhit të Papës Françesku për pjesëmarrësit e konferencës me temë: “Zoti nuk banon më këtu? Ndryshimi i destinacionit të vendeve të kultit dhe administrimi i pasurive kulturore kishtare”, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës, në bashkëpunim me Universitetin Papnor Gregorian dhe me Konferencën Ipeshkvnore Italiane. Mesazhi u lexua nga kreu i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi.

         “Pasuritë kulturore kishtare – shkruan Papa – janë dëshmitare të fesë së bashkësisë, që i ka prodhuar ato në shekuj, prandaj, në mënyrën e tyre, janë mjete ungjillëzimi, krah për krah me mjetet e zakonshme të kumtimit të Fjalës, të predikimit dhe të katekizmit. Kjo dëshmi e tyre në zanafillë mund të ruhet edhe kur nuk përdoren më në jetën e përditshme të popullit të Zotit, në veçanti, përmes një ekspozimi të përshtatshëm muzeor, që nuk i konsideron vetëm dokumente të historisë së artit, por gati u dhuron një jetë të re, që ta vazhdojnë misionin e tyre kishtar”.

Shenjë e kohrave

         Ati i Shenjtë vëren se shumë vende kulti, të cilat, deri pak vite më parë, ishin të nevojshme, sot, nuk nevojiten më. Por ky realitet nuk duhet parë e jetuar me ankth nga Kisha:

         “Konstatimi se shumë kisha, deri pak vite më parë të nevojshme, tani nuk janë më, për shkak të mungesës së besimtarëve a të klerit, ose për arsye të shpërndarjes së ndryshme të popullsisë ndërmjet qyteteve dhe zonave të fshatit, duhet pritur në Kishë jo me ankth, por si shenjë e kohrave, që na fton të reflektojmë dhe na imponon të përshtatemi. Në një farë mënyre, këtë pohon Nxitja apostolike ‘Evangelii Gaudium’, kur, duke mbështetur epërsinë e kohës ndaj hapësirës, deklaron se ‘t’i japësh përparësi kohës do të thotë të fillosh procese, më tepër se sa të zotërosh hapësira. Koha vë rend në hapësira, i shndrit dhe i shndërron në hallka të një zinxhiri në rritje të vazhdueshme, pa kthim mbrapa’”.

Ipeshkvijve, vendimet konkrete

         Në përfundim, duke iu drejtuar ipeshkvijve, Papa reflekton mbi rëndësinë e meditimit koral dhe të dialogut me bashkësinë civile, hap thelbësor për të kuptuar ç’vendime duhen marrë:

         “Me siguri, konferenca do të japë sugjerime e do të përvijojë linja veprimi, por vendimet konkrete e të fundit u takojnë ipeshkvijve. Ata i këshilloj me gjithë zemër që çdo vendim të jetë fryt i një reflektimi koral brenda bashkësisë së krishterë, në dialog me bashkësinë civile. Ndryshimi i destinacionit nuk duhet të jetë zgjidhja e parë dhe e vetme, që duhet menduar e, asnjëherë nuk duhen shkandulluar besimtarët. Nëse është e nevojshme, duhet të ndërthuret me kohë në programin e zakonshëm baritor, të paraprihet nga një informacion i përshtatshëm dhe të rezultojë me sa më shumë konsensus”.

29 nëntor 2018, 14:55