Cerca

Vatican News
 Kryqi, simbol i shpesës Kryqi, simbol i shpesës 

Letra e Papës drejtuar dy françeskanëve: “Shndërrojeni dhimbjen në shpresë!”

Është Krishti, që vuan në Siri, në Irak, në gjithë Lindjen e Mesme! Krishti i varfër, i dëbuar nga atdheu… Kështu u shkruan Papa dy françeskanëve, duke i ftuar ta kthejnë vuajtjen në shpresë.

R. SH. - Vatikan

“Sa vuajtje, sa varfëri, sa dhembje ka Jezusi, që vuan, që është i varfër,  që dëbohet nga Atdheu i tij. E ky është mister. Misteri ynë i krishterë. Në ju e në banorët e Sirisë së dashur, ne shikojnmë sot Jezusin  e munduar”. Fjalë të ngarkuara me emocion, që të prekin thellë në shpirt, këto të Papës Françesku. I lexojmë në një mesazh drejtuar dy françeskanëve, Hanna Jallouf e Louai Bsharat, të dy misionarë në Siri, të cilët, këto ditë, i patën drejtuar Atit të Shenjtë një letër. I flisnin për përvojën e tyre misionare në vendin e martirizuar të Lindjes së Mesme. Me ngjyrime tejet tragjike, që të kujtojnë menjëherë të Premten e Madhe.

Në përgjigjen, që i jep letrës së misionarëve - botuar në faqen e internetit të  Rojtarisë së Tokës Shenjte - Papa u shkruan dy fretërve: “Dëshiroj ta ndajmë bashkë vuajtjen e t’ju them se jam shumë pranë jush e pranë bashkësive të krishtera, të dërmuara nga dhimbja e jetuar për fenë në Krishtin Jezus”.

“Asgjë, më shumë se martirizimi, nuk mund ta vërë në dukje mënyrën e veçantë të të krishterit për të marrë pjesë në historinë e shëlbimit të njerëzimit - pohon Papa. Janë martirët, ata që e çojnë përpara Mbretërinë e Zotit, që mbjellin të krishterë për të ardhmen. Ata janë lavdia e vërtetë e Kishës e shpresa jonë! Një dëshmi e tillë  të jep zemër t’u bësh ballë edhe stuhive më të frikshme të historisë”.

“Jo rrallë deti i jetës na sulmon me stuhi të tërbuara, por nga vorbullat ekzistenciale na vjen një shenjë e papritur shpëtimi: Maria, Nëna e Zotit, në heshtje, shikon Birin e pafajshëm që, ndonëse i kryqëzuar, e mbush popullin plot me jetë  e shëlbim” - nënvizon Papa - që përfundon duke u siguruar fretërve afërsinë dhe lutjen e tij, me shpresën e gjallë se dhimbja e papërshkrueshme do të shndërrohet në shpresë hyjnore”. Në fund, u jep dy misionarëve, që i shkruajnë nga viset ku martirizohen, ndërmjet të martirizuarve, bekimin  apostolik, atyre dhe gjithë familjeve të krishtera, besuar rojes së tyre guximtare.

23 nëntor 2018, 15:57