Kërko

2018.11.19  Skanderbeg 2018.11.19 Skanderbeg 

Kremtimet përkujtimore, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në diasporë

Në janar të vitit 1968 mbarë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë përkujtuan 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Kremtimet kryesore u organizuan në Romë, me përkrahjen atërore të Papës Pali VI. Pak dinë shqiptarët për këto kremtime, prandaj meritojnë të kujtohen.

R. SH. Vatikan

Në janar të vitit 1968 mbarë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë përkujtuan 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Kremtimet kryesore u organizuan në Romë, me përkrahjen atërore të Papës Pali VI. Pak dinë shqiptarët për këto kremtime, prandaj meritojnë të kujtohen.

Në Romë

Kremtimet u hapën më 24 prill, me Meshën pontifikale në ritin bizantino-shqiptar, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Bashkëkremtuan dhespotët arbëreshë Zef Pernicario, i Horës së Arbëreshëve; Gjon Stamati, Administrator Apostolik i Ungros; Theodor Minisci, Ipeshkëv i Abacisë “nullius” të Grottaferratës. Të pranishëm, edhe kardinajtë de Furstenberg e Agaxhanian si dhe Hirësia e tij, kardinali Antoniutti, Prefekt i Kongregatës për Rregulltarët, Delegat apostolik në Shqipëri (1936).

Më 25 prill Papa Pali VI i priti në audiencë të gjithë pjesëmarrësit në manifestimet, rreth 2. 500 vetë.

Përshëndetja e përzemërt e Papës drejtuar mbarë shqiptarëve, asokohe mundi t’i kapërcente kufijtë e rrethuar nga telat me gjemba vetëm përmes valëve të radios. E ishte pikërisht Programi Shqip pranë Radio Vatikanit që e niste drejt Atdheut Letrën e shkruar nga Papa Shenjt, me këtë rast, përkthyer përmbledhtas nga origjinali në gjuhën latine. Letra fillon me fjalët: “Quinto revoluto saeculo”. Kirografi papnor iu dorëzua dy kardinajve: Maksimilianit de Furstenberg dhe Pjetrit Agaxhanian, përkatësisht në krye të Kongregatës për Kishat Lindore e për Ungjillëzimin e Popujve. Në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve, mbledhur në Vatikan, Papa Pali VI, pasi vlerësoi lart virtytet e Kombit shqiptar, theksoi lidhjet e tij të pakëputura me Selinë Apostolike. Po e kujtojmë këtë fjalim historik të Papës Montini:

 “Të dashur bij të Shqipërisë!

Ju urojmë sot në mënyrë të veçantë mirëseardhjen juve, që  u mblodhët për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, fatosit të kombit tuaj dhe të Krishterimit, pranë kësaj Selie Apostolike, që mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj atërore.

Ju takojmë me shumë kënaqësi: vërtet, e dimë se fryma, me të cilën e kremtoni këtë përkujtim, është fryma e hershme e racës suaj, që vë gjithnjë, përmbi çdo interes, vlerat e trashëguara të besës, apo besnikërisë ndaj të gjitha zotimeve;nderit, apo kuptimit të vërtetë të virtyteve, eburrërisë,  apo të  tërësisë së virtyteve burrërore.

Heroi Skënderbe qe personifikim i gjallë i këtyre virtyteve: ai jua la trashëgim; e njëherësh, edhe lidhjen me miqtë e lashtë të atdheut tuaj, ndër të cilët rreshtohet me kënaqësi edhe Selia e Shenjtë, sepse u përket atyre, që nuk ju braktisi kurrë në baltë.

Këto virtyte, Gjergj Kastrioti i la amanet të shenjtë në Atdhe, por edhe në diasporë e në mërgim. E nëse historia ju pa të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit bëri që ju, me gjithë vëllezërit e “gjakut tuaj të shprishur”, me gjallërinë që e keni në gjak e njohuritë e fituara, të shërbeni si ura  besëlidhjesh e bashkëpunimesh, të cilat shpesh ju bënë paraprijës të ekumenizmit modern.

Ju urojmë, me këtë rast, ju e të gjithë shqiptarët, që vuajtja të përballohet gjithnjë me shpirtin tuaj heroik, trashëguar nga të parët, e t’ju japë rast e meritë të shërbeni si element mirëkuptimi e paqeje ndërmjet fiseve e gjuhëve të ndryshme.

Do të vërtetohet, kështu, testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë plot lavdi Atdheu juaj, që e kemi kaq shumë për zemër dhe e bekojmë me dashuri atërore”.

Më 26 prill kremtohej Zoja e Shkodrës, prandaj manifestimet madhështore të Romës përfunduan me një shtegtim në Shenjtëroren e Gjenacanit, ku u bashkëkremtua Mesha nga meshtarët e ritit latin. Predikimin e rastit e mbajti atë Daniel Gjeçaj, OFM.[1]

Në Bari

Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, në gjithë diasporën, u mbajtën disa simpoziume. Nisën me atë të Barit, më 21-22 tetor.

Në Palermo

Duhet kujtuar se një rol të dorës së parë për organizmin e kremtimeve, luajti Qendra Ndërkombëtare e studimeve shqiptare pranë Universitetit të Palermos, që vijoi nismën e Barit

Këtu, simpoziumi kushtuar Kastriotit u mbajt më 28 nëntor deri më 1 dhjetor 1968, në Sallën e Madhe moderne të Fakultetit të Letërsisë e të Filozofisë, pranë Universitetit të Palermos. Gjatë ceremonisë së hapjes, kardinali F. Carpino, kryeipeshkëv i Palermos dhe Kryetar i Shoqatës Italiane të Lindjes së krishterë, e përkujtoi Skënderbeun me një fjalim shumë të pasur me kujtime historike e fetare, që pati jehonë të madhe. Pjesëmarrësit në kuvëndim sollën kontributin e tyre, duke e parë figurën e Skënderbeut në këndvështrime të ndryshme e të reja: Prof. Ernest Koliqi foli për humanitetin e Heroit; Prof. Jak Marlekaj OFM, i Universitetit të Barit, për figurën e Skënderbeut përmes traditave popullore; Prof. Stavro Skendi i Columbia University të New Yorkut u ndal tek vendi që zuri Kastrioti në politikën e Papëve, në mbrojtje të Evropës së shek. XV; Papas Dok. Ignazio Parrini i Qendrës së Studimeve Shqiptare të Palermos, u ndalua tek gjuha shqipe në kohën e Skënderbeut; profesor Martin Camaj, i Universitetit të Munihut, foli për veprimtarinë e françeskanëve në shërbim të Shqipërisë, në epokën e Skënderbeut. Ligjëruan edhe shumë studiues të tjerë të njohur, ardhur nga të katër anët e diasporës.

Atë Zef Valentini S.I., theksoi se ky kuvëndim ishte pikënisje, jo pikarritje, në studimet kastriotiane, duke pasur parasysh studimin e dokumenteve të reja, të panjohura, që hodhën dritë mbi marrëdhëniet e Skënderbeut me Papët Eugjeni IV, Kalisti III, Pali II, Piu II, Mbretërit e Napolit, Alfonsi V dhe Ferdinandi i Aragonës.[2]

Siç shihet qartë, kontributet që sollën kremtimet e 1968-tës, vlejnë edhe për kremtimet që kanë nisur tashmë në një klimë shumë më të qetë, me pjesëmarrjen e gjithë shqiptarëve, të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e të mbarë diasporës.

[1] Sipas njoftimeve dhënë në rubrikën “Jeta shoqërore” të revistës “Jeta Katholike Shqiptare”, N. 4 (12), 1968, që dilte në New York

 

[2] La Civiltà Cattolica, anno 120, 1969, Volume Primo, 1- 00187 Roma, Carmelo Capizzi, S. J. Un Recente convegno su Giorgio Castriota Skanderbeg eroe nazionale albanese.

19 nëntor 2018, 15:23