GIORGIO LA PIRA GIORGIO LA PIRA 

Papa: La Pira, profet modern i shpresës “në shërbim të së mirës së përbashkët”

Papa Françesku u takua sot me Fondacionin dhe grupet, që vijojnë të ecin në gjurmët e të Nderuarit Giorgio La Pira, kryebashkiak i Firences nga viti 1951 deri më 1965, njeri i paqes dhe i bamirësisë së krishterë. Shembulli i tij është shumë i çmuar për politikanët e sotëm, që tundohen të kërkojnë përfitimin vetjak ose të grupit e po aq, edhe pushtetin.

Giorgio La Pira, “dëshmitar entuziast i Ungjillit dhe Profet i kohëve moderne”, veprimtaria e të cilit u frymëzua gjithnjë nga “optika e krishterë”, i parapriu shpesh herë kohës së vet”. Shembulli i tij, si shërbëtor i së mirës së përbashkët, është shumë i çmuar për politikanët e sotëm, që tundohen tepër shpesh të kërkojnë më shumë përfitimin personal ose të grupit, sesa interesin e përgjithshëm, e sidomos, pushtetin. Papa Françesku e kujtoi këtë duke u takuar me 200 nga anëtarët e Fondacionit “Giorgio La Pira”, pjesëmarrës në kuvendin e pestë kombëtar të shoqatave dhe grupeve, titulluar me emrin e politikanit që, i lindur më Pozallo të Sicilisë, qe kryebashkiak i Firences nga viti 1951 deri më 1957 dhe nga 1961, deri më 1965 e që Papa e deklaroi  “të Nderuar” më 5 korrik të vitit në vijim.

Na duhen burra shteti me frymëzim njerëzor e kristian

Pas përshëndetjes së kryetarit të Fondacionit, Mario Primicerio, Papa, duke u nisur nga titulli i takimit “Spes contra Spem”, “Të shpresosh në kundërshtim me çdo shpresë”, fjalë të Shën Palit, të cilat la Pira i shndërroi në moto jete, uroi që ky takim të kontribuojnë për zhvillimin e mëtejshëm të Italisë si dhe zhvillimin e gjithanshëm të çdo njeriu. E kjo - shpjegoi Françesku - në një çast kur kompleksiteti i jetës politike italiane dhe ndërkombëtare, kërkon e ka nevojë për “besimtarë laikë e burra shteti me frymë të lartë njerëzore e kristiane, për t’i shërbyer të mirës së përbashkët”…:

“Është e rëndësishme të rizbulohet Giorgio La Pira, figurë shembullore për Kishën e për botën bashkëkohore. Ai ishte dëshmitar entuziast  i Ungjillit e profet i kohëve moderne. Sjelljet e tij frymëzoheshin gjithnjë nga optika e krishterë, ndërsa veprimtaria, shpesh herë u parapriu kohëve”.

Pedagogu, shtegtari, njeriu në kërkim të paqes

Papa vijoi të vinte në dukje edhe veprimtarinë e La Pirës si pedagog universitar e kryebashkiak, me misionin për t’i shërbyer së mirës së përbashkët. U ndalua, më pas, edhe tek shtegtimet e tij në Moskë (1959) e në Hanoi (1965). Kujtoi angazhimin e La Pirës për paqen shoqërore dhe ndërkombëtare, përmes organizimit të kuvendeve ndërkombëtare për paqen dhe qytetërimin e  krishterë dhe thirrjeve të fuqishme kundër luftës bërthamore. Për këtë, në gusht 1959, u nis për shtegtimin historik në Moskë e, më 1965 “thirri në Firence një simpozium për paqen në Vietnam, duke shkuar, më pas, personalisht në Hanoi, ku mundi të takonte Ho Chi Min e Phan Van Dong:

“Të dashur miq, ju inkurajoj ta mbani të gjallë e ta mbroni pasurinë e veprimtarisë kishtare e shoqërore të të Nderuarit Giorgio La Pira, posaçërisht dëshminë e tij    të gjithanshme të fesë, dashurisë për të varfërit e të shtypurit, të punës për paqen, të aktualizimit të mesazhit shoqëror të Kishës dhe të besnikëris së madhe ndaj besimit katolik”.

Papa përfundoi duke u drejtuar politikanëve thirrjen:

“Kujdes nga ‘strukturat e mëkatit”! Sipas Gjon Palit II, kështu quhen të gjithë faktorët, që i kundërvihen realizimit të së mirës së përbashkët dhe respektimit të dinjitetit të njeriut. Strukturat e mëkatit janë kërkimi i interesit personal, në vend të atij të përgjithshëm; klientelizmi, në vend të drejtësisë; etja e tepruar për pushtet, në vend të shërbimit ndaj së mirës së përbashkët!”.

La Pira punoi me moton: “Politika është angazhim humanizmi e shenjtërie”. Në këtë rrugë duhet të ecin të gjithë laikët, duke ndjekur gjurmët e kryebashkiakut të Firences e duke vlerësuar virtytet e tij njerëzore e të krishtera, që bëjnë pjesë në trashëgiminë ideale e shpirtërore të të Nderuarit.

Domethënia e titullit “i Nderuar”

Nuk duhet harruar se titulli “i Nderuar” është këmba e parë e shkallës së procesit të lumnimit e shenjtërimit. Sa gjë e bukur do të ishte që edhe ne, shqiptarët, të kishim së paku një kryebashkiak, të lashtë a modern, që e meriton titullin “i Nderuar” për veprimtarinë e tij si “profet i shpresës, në shërbim të të gjithëve!”.

23 nëntor 2018, 15:42