Dita botërore kundër dhunës mbi gratë Dita botërore kundër dhunës mbi gratë 

Historia e një gruaje italiane dhe e një morie grash shqiptare.

“Ju kërkoj ndjesë e lutem për Ju, duke uruar që guximi, i cili ju stolisi me bukuri të veçantë, të shndërrohet në shuplakë mbi fytyrën e indiferencës!” – shkruan Papa në një letër, drejtuar një gruaje italiane, spërkatur me acid nga bashkëshorti. Histori e ngjashme me atë të shumë grave shqiptare.

R. SH. - Vatikan

Një grua nga Salerno e Italisë që, pranverën e kaluar, u shpërkat me acid nga i shoqi, foli këto ditë për një Letër, marrë më 11 qershor nga Papa Françesku. Filomena Lamberti, ky emri i saj, e kujtoi gjatë transmetimit të së dielës së kaluar në programin e RaiUno “A Sua Immagine”, kushtuar “Ditës Botërore kundër dhunës”.  Ati i Shenjtë kishte lexuar Librin, në të cilin gruaja përshkruante jetën e saj të rrënuar!

“Ju kërkoj ndjesë e lutem për Ju, duke uruar që guximi, i cili ju stolisi me bukuri të veçantë, të shndërrohet në shuplakë mbi fytyrën e indiferencës! – shkruan Papa në letër. Duke folur drejpërdrejt në Rai 1, Filomena  kujtoi gjithë ngjarjen e hidhur. Foli për jetën e saj, për burrin që, i tërbuar nga xhelozia, nisi t’ia kontrollonte çdo lëvizje. Duke ia bërë jetën krejt të padurueshme, ndërmjet kufijve punë-shtëpi. Ku e prisnin grushtat e shkelmat e burrit.

Gruaja e tmerruar e kuptoi se kjo jetë nuk mund të durohej më, vetëm kur e pa të birin duke i dhënë një shuplakë së fejuarës. Historia e saj po  përsëritej. E kjo nuk mund të tolerohej më. Atëherë gruaja e munduar kërkoi ndarjen, pa ikur akoma nga shtëpia, duke u distancuar nga burri. Por kur zbuloi se ai kishte sjellë acid në shtëpi, vrapoi tek karabinierët, të cilët nuk i kushtuan kurrfarë vëmendjeje. E këshilluan vetëm ta analizojë lëngun, që kish zbuluar, për të vërtetuar nëse ishte acid. Me shpenzimet e saj, kuptohet!

Tragjedia arriti kulmin natën e 28 prillit, gjashtë vjet më parë, kur pikërisht lëngu i sjellë në shtëpi nga i shoqi i flakej në fytyrë, sapo kishte rënë në krevat. Ajo përfundoi në spital. I shoqi, në burg. Arriti, me shumë mundime, të  mbetej gjallë, me shenjat e pashlyera të krimit vulosur mbi fytyrë. Ndërsa i shoqi, pas një viti e pak, doli shëndosh e mirë nga burgu, pa i shkuar as në mend t’i kërkojë ndjesë.

E ndjesën gruas, të emocionuar në kulm, ia kërkoi Papa Françesku, përmes një letre, që ajo e ruan si relike. Letër që duket sikur u drejtohet të gjitha grave, duke i ftuar “të guxojnë”.

Deri kur varfëria e dhuna në Shqipëri, do ta kenë emrin grua?

E kujtuam këtë ngjarje, sepse edhe shoqëria shqiptare jeton situatën e shpërthimit të dhunës sociale në përgjithësi, e në veçanti, mbi gratë. Të përditshme lajmet që flasin për llojet e sofistikuara të dhunës së meshkujve mbi femrat: mbi bashkëshortet, të dashurat, nënat e gjyshet, e, çka në Shqipëri s’ishte dëgjuar kurrë, mbi vajzat e tyre. Një ortek i madh dhune rrokulliset mbi gratë në shoqërinë shqiptare, nësa thellohet plaga e rëndë e divorceve e nis një fenomen i panjohur deri pak vjet më parë: “Urdhrat e Mbrojtjes” së femrave, viktima të dhunës në fshat dhe qytet. Sepse dhuna jo vetëm është përhapur, por vijon të bëhet rezistente, e pakontrolluar nga shteti dhe opinioni publik, deri në  nivele pesimiste. Natyrisht që krimet kundër grave në përgjithësi, kryhen nga meshkujt: baballarët, bashkëshortët, vëllezërit, ish-bashkëshortët. Po tani kanë dalë në skenë edhe  bashkëjetuesit e partnerët, krejt të panjohur në shoqërinë tradicionale shqiptare. Policia flet për për dhjetra të vrara; mijëra, të dhunuara në një mori mënyrash, e po aq urdhëra dhënë policisë për t’i mbrojtur, si të mos kishte punë tjetër, veç të ndjekë pas gratë. Gratë që punojnë në shtëpi kanë më shumë të ngjarë të pësojnë dhunë se ato që janë të punësuara jashtë shtëpisë. E po të flasësh me gjuhën e shifrave, rezulton se 19% e grave të dhunuara në Shqipëri pësojnë lëndime të rënda, 14% e tyre nuk mund të bëjnë më punë shtëpie ose të kujdesen për fëmijët, për shkak të plagëve dhe rreth 44% e grave të përdhunuara marrin sëmundje seksualisht të transmetueshme.

E në gjithë këtë panoramë dramatike, duhet kujtuar se pothuajse askush nuk ndëshkohet për krimet e kryera mbi gratë. E arrihet deri në atë pikë, sa të vriten deri gratë gjykatëse. Ndërsa dhuna vijon të shikohet si ҫështje private e denoncimi i saj, “vënie në lojë e emrit të mirë të familjes”, si dhe “dhunim i autoritetit të burrit”.  Thua se mund të flitet për emër të mirë e autoritet...

Deri kur varfëria në Shqipëri do ta ketë emrin grua? Deri kur gratë do të emërohen nëpër poste drejtuese si të afta, e të pushohen, më pas, si të paafta? E si të mos mjaftonin burrat, të përdorën edhe nga shteti si “prona të tundshme”.

Kur më do të dilet nga skamja e skajshme, shkaktarja e vetme e dhunës dhe e vetmja rrugë për t’i vënë pritë krimit dhe rendjes përtej kufirit?  E kur do të kujtohet ndonjë nga zotërinjtë, që e sundojnë vendin t’u kërkojë ndjesë grave, që vuajnë nën një diktaturë të dyfishtë?

(Për jetën e grave në Shqipëri, u bazuam mbi një mori shkrimesh të kësaj teme, pasqyruar dendur në mediat shqipe)

27 nëntor 2018, 15:41