Kërko

 Kulla Hassan, Rabat - Marok Kulla Hassan, Rabat - Marok 

Gëzimi i kryeipeshkvit të Rabat për vizitën e Papës në Marok

Duke kujtuar vizitën e Gjon Palit II, më 19 gusht 1985, ende e gjallë në kujtesën e njerëzve, imzot López, në një letër drejtuar besimtarëve, nënvizon se vizita e Françeskut më 30 e 31 mars 2019, do t’i sjellë popullit maroken dhe Kishës shumë shpresë, dashuri e bekim!

R. SH. - Vatikan

“Misioni i Papës, si pasardhës i Shën Pjetrit Apostull, është të përforcojë në fe. E ky, edhe qëllimi kryesor i vizitës  së tij” - këtë thekson kryeipeshkvi i Rabat, imzot Cristóbal López në një “Letër drejtuar popullit të Zotit”, përhapur dje, pas njoftimit të vizitës së Papës Françesku, dhënë nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke. Prelati shpjegon se Papa do të vizitojë popullin maroken dhe bashkësinë kishtare, duke përfshirë edhe vëllezërit, që janë për kalim në Marok e që emigronjë në drejtim  të Evropës, me shumë mundime e në situata tejet të vështira.

Një vizitë në frymën e dialogut ndërfetar kristiano-islamik

Kryeipeshkvi i Rabat shton edhe se Papa shkon në Marok me shpirtin e dialogut ndërfetar kristiano-islamik, të cilin dëshiron ta promovojë edhe Mbreti Mohamed VI. “Dëshiron të na njohë, të jetojë për ca çaste jetën tonë, të na inkurajojë, të lutet me ne e për ne e të na bekojë” - shkruan prelati për Papën. “Për ne, që duam ta jetojmë e ta thellojmë bashkimin ndërmjet nesh e popullit maroken - shton - vizita e Papës do të jetë rast i shkëlqyer për ta dëshmuar e për ta jetuar bashkimin tonë me Ipeshkvin e Romës e, përmes tij, me Kishën universale”.

Përgatitja më e mirë për vizitën: ta jetosh fenë e krishterë më me zell, më me vërtetësi e dashuri

Imzot López i nxit besimtarët ta falënderojnë Zotin për shtegtimin e Papës dhe të luten që takimi i Atit të Shenjtë me popullin maroken të sjellë fryte sa më të begata. “Të organizohemi për t’u përgatitur sa më mirë – përfundon prelati - e mënyra më e mirë do të jetë ta jetojmë  fenë tonë të krishterë më me zell, më me vërtetësi, më me dashuri”.

Papa viziton një Kishë “periferie”, që ka vetëm 30 mijë besimtarë

Në një intervistë me kolegun e programit tonë spanjoll, Renato Martinez, në Vatican News, kryeipeshkvi i Rabat nënvizon se Papa do të shkojë në Marok, tokë e Islamit, për të nxitur dialogun kristiano-islamik, për të përforcuar të krishterët katolikë në fe e për të nxitur ekumenizmin:

“Dje morëm njoftimin për vizitën, të cilën e prisnim. Mund të them se jemi plot gëzim e hare: vëllai i madh vjen të vizitojë të gjithë vëllezërit e tij. Jemi Kishë pa rëndësi, sepse e vogël, pa pushtet. Por jemi, apo së paku duam të jemi, edhe Kishë me domethënie, sepse domethënës është mesazhi ynë, simbol i mbretërisë së Zotit. Dua të nënvizoj edhe simbolin e vizitës së Papës në një vend si Maroku, sepse Papa na nis çdo ditë në periferitë; na kërkon të shkelim në periferitë e na predikon për këtë me shembullin e  vet. Ai bën, atë që thotë. Kur Papa zgjedh Marokun, në vend që të zgjedhë Argjentinën e tij, ose Spanjën, ku ka aq shumë katolikë, e vjen mes nesh, në gjirin e një Kishe me 30 mijë katolikë, shkon në periferi. Kështu zgjedh vende të parëndësishme në sytë e botës, por jo në sytë e Papës. Zgjedh Marokun, tokën e Islamit, për të nxitur dialogun kristiano-islamik, për të na përforcuar në fe, ne, të krishterët katolikë, për të favorizuar ekumenizmin, të cilin e jetojmë prej kohe. Si të mos jemi të kënaqur atëhere, me këtë shembull që na jep Papa, duke ardhur mes nesh, në periferi?”.

14 nëntor 2018, 14:40