Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Françesku në Engjëllin e Tënzot: të pandashme, dashuria për Zotin e për të afërmin

Dashuria për Zotin e dashuria për të afërmin, dy faqe të të njëjtit urdhërim, dhënë nga Jezusi. Ta duash Zotin, pohon Papa, do të thotë të jetosh për atë, që Ai është e për atë, që Ai bën. E Zoti është dhurim, ndjesë, marrëdhënie.

R. SH. - Vatikan

“Dy përmasat e dashurisë, për Zotin e për të afërmin, në unitetin e tyre, e karakterizojnë me dy fjalë, dishepullin e Krishtit”.  Mendimi i Papës Françesku në Engjëllin e Tënzot  të kësaj së diele, u përqendrua i tëri mbi fragmentin e Ungjillit, propozuar nga liturgjia e sotme.

Në krye të të gjitha urdhërimeve

Tregon Ungjilli episodin e skribës, që e pyet Jezusin cili është urdhërimi i parë, në krye të të gjitha urdhërimeve të tjera. Përgjigjja është shpallja e fesë, që e thotë çdo izraelit e që është në qendër të besojmës së tij. Nis me fjalët: “Dëgjo, o Izrael! Zoti, Hyji ynë, është i vetmi Zot!’. E Papa komentoi:

“Ekziston një Zot i vetëm e ky Zot është ‘yni’, në kuptimin se është i lidhur me ne me një lidhje të pazgjidhshme. Na deshi, na do e do të na dojë përgjithmonë”.  Nga kjo gurrë na vjen një urdhërim i dyfishtë: “Do ta duash Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde. E do ta duash të afërmin si vetveten!”.

Mësimi i Jezusit

Jezusi na mëson se “dashuria për Zotin e dashuria për të afërmin nuk mund të ndahen - janë - kujtoi Françesku - dy faqe të së njëjtës medalje. E shpjegoi, më pas, se ta duash Zotin, do të thotë “të jetosh për atë që Ai është e për atë që Ai bën”. E Ai është dhurim, falje, marrëdhënie!

Ta duash Zotin, do të thotë t’i vësh ditë për ditë të gjitha energjitë tua në shërbim të Tij, ta ndihmosh pa kursim të afërmin, të falësh pa kufi e të krijosh marrëdhënie bashkimi e vëllazërie pa asnjë cak.

Po, kush është i afërmi ynë?

I afërmi - vijoi Papa - është njeriu, që e takoj në rrugën time e që nuk mund ta përzgjedh. Sepse kjo nuk do të ishte e krishterë. Nuk mund të mendoj se i afërmi im, është ai që e zgjodha vetë: kjo është sjellje pagane.

Nëse mësohemi t’ia ngulim gjithnjë sytë Jezusit, do të mësohemi edhe ta dëgjojmë gjithnjë zërin e të afërmit e të vrapojmë drejt atij, që ka nevojë. Nevojat e të afërmit, natyrisht, kërkojnë përgjigjen e duhur, por para së gjithash, ndarjen  e përbashkët të së mirës e të së vështirës…

Nuk mjafton t’i japësh të hajë  të uriturit

E Françesku solli shembullin e një të urituri, që ka nevojë për ushqim, por edhe për një buzëqeshje, e edhe për ta zbrazur zemrën, në një zemër mike. Ungjilli na fton t’u përgjigjemi nevojave konkrete të të varfërve, por edhe t’u dëshmojmë afërsinë tonë vëllazërore.

Këtë duhet ta kenë mirë parasysh bashkësitë tona të krishtera: duhet ta shmangin rrezikun e shndërrimit në bashkësi, që kanë shumë nisma, por pak marrëdhënie;  bashkësi që bëhen “stacione shërbimi”, por me pak shoqëri, në kuptimin e plotë e të krishterë të kësaj fjale.

E pandashme, dashuria për Zotin e për të afërmin!

Do të ishte iluzion të mendohej se mund të duhet i afërmi, pa dashur Zotin e anasjelltas - kujtoi Françesku - për ta përfunduar lutjen e Engjëllit të Tënzot me fjalët: “Virgjëra Mari na ndihmoftë ta pranojmë e ta dëshmojmë në jetën e përditshme këtë mësim të ndritur”.

 

04 nëntor 2018, 14:12