Cerca

Vatican News
Papa takon bashkësinë e Kolegjit Pio Latinoamerikan Papa takon bashkësinë e Kolegjit Pio Latinoamerikan  (Vatican Media)

Françesku: gjithnjë e më tepër barinj njerëzish e jo klerikë shteti

Papa Françesku pret anëtarët e Kolegjit Pio Latinoamerikan të Romës, me rastin e 160-vjetorit të themelimit. Edhe Kisha ka rrezik të fragmentohet, shpjegon Ati i Shenjtë, nëse harron të jetë tokë takimi.

R.SH. - Vatikan

“Breza të rinj të çrrënjosur, bërë copë e grimë! Kisha nuk është e huaj për këtë gjendje dhe i ekspozohet këtij tundimi; subjekt i të njëjtit ambient, rrezikon të çorientohet, duke mbetur pre e njërit apo tjetrit polarizim, ose të çrrënjoset, nëse harron thirrjen e saj për të qenë tokë takimi. Edhe në Kishë dynden kolonizimet ideologjike”.

         Me këtë thirrje për të mos i hapur dyert fenomenit të “copëzimit kulturor”, që sjell “humbjen e rrënjëve”, Papa Françesku shprehu shqetësimin e tij për një nga problemet më të mëdha të kontinentit amerikan. Rasti iu dha nga audienca me anëtarët e Kolegjit Pio Latinoamerikan, të cilët i priti sot në Vatikan, për 160-vjetorin e themelimit. E Ati i Shenjtë u tregoi edhe rrugëdaljen seminaristëve, që kalojnë një periudhë studimi në Romë, për të shkuar më pas në famullitë e dioqezat e tyre, ku ndeshen me këto probleme.

Jini pjesë aktive e bashkësisë meshtarake

         “Kontinenti ynë – theksoi Papa argjentinas – shënuar nga plagë të vjetra e të reja, ka nevojë për zejtarë të marrëdhënieve e të bashkimit, të hapur e plot besim në risitë, që mund të sjellë sot Mbretëria e Zotit. E mund të fillojë të zhvillohet sot e tutje. Një meshtar në famulli, në dioqezën e vet, mund të bëjë shumë – e kjo është mirë – por rrezikon edhe të digjet, të izolohet, ose të mbyllet në vetvete”.

         Prandaj, Papa i këshilloi meshtarët të ndihen pjesë e bashkësisë, në të cilën të gjithë janë të rëndësishëm e, të ndjekin traditën e kontinentit amerikan, i cili gjithnjë ka pasur në qendër të kulturës së vet dashurinë e Krishtit për njerëzit. E Krishti, u tha Papa të pranishmëve, nuk mund të duket tjetër, veçse në “pasionin për jetën dhe për fatin e popujve tanë e në solidaritetin e veçantë për të varfërit, të vuajturit e nevojtarët”.

Shembulli i shën Oscar Romeros

Ati i Shenjtë dha shembullin e shën Oscar Romeros, të sapongritur në nderimet e altarit, ish-student i Kolegjit Pio Latinoamerikan e shenjë e gjallë e shenjtërisë së Kishës në kontinent.

         “Njeri i rrënjosur në Fjalën e Zotit e në zemrën e popullit të vet – theksoi Papa Françesku. – Ky realitet na lejon të hyjmë në kontakt me atë zinxhir të gjatë dëshmish, ku ftohemi të zëmë rrënjë e nga ku të frymëzohemi çdo ditë, sidomos në këtë periudhë, gjatë së cilës jemi ‘larg shtëpisë’. Mos kini frikë nga shenjtëria e kalojeni jetën në mesin e njerëzve tuaj”.

15 nëntor 2018, 14:27