Të drejtat e njeriut të dhunuara Të drejtat e njeriut të dhunuara 

Françesku e Benedikti XVI: shtimi pa kriter i të drejtave vë në rrezik dinjitetin

Papa Françesku dhe Benedikti XVI, në dy mesazhe të ndryshme, vënë në dukje se shtimi pa kriter i të drejtave të njeriut mund ta vërë në rrezik dinjitetin e tij. Mesazhet i drejtohen Simpoziumit Ndërkombëtar “Të drejtat themelore dhe konfliktet ndërmjet të drejtave”, organizuar nga Fondacioni vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, në bashkëpunim me Universitetin katolik italian “Lumsa”.

R.SH. - Vatikan

Deklarata universale e të drejtave të njeriut, së cilës sivjet i kremtohet 70-vjetori, kërkon “një reflektim të thellë mbi zbatimin e saj dhe mbi zhvillimin e këndvështrimit mbi të drejtat e njeriut në botën e sotme”. Kështu pohon Papa Françesku në një mesazh për Simpoziumin Ndërkombëtar “Të drejtat themelore dhe konfliktet ndërmjet të drejtave”, organizuar nga Fondacioni vatikanas “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, në bashkëpunim me Universitetin katolik italian “Lumsa”.

Interpretimi i disa të drejtave ka krijuar probleme

         Deklarata, kujton Ati i Shenjtë, “synon të shembë muret, që e ndajnë familjen njerëzore, dhe të favorizojë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor”. Gjithsesi, “duhet të vëmë në dukje se gjatë viteve, interpretimi i disa të drejtave ka ndryshuar progresivisht, duke përfshirë një numër të madh ‘të drejtash të reja’, jo rrallë, në kundërvënie me njëra-tjetrën. Hapen kështu një sërë problemesh, që lëkundin thellë vetë idenë e së drejtës e të bazave të saj”.

Papa Françesku për Benediktin XVI

         Papa u uron pjesëmarrësve të Simpoziumit që “duke u frymëzuar nga mendimi dhe magjisteri i shumë të dashurit Papë të nderit, të kontribuojnë me guxim e shqyrtim të thellë, në shndritjen e problematikës thelbësore për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut dhe të zhvillimit të tij të gjithanshëm”. Ati i Shenjtë nënvizon se Benedikti XVI ka folur me “qartësi” për këto probleme, “si mendimtar e si bari” i Kishës, e më pas, kujton edhe diplomën “honoris causa” marrë nga Joseph Ratzinger në jurisprudencë.

Benedikti XVI: shumëfishimi i të drejtave vë në rrezik idenë e së drejtës

Vetë Papa i nderit i shkruan Fondacionit, duke iu drejtuar kreut të tij, atë Federico Lombardit. Ҫështja e të drejtave të njeriut, nënvizon Ratzinger, “është çështje aktuale dhe themelore për mbrojtjen e bazave të bashkëjetesës së familjes njerëzore, e cila meriton të jetë, edhe një herë, temë e një reflektimi të thellë e sistematik, siç dëshmon se dëshiron të bëjë programi i Simpoziumit”. Edhe Papa i nderit, ashtu si Françesku, vë në qendër të vëmendjes problematikën e “shumëfishimit të të drejtave” dhe rrezikut që ky proces të bie ndesh me vetë “idenë e së drejtës”.

15 nëntor 2018, 11:50