Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa Françesku  takohet me pjesëmarrësit e Komitetit për Kongreset Eukaristike Papa Françesku takohet me pjesëmarrësit e Komitetit për Kongreset Eukaristike  (ANSA)

Drejt Budapestit 2020. Papa: të përhapet “kultura eukaristike”

Papa priti pjesëmarrësit në plenaren e Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare, me sytë drejtuar nga Kongresi i Budapestit, që do të mbahet më 13 deri më 20 shtator 2020. Gjatë takimit, nënvizoi se shëlbimi, me burim nga Eukaristia, duhet shndërruar në kulturë, që i frymëzon njerëzit në fushat e bamirësisë, të solidaritetit, paqes, familjes dhe kujdesit për krijimin

R. SH. - Vatikan

“Të kremtosh, më 2020, Kongresin Eukaristik në një qytet modern, me larmi kulturash, si Budapesti, ku Ungjilli e feja janë bërë të dorës së dytë, do të thotë të përhapësh “kulturën eukaristike”, mënyrën e mendimit e të veprimit,  themeluar mbi Sakramentin, por të përceptueshme edhe përtej përkatësisë kishtare”. Papa Françesku ua shpjegoi këtë pjesëmarrësve në asamblenë plenare të Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare, të cilët i priti në audiencë, në përfundim të punimeve.

Evropa pret ungjillëzimin e ri

Pasi përshëndeti kryetarin e komitetit, kryeipeshkvin Piero Marini dhe delegacionin e komitetit hungarez, krysuar nga kryeipeshkvi i Budapestit, Peter Erdö, që po organizon kongresin, parashikuar për datat 13 deri më 20 shtator 2020, Papa kujtoi se bashkësitë e krishtera të Evropës së sotme “presin një ungjillëzim të ri, të aftë për t’u ballafaquar me modernizmin e shekullarizuar e globalizmin, që rrezikon të zhdukë veçoritë e një historie të pasur e të larmishme”.

Të përhapet mënyra e të menduarit, themeluar mbi Eukaristinë

Por - pyeti më pas - ç’do të thotë të kremtosh Kongresin Eukaristik në qytetin modern, plot me larmi kulturash, në të cilin Ungjilli dhe format e përkatësisë fetare kanë kaluar në plan të dytë?

“Do të thotë të bashkëpunosh me hirin e Hyjit për të përhapur, përmes lutjes dhe veprimit, ‘kulturën eukaristike’, domethënë, mënyrën e të menduarit e të të vepruarit, themeluar mbi Sakramentin, por të përceptueshëm edhe përtej përkatësive kishtare”.

Në  gjestin e Bukës së thyer, bëhemi korp i Zotit

Në një Evropë të sëmurë nga indiferenca, plot me përçarje e porta të mbyllura - nënvizoi Papa Françesku - të krishterët duhet të përtërijnë, para së gjithash, nga e diela - në të dielë, gjestin e fortë të fesë së tyre: “të mblidhen, në emër të Zotit, si vëllezër”. E kështu të përsëritet mrekullia: “Në dëgjimin e Fjalës e në gjestin e bukës së thyer, edhe më e vogla e më e përvuajtura asamble besimtarësh bëhet korpi i Zotit, tabernakulli i Tij në botë”. Eukaristia mund të bëjë  të lindin sjellje,  që realizojnë kulturën eukaristike, si bashkim, shërbim, mëshirë.

Papa vijoi të kërkojë që besimtarët të kungohen me Krishtin e pranishëm në sakrament e të vihet Eukarisia në shërbim të të papunëve, të të sëmurëve e të emigrantëve. Kërkoi, sidomos, mëshirë për të gjithë, sepse Eukaristia e vë përsëri në plan të parë fjalën “mëshirë”, pothuajse të zhdukur nga fjalori i kulturës aktuale:

“Mëshira kështu hyn në venat e botës e kontribuon për të ndërtuar figurën dhe strukturën e Popullit të Zotit,  të përshtatshme për kohët moderne”.

Nga Lille 1881- në Budapest 2020, 139 vjet Kongrese

Kongresi i ardhshëm Eukaristik Ndërkombëtar, i 52-ti në gati 140 vjet, që nga Lille 1881, “është i thirrur - përfundoi Françesku - ta tregojë këtë udhë risie e kthese, duke kujtuar se në qendër të jetës kishtare është Eukaristia. Ajo është misteri i Pashkëve, e aftë për të ndikuar pozitivisht jo vetëm mbi të pagëzuarit, por edhe mbi qytetin tokësor, ku jetohet e punohet”.

Papa uroi që ngjarja eukaristike e Budapestit të favorizojë në bashkësitë e krishtera procese risimi, që shëlbimi, burim i të cilit është Eukaristia, të shndërrohet edhe në kulturë eukaristike, të aftë për t’i frymëzuar burrat e gratë vullnetmira në fushat e bamirësisë, të solidaritetit, të paqes, të familjes e të kujdesit për krijimin.

10 nëntor 2018, 17:25