Papa dhe Mar Gewargis III nënshkruajnë Deklaratën e Përbashkët Papa dhe Mar Gewargis III nënshkruajnë Deklaratën e Përbashkët 

Deklarata e përbashkët e Papës dhe e Mar Gewargis III: fund dhunës në Irak e Siri

Papa Françesku dhe Patriarku Mar Gewargis III nënshkruan sot një Deklaratë të përbashkët, e cila shpreh impenjimin për mbështetjen e të krishterëve të Lindjes së Mesme dhe pë vijimin e udhës së bashkimit të gjithë të krishterëve.

Gjatë takimit të sotëm në Vatikan, Papa Françesku dhe Patriarku i Kishës Asire të Lindjes, Mar Gewargis III, nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, në të cilën nënvizohet mirënjohja ndaj “Zotit të Gjithpushtetshëm për afrimin, në fe e dashuri, të Kishës Asire të Lindjes me Kishën Katolike të Romës”. Vihet në dukje se gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, këto Kisha janë afruar shumë më tepër nga ç’kanë bërë gjatë shekujve. Në pritje të ditës, kur do të jetë e mundur të kremtohet mesha nga i njëjti altar, në Deklaratë ripohohet synimi “për të ecur përpara në njohjen reciproke dhe në dëshminë e përbashkët të Ungjillit”. Në këtë udhë, theksohet në tekst, “provojmë vuajtjen e përbashkët, që rrjedh nga gjendja dramatike e vëllezërve e të motrave tona të krishtera në Lindjen e Mesme, sidomos në Irak e Siri”. “Qindra mijëra burra, gra e fëmijë të pafajshëm vuajnë jashtëzakonisht nga konfliktet e dhunshme, që s’mund t’i justifikojë asgjë”, kujtohet në Deklaratë, duke folur për luftrat e persekutimet, që e kanë shtuar eksodin e të krishterëve nga tokat ku kanë jetuar pranë e pranë me bashkësitë e tjera fetare, që nga kohët e apostujve.

Pa të krishterë, nuk do të kishte Lindje të Mesme

         Për të gjithë ata, pa dallim, sigurohet lutja e përbashkët dhe impenjimi bamirës, duke parë në vuajtjen e nganjëherë, në martirizimin e tyre, “farën e bashkimit të të krishterëve”. “Nuk është e mundur të përfytyrohet Lindja e Mesme pa të krishterët”, theksohet me forcë në Deklaratë, “sepse të krishterët, së bashku me besimtarët e tjerë, kontribuojnë në krijimin e identitetit specifik të rajonit: një vend tolerance, respekti të ndërsjelltë dhe pranimi”. Pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme, prandaj Papa dhe Katolikosi i Asirëve e ftojnë edhe një herë bashkësinë ndërkombëtare “të vërë në jetë një zgjidhje politike, që njeh të drejtat dhe detyrat e të gjitha palëve në lojë”. Deklarata e përbashkët përfundon me sigurinë se “sa më e vështirë të jetë situata, aq më i nevojshëm është dialogu ndërfetar, bazuar mbi hapjen, të vërtetën e dashurinë”.

09 nëntor 2018, 13:20