Kërko

Video e Papës: në tetor, të themi Rruzaren për Kishën

Fushatë lutjeje drejtuar shën Marisë e shën Mëhillit Kryeengjëll që ta mbrojnë Kishën nga djalli, i cili synon përçarjen e bashkësisë së krishterë. Ky është ndjeti i Papës për muajin tetor, thënë edhe përmes një videoje.

R.SH. - Vatikan

Të lutemi, duke thënë “Rruzaren çdo ditë të muajit tetor e duke e përfunduar me antifonën ‘Nën  Mbrojtjen tënde’ e me lutjen e ‘Shën Mëhillit kryeengjëll’ për t’u bërë ballë sulmeve të djallit, i cili dëshiron ta përçajë Kishën”.

         Kjo është ftesa e Atit të Shenjtë në videomesazhin e përhapur përmes Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës, i cili, çdo muaj, e paraqet kështu ndjetin e lutjes së Françeskut. Për muajin tetor – muaj i Rruzares – ky ndjet i kushtohet Kishës dhe mbrojtjes së saj.

         Djalli, thotë Papa në fillim të videomesazhit, “paraqitet me pushtet të madh, të sjell dhurata, por ti nuk e di çfarë ka brenda në to”. Fjalët e videos janë shqiptuar nga Papa të dielën, më 7 tetor, pas Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar festën e Zojës Rruzare dhe Lutjen tradicionale në shenjtëroren e Pompeit, kryesuar atë ditë në qytetin italian, nga nunci apostolik në Siri, kardinali Mario Zenari.

         Papa u kërkon besimtarëve të gjithë kontinenteve të luten për mbrojtjen e Kishës në këto kohë të vështira, me një “fushatë të vërtetë lutjeje”, siç u njoftua edhe me një komunikatë të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, më 29 shtator. Si komunikata, ashtu edhe videoja, iu besuan jezuitit, atë Frédéric Fornos, që ta përhapë me anë të Rrjetit Botëror të Lutjes për Papën.

         Ju kujtojmë edhe një herë dy lutjet, me të cilat duhet të përfundojë Rruzarja. E para i drejtohet shën Marisë e quhet “Sub tuum presidium”. Është lutje e shekullit të tretë e të katërt, me të cilën kërkojmë mbrojtjen e Zojës:

         “Nën proje tande po ngasim, o Nana shenjte e Tenzot: mos i përbuz të lutunat, qi t'i bajm nder nevojë t'ona; por na pshto kurdoherë prej rreziqesh, o Virgjin e lume e e bekueme”.

(Sub tuum praesídium confúgimus, sancta Dei Génetrix; nostras deprecatiónes ne despícias in necessitátibus, sed a perículis cunctis líbera nos semper, Virgo gloriósa et benedícta.)

         Lutja e dytë është ajo tradicionale, drejtuar shën Mikelit. Është shkruar nga Leoni XIII e na ndihmon t’i kërkojmë kryeengjëllit mbrojtjen e Kishës:

         “Shën Mëhill kryeengjëll, na mbro në betejë; qofsh mbështetja jonë kundër poshtërsive dhe kurtheve të djallit! Ndërmjetëso që Zoti të ushtrojë pushtetin e vet mbi të, po të përgjërohemi. E ti, o Princi i ushtrisë qiellore, me pushtetin hyjnor, dëboje në ferr djallin dhe shpirtrat e tjerë të këqinj, të cilët sillen nëpër botë për humbjen e shpirtrave. Amen”.

10 tetor 2018, 12:17