Kërko

Sonte në TV2000, Papa Françesku dhe lutja “Të falemi Mari”

Misteri i Marisë, amësia, lutja më e njohur në botë. Këto, temat e prekura nga Papa në “Ave Maria”, program i ri i Tv2000, realizuar në bashkëpunim me Dikasterin për Komunikimin e Selisë së Shenjtë, që do të transmetohet sonte. Programin e drejtom don Marco Pozza, kapelan i burgut të Padovës.

R. SH. - Vatikan

 “Maria, një vashë e kohëve tona, të cilën të gjithë mund ta imitojnë”. Këtë pohon Papa Françesku në pjesën e parë të “Ave Maria”, program i Tv2000, në bashkëpunim me Dikasterin për Komunikimin e Selisë së Shenjtë, drejtuar nga don Marco Pozza, teolog dhe kapelan i burgut të Padovës, që do të transmetohet sonte, në orën 21.05. Titulli i emisionit të parë është “Të falemi Mari, hirplote”, me Papën Françesku dhe dy nëna, që e marrin për dore spektatorin: Ivette Capozzo Poza, nëna e don Markut dhe aktorja Sonia Bergamasco.

Ftesa e Papës

“Për ta kuptuar Marinë - shpjegon Papa gjatë bisedës -  duhet të kthehemi pas në kohë e të bëhemi përsëri fëmijë, me mrekullimin e fëmijëve, e ta themi “FalemiMërinë” si fëmijët, me zemër fëmije, me mahnitjen që ne, në këtë kulturë, e kemi humbur mjaft. Nuk është kategori e rëndomtë, mrekullimi, duhet ta rigjejmë në jetën e Kishës. Nuk mund të them se ishte vajzë qyteti, sepse ishte nga fshati. Vajzë e zakonshme, e edukuar normalisht, që priste të martohej, të krijonte  familje!

Mysafirët

Gjithçka nisi në Nazareth, dy mijë vjet më parë. Zoti vendosi ta rikrijonte historinë, i shoqëruar nga një grua: Maria. E pikërisht këtu nis edhe udha e  propozuar nga Programi Tv2000 “Ave Maria”, me 11 pjesë (dhjetë të parat do të transmetohen  të marteve, e fundmja, të diel, më 23 dhjetor), gjatë të cilit Marco Pozza bisedon me Papën për lutjen më të njohur në botë dhe takon personalitete të njohura të kulturës dhe të spektaklit. Nga takimi me Papën u realizua  edhe libri “Ave Maria” i Françeskut, botuar nga Rizzoli dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit.

16 tetor 2018, 17:33