Pasojat e tërmetit në Indonezi Pasojat e tërmetit në Indonezi 

Solidariteti i Papës me popullsitë indoneziane, pas tërmetit

Përmes Dikasterit për Shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, Papa Françesku dërgoi në këtë fazë të parë të emergjencës, një kontribut simbolik prej 100 mijë dollarësh, në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti e cunami në Indonezi.

R.SH. - Vatikan

Edhe një shprehje tjetër e afërsisë së Papës Françesku me popullsitë e Indonezisë, goditur në ditët e fundit nga tërmetet e forta dhe nga cunami pasues, veçanërisht në ishullin Sulaëesi. Pas thirrjes në Engjëllin e Tënzot, të dielën, Papa, nëpërmjet Departamentit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, dërgoi, në këtë fazë të parë të emergjencës, një kontribut simbolik prej 100.000 dollarësh, për të ndihmuar të dëmtuarit nga fatkeqësia natyrore.

Mobilizimi i gjithë Kishës

Kjo shumë – informon një notë e Dikasterit të Vatikanit - është “shprehje e menjëhershme e afërsisë shpirtërore dhe e inkurajimit atëror” të Atit të Shenjtë për të dëmtuarit në Indonezi. Ajo do të shpërndahet, në bashkëpunim me Nunciaturën Apostolike, ndërmjet zonave më të prekura nga tërmeti. Ndihma e Papës shoqërohet me angazhimin e Konferencave Ipeshkvnore, të organizatave të shumta bamirëse, përfshirë Karitaset e mbarë botës, mobilizuar që në çastet e para të emergjencës, të premten e kaluar.

Bilanci

Pikërisht gjatë këtyre orëve, agjencia për fatkeqësitë natyrore në Indonezi azhurnoi numrin e të vdekurve në 1.424, duke sqaruar se, fatkeqësisht, njerëz të tjerë janë mbuluar nga balta dhe rrënojat, prandaj nuk janë gjetur ende. Të plagosurit janë më se 2.500 vetë, ndërsa të shpërngulurit e kalojnë 70 mijëshin. Njëkohësisht ka filluar të nxjerrë llavën e vet edhe vullkani i malit Soputan në Sulaëesi, duke kërcënuar popullsinë e rraskapitur nga tërmeti dhe cunami.

Dëshmia nga Manado

Ndër vendet më të prekura është Palu, në dioqezën e Manados. Drejtori i Komisionit të Dioqezës për Komunikimet Shoqërore është atë Stiven Lalu, i cili tregon për Vatican Neës se numri i viktimave në qytet e kalon 1.200-ëshin: shumë prej tyre "nuk janë gjetur". "Tërmeti ishte i tmerrshëm, shumë njerëz tani - shpjegon ai - nuk kanë vend për të fjetur dhe deri më sot, banorët e Palut kanë fjetur jashtë, sepse rreziku i tërmetit nuk ka kaluar". Në fakt, toka vazhdon të lëkundet, e, "për këtë arsye njerëzit janë shumë të frikësuar: kanë frikë të flenë, të punojnë ose të bëjnë diçka brenda shtëpisë".

Solidariteti i famullive lokale

Dioqeza e Manado-s, shton ai, "ka mbledhur fonde që t’u çojë njerëzve ushqim". "Deri tani situata nuk është normalizuar akoma: tregu - vazhdon atë Lalu - është i mbyllur e njerëzit kanë nevojë për ushqim. Familjet e dioqezës janë bashkuar për të dërguar para dhe ushqim në Palu. Edhe qeveria po punon shumë dhe aktivisht për të ndihmuar të dëmtuarit e për t’u çuar njerëzve ushqime. Kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse në Palu nuk ka ushqime dhe njerëzit duhet të mbijetojnë. Gjendet me vështirësi edhe uji i pijshëm".

Papa, i dashur nga të krishterët dhe myslimanët

Para afërsisë së treguar nga Papa, drejtori i Komisionit për Komunikimin Shoqëror të dioqezës së Manados siguron se "zëri i Atit të shenjtë ndihmon shumë". "Këtu në Indonezi - dëshmon ai - ka shumë myslimanë, por edhe të krishterë katolikë. Dhe kështu, zëri i Papës na ndihmon jo vetëm ne, por gjithë vendin. Ka edhe shumë myslimanë që e duan Papën, e duan zërin e tij. Kur Françesku foli në Engjëllin e Tënzot, shumë media në Indonezi i cituan fjalët e tij dhe shkruan për thirrjen e tij. Kjo është një ndihmë e madhe, jo vetëm për të krishterët, por për të gjithë indonezianët", sepse ndihma e Kishës është pa dallim feje. Angazhimi, përfundon ai, është "për të gjithë, sepse ne të gjithë jemi njerëz".

04 tetor 2018, 15:06