Kërko

Papa takon e përshëndet dy ipeshkvijtë kinezë në Sinod

Janë ndër imazhet më emblematike, që shoqërojnë hapjen e Sinodit. I referohen takimit të Papës Françesku me dy ipeshkvijtë kinezë, që marrin pjesë në Asamblenë sinodale.

R.SH. - Vatikan

Është takim vëllazëror, me tone familjare, ai i Papës Françesku në hollin e Sallës Pali VI, me dy ipeshkvijtë kinezë, që marrin pjesë në Sinod, imzot Jozef Guo Jincai dhe imzot Gjon Baptist Yang Xiaoting. Pas marrëvëshjes së fundit të Selisë së Shenjtë me Pekinin për emërimet ipeshkvnore, prelatët u autorizuan nga qeveria kineze të marrin pjesë në Asamblenë e Ipeshkvijve me temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”. Gjatë meshës së djeshme, me rastin e hapjes së Sinodit, Papa Françesku e kujtoi praninë e dy ipeshkvijve nga Kina kontinentale. Duke i përshëndetur përsonalisht, Ati i Shenjtë u mallëngjye: “T’u japim atyre – tha mirëseardhjen tonë të përzemërt: bashkimi i krejt episkopatit me pasardhësin e Shën Pjetrit është akoma më i dukshëm falë pranisë së tyre”.

E ardhmja, e begatuar me gëzimin e Ungjillit

         Bashkimi kishtar dhe të rinjtë, janë argumentet kryesore të këtyre ditëve shqyrtimi e reflektimi. Gjithnjë dje pasdite, gjatë përshëndetjes për fillimin e Sinodit, Papa pohoi se Asambleja sinodale është rast “që të rilindë shpresa” e të frymëzojë gjithë të rinjtë, “pa asnjë përjashtim”: “Të impenjohemi – pohoi Françesku – në përpjekjen për ta jetuar të ardhmen e për të nxjerrë nga ky Sinod jo vetëm një dokument – që, përgjithësisht, lexohet nga pak vetë e kritikohet nga shumë – por sidomos propozime baritore konkrete, në gjendje të realizojnë vetë detyrën e Sinodit, pra, të bëjnë të lindin ëndërra, të zgjohen profeci e vizione, të lulëzojë shpresa, të nxitet besimi, të fashohen plagët, të krijohen marrëdhënie, të ringjallet agimi i shpresës, të mësohet nga njëri-tjetri e të krijohet një përfytyrim pozitiv, që shndrit mendjet, ngroh zemrat, u rijep forcë duarve dhe frymëzon tek të rinjtë – tek gjithë të rinjtë, pa përjashtim – vizionin e së ardhmes së begatuar me gëzimin e Ungjillit”. E ardhme e shndritur nga drita e Ungjillit, që të largojë retë nga e gjithë bota.

04 tetor 2018, 14:29