Kërko

 Papa takohet me të rinjtë Papa takohet me të rinjtë 

Sinodi i Ipeshkvijve. Françesku do të takohet me të rinjtë e pleqtë, së bashku

Një projekt, një libër e një ngjarje e madhe me Papën, me rastin e Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve

R. SH. - Vatikan

“Urtia e Kohës” është projekt global për lidhjen e një bese të re ndërmjet breznive, është rrëfim koral, libër, që përmbledh histori jete, të komentuara nga Papa Françesku. Është ngjarje e madhe me Atin e Shenjtë, në dialog me të rinjtë e pleqtë, që do të mbahet në Romë, në Augustininum, më 23 tetorin e ardhshëm, me rastin e Sinodit të Ipeshkvijve. “Për të ecur  drejt së ardhmes, duhet të kesh të kaluar, duhen rrënjë të thella, duhet kujtesa, duhet guximi, duhet edhe utopia. Ja çfarë do të dëshiroja - pohon Papa - botën, që jeton përqafimin e përtërirë ndërmjet të rinjve e të motuarve.

Të rinjtë e pleqtë e mbarë botës, në dialog me Papën

Do të marrin pjesë në takimin me Papën, së bashku me të rinj e pleq, ardhur nga mbarë bota, kryeipeshkvi i Panamasë, imzot José Domingo Ulloa Mendieta, kryetar i Komitetit Organizator të Ditës Botërore të Rinisë 2019 dhe atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik”. Ngjarja e madhe - shpjegon një notë e organizatorëve - “kremton  një projekt lindur nga frymëzimi i Papës, i cili prej kohe i kushton vëmendje të veçantë marrëdhënieve ndërmjet breznive, që të mund ta vijojnë së bashku udhën e jetës”. Realizuar duke mbledhur 250 intervista, në mëse 30 vende, falë ndihmës së organizatës pa qëllim fitimi Unbound, projekti u relizua me angazhimin e një grupi shtëpish botuese, koordinuar nga ajo amerikane, Loyola Press.

Libri do të dalë në Itali e SHBA, pastaj edhe në gjuhë të tjera

Libri, që del njëherësh në SHBA e Itali, në prag të botimit edhe në shumë gjuhë të tjera, mjet kryesor i kësaj nisme, është përzgjedhje historish, që Papa i komenton, në dialog me atë Spadaron, i cili u kujdes për edicionin italian, botuar nga Marsilio Editori.

09 tetor 2018, 14:38