Kërko

2018.10.03 Apertura lavori Sinodo 2018.10.03 Apertura lavori Sinodo 

Papa Françesku në Sinod: “Flisni me guxim; kritikat e ndershme ndihmojnë”

Papa Françesku hapi sot pasdite punimet e Sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve: “Të dalim nga paragjykimet dhe stereotipet”; klerikalizmi “rrënjë e shumë të këqiave, për të cilat duhet të kërkojmë falje”. Ҫdo pesë ndërhyrje, 3 minuta heshtje: nevojitet shoshitje e shqyrtim i brendshëm, “nuk është ndonjë modë e kësaj papnie”.

R.SH. - Vatikan

Objektivi nuk është të hartohet një dokument, i cili “përgjithësisht, lexohet nga pak vetë e kritikohet nga shumë”, por të dalin “propozime baritore konkrete”, në gjendje të “stimulojnë besimin, të fashojnë plagët, të krijojnë marrëdhënie” e sidomos, të frymëzojnë të rinjtë, por edhe të rriturit, të kenë një këndvështrim pozitiv mbi të ardhmen. Papa Françesku përcakton kohë, mënyra e qëndrime të mirëfillta për diskutimet në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që filloi sot në Vatikan e do të përfundojë të dielën, më 28 tetor, në mënyrë që kjo asamble të kthehet realisht në rast për reflektim e ndryshim në Kishë. Jo më kot, Ati i Shenjtë e përkufizoi Kishën aktuale si “të ngarkuar me punë, me probleme, me peshë” të rënda, sidomos pas shkandullit të abuzimeve seksuale.

Kritika të ndershme, jo akuza të kota

         Në përshëndetjen për kongregatën e parë të përgjithshme në Sallën e re të Sinodit, Papa Françesku shpjegon se duhet folur pa doreza dhe duhet dëgjuar me përvujtëri. Natyrisht, mirëpriten kritikat, nëse ato janë “të ndershme e transparente”, sepse vetëm kështu mund të shërbejnë e të ndihmojnë, ndërsa nuk vlejnë për asgjë “thashethemet e kota, fjalët, akuzat”. Gjithashtu, duhet të dalim nga stereotipet, si për shembull paragjykimet e të rinjve se të rriturit janë tepër të mërzitshëm e u ka kaluar koha, por edhe ato të të rriturve ndaj të rinjve, që konsiderohen tepër të papërvojë e sipërfaqësorë. Duhet shmangur edhe rreziku i klerikalizmit, “perversion dhe rrënjë e shumë të këqiave në Kishë, si edhe të mposhtet “virusi i vetëreferimit dhe i përfundimeve të nxituara”.

Nevojitet shoshitje

         Sidomos nevojitet “shoshitje”, thotë Papa, që “nuk është ndonjë parrullë reklame”, ose “ndonjë teknikë organizative” e, aq më pak “modë e kësaj papnie”, por “qëndrim i brendshëm, që rrënjoset në një akt feje”. E, për këtë arsye, “kërkon kohë dhe hapësirë”. Prandaj, Papa vendos që “gjatë punimeve, në asamblenë e përgjithshme dhe në grupe, çdo pesë ndërhyrje të mbahet një çast heshtjeje – rreth 3 minuta – për t’i dhënë mundësi secilit ta ndiejë rezonancën e gjërave të thëna në zemrën e vet, për t’u thelluar e për të kuptuar çfarë i ka bërë më shumë përshtypje”.

Sinodi është dialog me rininë

         Për Papën, Sinodi është dialog, që sjell risi e ndryshon opinione. “Të ndihemi të lirë… të ndryshojmë bindjet dhe qëndrimet: është shenjtë maturie të madhe humane e shpirtërore”. Sidomos të rinjve, nënvizon Ati i Shenjtë, Kisha u ka borxh “dëgjimin”, pasi brenda saj “ndihen të pakuptuar në origjinalitetin e tyre e, si rrjedhojë, të papranuar ashtu siç janë me të vërtetë, madje, edhe të refuzuar nganjëherë”. “Një Kishë, që nuk dëgjon –ngul këmbë Papa Françesku – ia mbyll dyert risive, të papriturave të Zotit e kështu, nuk mund të rezultojë e besueshme, në veçanti për të rinjtë, të cilët, pashmangshmërisht, largohen, në vend që të afrohen”. Edhe të rinjtë, veçanërisht 34 të pranishmit në sallë, duhet të japin kontributin e tyre për dialog me Kishën, pa paragjykime.

Të kapërcehen problemet ndërmjet brezave

         “Të rinjtë – nënvizon më tej Papa – duhet ta kapërcejnë tundimin për të mos i dëgjuar të rriturit e për t’i konsideruar të moshuarit ‘ne e moçme, të mërzitshëm’, duke harruar se është marrëzi t’ia fillosh gjithnjë nga e para, sikur jeta të niste vetëm me secilin prej tyre”. Ndërsa të rriturit nuk duhet t’i nënvlerësojnë të rinjtë dhe aftësitë e tyre, duke i gjykuar negativisht. Ky qëndrim është i lashtë, siç dëshmon një vazo babiloneze prej argjile, 3000 vjet para Krishtit, ku shkruhet se rinia është e pamoralshme dhe e paaftë të shpëtojë kulturën e popullit. Po kështu, duhen dëgjuar të moshuarit, kujtesa e njerëzimit, rrënjët e shoqërisë, “pulsi” i qytetërimit tonë, i quan Papa. Mospërfillja e thesarit të përvojës së tyre çon në vetëshkatërrim, nënvizon Ati i Shenjtë.

Falenderimi për të rinjtë

         Papa u flet drejtpërdrejt të rinjve, atyre të pranishëm në sallë, por edhe atyre që e ndjekin përmes internetit e atyre që, me mënyra të ndryshme, kanë bërë t’u dëgjohet zëri. I falenderon për dëshminë se “ia vlen ta kesh Kishën si nënë, si mësuese, si shtëpi, si familje, të aftë që, pavarësisht nga dobësitë njerëzore dhe vështirësitë, të shndrisë e të transemtojë mesazhin e përjetshëm të Krishtit; ia vlen të kapesh pas barkës së Kishës, e cila, megjithëse në mesin e stuhive të pamëshirshme të botës, vazhdon t’u ofrojë të gjithëve strehë dhe mikpritje; ia vlen të dëgjojmë njëri-tjetrin; ia vlen të notojmë kundër rrymës e të lidhemi me vlerat e larta: familja, besnikëria, dashuria, feja, sakrifica, shërbimi, jeta e amshuar”.

“Përgjegjësia jonë, këtu në Sinod – përfundon Papa Françesku – është të mos i përgënjeshtrojmë, madje, përkundrazi, t’u tregojmë se kanë të drejtë: vërtet, ia vlen, vërtet, nuk është kohë e humbur!”

Photogallery

Filloi Sinodi i ipeshkvijve kushtuar të rinjve...
03 tetor 2018, 18:57