Kërko

Papa: është çasti për ta mbrojtur Kishën nga Akuzuesi i Madh, me lutje e pendesë

Dokumenti përfundimtar i Sinodit na drejtohet në radhë të parë, ne! Kjo, një nga pikat kryesore të fjalimit, mbajtur lirisht nga Papa Françesku, në përfundim të punimeve të Asamblesë XV të Përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve, me temë: “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”. Në fjalimin përmbyllës Papa nënvizoi edhe se ne, bijtë “jemi të gjithë mëkatarë, por Kisha nuk duhet njollosur”.

R. SH. - Vatikan

Është çasti për ta mbrojtur Kishën nga Paditësi i Madh me lutje e pendesë: ne, bijtë “jemi të gjithë të ndotur, po Kisha nuk duhet njollosur”. Kështu  u shpreh Papa mbrëmë, duke folur lirisht, pa tekst zyrtar, nësa mbyllte punimet e Sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve. Françesku kërkoi edhe ta lëmë të punojë “në zemrën tonë” këtë Dokument përfundimtar, i cili “na  drejtohet në radhë të parë ne”. Këtë e theksoi qartë Papa, në përfundim të punimeve të Asamblesë sinodale që, e hapur më 3 tetor, mbyllet sot me Meshën në Bazilikën e Vatikanit.

E marrim ne, të parët, Dokumentin përfundimtar

Para së gjithash, Papa nënvizoi se Sinodi nuk është parlament. “Është hapësirë  e mbrojtur, që Shpirti Shenjt të mund të veprojë në jetë e prandaj - shpjegoi - informacionet që jepen janë të përgjithshme e nuk hyjnë në hollësira. Kujtoi, më pas, se rezultati i Sinodit nuk është dokument. Jemi përplot me dokumente - pohoi - e nuk e di nëse ky dokument “do të bëjë gjë përjashta, por ama e di mirë se duhet të bëjë përbrenda nesh, duhet të punojë në ne”.

Tani Shpirti Shenjt na e jep dokumentin ne, që të veprojë në zemrën tonë. Na drejtohet ne. Jo ndokujt tjetër, jashtë nesh. E shpresojmë që dokumenti të  punojë, të bëhet lutje, të studiohet, të kërkohet dritë… po është për ne, dokumenti, kryesisht. Besojmë, sigurisht, se do të ndihmojë edhe shumë të tjerë, por së pari na drejtohet ne: është Shpirti Shenjt, autor i gjithë kësaj, e kthehet në ne! Mos e harroni këtë, ju lutem!

Kisha nuk duhet njollosur

Pastaj Papa vuri theksin mbi shenjtërinë e Kishës, që duhet mbrojtur. “Nëna jonë është e shenjtë, por ne, bijtë jemi të gjithë mëkatarë -  nënvizoi -  e pikërisht për shkak të mëkateve tona, Akuzuesi i Madh përfiton e sillet e përsillet rreth e rrotull tokës, në kërkim të ndokujt, që të mund ta padisë. “Në këto çaste, po akuzon fort” - vijoi Papa - e kjo akuzë bëhet persekutim - pohoi - duke pasur parasysh persekutimet e të krishterëve në të katër anët e botës. Por bëhet edhe një tip tjetër persekutimi: “akuzë e vazhdueshme, për ta ndotur Kishën”.

E Kisha nuk duhet njollosur: ne, bijtë, po, jemi të ndotur të gjithë; por Nëna, jo! Prandaj është çasti për ta mbrojtur Nënën: e Nëna mbrohet nga Akuzuesi i Madh me lutje e pendesë. Prandaj kërkova, në këtë muaj që po përfundon tashmë, t’i lutemi Shën Mëhillit Kryeengjëll e, sidomos, Zojës, që ta mbrojnë gjithnjë Kishën Nënë. Ta vijojmë lutjen. Është çast i vështirë, sepse Akuzuesi, përmes nesh, sulmon Nënën. E Nëna nuk preket! Këtë desha ta them me gjithë zemër në përfundim të Sinodit!

Në fillim të fjalimit të tij, mbajtur në formë bisede, Papa falënderoi nxehtësisht të gjithë ata, që punuan për këtë Sinod, në përfundim e sipër.  E falënderoi  posaçërisht  të rinjtë, që - pohoi - na e sollën muzikën këtu, në Sallë: “muzikë” - tha, duke bërë shaka - është fjalë diplomatike, që përdoret për të mos thënë “potere”. E, në përfundim, Françesku  kujtoi se tani “Shpirti Shenjt na e dhuron këtë dokument ne, të gjithëve, e edhe mua, për të reflektuar ç’dëshiron t’i thotë secilit nga ne”.

Kardinali Sako: mos i harroni të krishterët e Lindjes

Para se të fliste Papa, e morën fjalën kardinali Louis Raphael Sako, President delegat i Sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve si dhe kardinali Lorenzo Baldisseri, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve. Duke shprehur mirënjohjen për këtë Asamble Sinodale, kardinali Sako kujtoi miliona besimtarët, që luten çdo ditë për Papën e, më pas, edhe një fjalë të urtë arabe, që thotë: “Sa më shumë fruta të ketë pema, aq më shumë gjuhet me gurë!”.  

Barka e Pjetrit, pavarësisht nga dallgët, vijon lundrimin, sepse në timon vijon të jetë Jezusi, gjithnjë! – pohoi. E më pas,  bëri thirrje për ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore, “pa i harruar të krishterët e Lindjes, sepse, po të ikin të krishterët nga Lindja, krishterimi do të mbetet pa rrënjë”. Prej këndej, nevoja për ndihmë, derisa të fashitet stuhia.

Kardinali Baldisseri:  të rinjtë treguan fytyrën e ndritshme të Kishës

Në përshëndetjen e tij përfundimtare, kardinali Lorenzo Baldisseri, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, falënderoi Papën për afërsinë e tij; të rinjtë, që me praninë dhe entuziazmin e këtyre ditëve  treguan fytyrën e bukur e të ndritshme të Kishës së pranishme në të gjitha Kontinentet. E falënderoi - i shoqëruar nga duartrokitje të stuhishme - edhe të gjithë Etërit Sinodalë; katër Presidentët Delegatë; Rektorin e Përgjithshëm; dy Sekretarët e posaçëm; Zëvendës sekretarin e Sinodit; Dëgjuesit; Delegatët Vëllezër; Specialistët dhe të gjithë ata, që punuan, në mënyra të ndryshme, për këtë Asamble!

28 tetor 2018, 10:43