Kërko

Ëndrra, vlera, dëshmi: Papa bisedon me të rinjtë e të moshuarit

Papa iu përgjigj pyetjeve të të rinjve e të të moshuarve, në një takim, që realizon njërën nga aspiratat e tij: dialogun ndërmjet brezave. Në Institutin Patristik Augustinianum, paraqitja e “Urtisë së kohës”.

R. SH. - Vatikan

Kundër kulturës së hedhurinave e kundër ndarjes ndërmjet brezave, e cila, për sytë e botës, duket e pashmangshme, përgjigjja është dialogu ndërmjet të rinjve e të moshuarve. Nga kjo ide e Papës Françesku lindi projekti “Sharing the wisdom of time (Ta ndajmë me të tjerët urtinë e moshës)”, paraqitur dje pasdite në Institutin Augustinianum të Romës, në praninë e Atit të Shenjtë, ndërsa Sinodi kushtuar të rinjve po shkon drejt përfundimit.

“Ta dinë si fillojnë populizmat: duke mbjellë urrejtje”

         “Ta dinë si fillojnë populizmat: duke mbjellë urrejtje”: Papa kujtoi si lindi nazizmi dhe kërkoi të mos harrohen leksionet e së kaluarës. Ati i Shenjtë foli pa letër, duke iu përgjigjur lirisht pyetjeve, e fundit prej të cilave iu bë nga regjisori i njohur amerikan, 75-vjeçari Martin Scorsese. Qe edhe rasti për të paraqitur librin e realizuar nga një grup editorësh, të koordinuar nga Shtëpia Botuese e jezuitëve në Amerikë, Loyola Press, ku propozohen 250 intervista të të moshuarve nga 30 vende të botës, komentuar nga Papa Françesku në bisedë me drejtorin e revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, atë Antonio Spadaro. Vëllimi titullohet “Urtia e kohës”. Siç theksoi vetë atë Spadaro dje në takim, në këtë libër, “të moshuarit u flasin të rinjve mbi temat e mëdha të jetës, mbi rëndësinë e punës, mbi aftësinë për të luftuar e për të mos u dorëzuar para vështirësive, mbi dashurinë, vdekjen e e shpresën”.

Të shërbesh do të thotë të rrezikosh

         Pas paraqitjes së librit e pas fjalës së kryetarit të Komitetit Organizator të DBR-së 2019, imzot Ulloa Mendieta, kryeipeshkëv i Panamasë, u erdhi radha gjashtë pjesëmarrësve në takim, të rinj e të moshuar, të cilët i drejtuan pyetjet e tyre Atit të Shenjtë. Një mësueseje, që ka lënë punën për t’iu kushtuar vullnetariatit e që e pyeti si mund të krijojnë të rinjtë marrëdhënie të vërteta, kur përreth, gjithçka duket e rreme, Papa iu përgjigj me një gjest: me dorën e shtrirë e të hapur, ashtu si e hapur duhet të jetë edhe mendja e të rinjve. Ata nuk duhet të ndalen në konkurrencën, që karakterizon botën e sotme, e cila bën vetëm llogari:

         Kundër kësaj kulture, që i asgjëson ndjenjat e shërbimin, shërbe. E pastaj, do të shohësh se njerëzit më të pjekur, të rinjtë më të pjekur – të pjekur, në kuptimin: të zhvilluar, më të sigurtë në vetvete, të buzëqeshur, me ndjenjën e humorit – janë ata, që ecin, që vihen për udhë përmes shërbimit. E fjala tjetër është: rreziko. Nëse nuk rrezikon në jetë, kurrë nuk do të piqesh, kurrë nuk do të thuash profeci, kurrë nuk do të jesh i sigurtë.

Feja transmetohet me dëshmi

         Transmetimi i fesë tek fëmijët dhe tek nipat e mbesat ishte në qendër të reflektimit të dy bashkëshortëve nga Malta, martuar që prej 43 vjetësh. Papa kujtoi se gjatë diktaturave, pikërisht nënat e gjyshërit e kanë mbajtur gjallë fenë, duke pagëzuar e duke ua transmetuar fshehurazi fëmijëve. Feja, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk transmetohet me prozelitizëm, por me dëshmi:

         Prindërve dhe gjyshërve, që kanë këtë përvojë, u këshilloj shumë dashuri, shumë ëmbëlsi, mirëkuptim, dëshmi e durim. E lutje. Mendoni për Shën Monikën: fitoi me lot. Ishte e zonja. Por mos diskutoni kurrë, sepse ky është kurth: fëmijët gjithnjë duan t’i çojnë prindërit drejt diskutimit. Jo! U thoni: “Nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, kërko vetë, kërko diku tjetër, kërko…”. E gjithnjë, dëshmia në dialekt, pra, me ato përkëdhelje, që ata i kuptojnë.

Ëndrrat e të moshuarve. Rreziku i urrejtjes

         Duke vijuar t’u përgjigjej pyetjeve, Papa Françesku i këshilloi të rinjtë të marrin mbi vete ëndrrat e të moshuarve, përvojën e tyre jetësore e të ecin përpara për t’i realizuar, me mënyrën e tyre. Pastaj, duke folur për mikpritjen e emigrantëve, theksoi:

         Një qeveri duhet ta ketë zemrën të hapur për të pritur, strukturat e mira për të siguruar udhën e integrimit e, edhe kujdesin për të thënë: deri këtu mundem, më shumë nuk mundem. Është e rëndësishme që e gjithë Evrppa të merret vesh mbi këtë problem. Por kjo s’bëhet e, peshën më të madhe e mbajnë Italia, Greqia, Spanja, pak Qipro… këto tre-katër vende.

Dhurata e lotëve

         E fundit, pyetja e regjisorit amerikan Martin Scorsese, filmat e të cilit konsiderohen gurë kilometrikë në historinë e kinemasë. Duke pasur parasysh përvojën personale të bandave në rrugët e Nju Jorkut, kur ishte i ri, regjisori e pyeti Papën si mund të mbijetojë feja e një të riu kur pushteti shprehet me dhunë. Fjalë, që Papa i përdori për të denoncuar torturën, dhunim i tmerrshëm i dinjitetit të njeriut. Para kësaj dhune, Ati i Shenjtë nënvizoi dhuratën e lotëve, që hap zemrat. Empatia, afërsia dhe dhembshuria, sipas Françeskut, janë virtyte të afta të ndryshojnë edhe “konfliktet më të vështira”.

24 tetor 2018, 14:09