Papa me të rinjtë, në meshën e hapjes së Sinodit kushtuar atyre Papa me të rinjtë, në meshën e hapjes së Sinodit kushtuar atyre 

Papa hap Sinodin e të rinjve: Shpirti Shenjt na dhashtë aftësinë për të ëndërruar

Në predikimin e Meshës së Hapjes së Sinodit kushtuar të rinjve, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku u kërkon Etërve Sinodalë të ringjallin “pasionin personal për Krishtin”, që t’ua dikojnë të rinjve.

R.SH. - Vatikan

Lutje korale për Shpirtin Shenjt, që “në fillim të këtij çasti hiri për gjithë Kishën" të na ndihmojë "t’i kujtojmë ato fjalë të Zotit që na e ndiznin zemrën", në mënyrë që të gjallërohet "pasioni ynë për Krishtin”. Kjo kujtesë “mund të zgjojë dhe të përtërijë brenda nesh aftësinë për të ëndërruar dhe për të shpresuar”.

Të rriturit ndajnë ëndrrat dhe shpresat me të rinjtë

Papa Françesku hap kështu, sinodin e tretë të papnisë së tij, që u kushtohet të rinjve, duke u kujtuar Etërve Sinodalë, fjalët e profetit Joel: “të rinjtë do të jenë të aftë për profeci dhe vizion, në atë masë me të cilën ne, tashmë të rritur ose të moshuar, jemi në gjendje të ëndërrojmë dhe kështu t’ua kalojmë dhe t'i ndajmë me ta ëndrrat dhe shpresat, që mbajmë në zemra”. Të pranishëm në Sinod, edhe dy ipeshkvij shqiptarë: ipeshkvi i Lezhës, imzot Ottavio Vittale, në përfaqësi të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në përfaqësi të Konferencës Ipeshkvnore ndërkombëtare të Shën Cirilit e Metodit.

Shiko meshën e plotë të hapjes së Sinodit...

Të gjejmë hapësira për ta përflakur zemrën

Në lutjen me të cilën e nis homelinë, Papa i kërkon Shpirtit Shenjt të "na japë hirin për të qenë Etër Sinodalë me dhuratën e ëndrrave dhe të shpresës, që të mund t’i vajosim të rinjtë tanë me dhuratën e profecisë dhe të vizionit".

Të na japë hirin të jemi kujtesë në veprim, e gjallë dhe e frytshme, që, nga brezi në brez, nuk lejon t’ia zënë frymën e ta shtypin profetët e gjëmave dhe të fatkeqësive, as kufizimet, gabimet dhe mëkatet, por të jetë e aftë të gjejë hapësira për t’i përflakur zemrat dhe për të dalluar udhët e Shpirtit Shenjt.

Mirëseardhja për dy ipeshkvijtë kinezë

Papa Françesku përmend Etërit Sinodalë, që vijnë nga e gjithë bota dhe përshëndet, shoqëruar nga emocioni dhe duartrokitjet e besimtarëve, dy ipeshkvijtë e Kinës kontinentale, të cilët "për herë të parë" mund të marrin pjesë në një Sinod. Pastaj, citon Nxitjen apostolike “Evangelii Gaudium”:

Të vojuar me shpresë, fillojmë një takim të ri kishtar, me synimin për të zgjeruar horizontet, për të hapur zemrën dhe për t’i shndërruar ato struktura, që na paralizojnë sot, na ndajnë dhe na distancojnë nga të rinjtë, duke i lënë ata në mesin e stuhive, jetimë të një bashkësie feje që i mbështet, pa horizontin e kuptimit të botës dhe të jetës.

Situatat në të cilat jetojnë të rinjtë

"Shpresa na sfidon - vijon Papa – na bën të lëvizim dhe e thyen konformizmin e mendësisë, sipas së cilës “është bërë gjithnjë kështu”. Na kërkon të çohemi për ta parë drejtpërdrejt fytyrën e të rinjve dhe gjendjet në të cilat jetojnë”.

E njëjta shpresë na kërkon të punojmë për t’i ndryshuar gjendjet e pasigurisë, të përjashtimit dhe të dhunës, ndaj të cilave janë ekspozuar të rinjtë tanë.

Mos i lini vetëm në duart e tregtarëve të vdekjes

Të rinjtë, të cilët janë "fryti i shumë prej vendimeve të marra në të kaluarën", shpjegon Papa Françesku, "na bëjnë thirrje të kujdesemi, së bashku me ta e me më shumë impenjim, për të tashmen, si edhe të luftojmë kundër asaj që, me çdo mënyrë, e pengon zhvillimin e jetës së tyre me dinjitet" . Ati i Shenjtë kujton 34 të rinjtë, të moshës ndërmjet 18 dhe 29 vjeç, të cilët ndjekin Sinodin si dëgjues, dhe i interpreton kështu pritjet e tyre:

Ata na kërkojnë përkushtim krijues, dinamikë inteligjente, entuziaste dhe plot shpresë, duan të mos i lëmë vetëm në duart e sa e sa tregtarëve të vdekjes, që ua shkatërrojnë jetën dhe ua errësojnë vizionin.

Të dëgjojmë njëri-tjetrin

Papa Françesku u kërkon Etërve sinodalë, që filluan punimet sot pasdite në Asamblenë XV të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë "Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes", të vihen "në dëgjim të njëri-tjetrit, për të shqyrtuar së bashku ç’po i kërkon Zoti Kishës së Tij". Dhe kjo, shpjegon ai, na kërkon të jemi të kujdesshëm…

…e të kemi mirë kujdes që të mos mbizotërojë logjika e mbrojtjes së vetvetes dhe e vetëreferimit, e cila përfundon duke e bërë të rëndësishme atë që është dytësore e dytësore, atë që është e rëndësishme.

Të dëgjojmë Zotin e të dëgjojmë njerëzit

Është e nevojshme, shpjegon Papa, duke përsëritur atë që u tha në mbrëmjen e lutjes, në përgatitje të Sinodit për familjen, në vitin 2014 ...

Të dëgjojmë Zotin, që të dëgjojmë së bashku me Të britmën e popullit; t’i dëgjojmë njerëzit, që të ndiejmë bashkë me ta vullnetin e Hyjit.

Por nuk duhet të biem në “qëndrime etikistike, ose elitariste” e, nuk duhet të na tërheqin “ideologjitë abstrakte, që nuk i përgjigjen kurrë realitetit të njerëzve tanë”, nënvizon Bergoglio.

Etërit konciliarë, të rinjve: ndërtoni një botë më të mirë

Së fundi, Papa përmend mesazhin e Etërve konciliarë për të rinjtë e viteve ‘60. "Kisha – shkruanin ata më 8 dhjetor 1965, koha e Koncilit II të Vatikanit – dëshiron që shoqëria, të cilën ju po përgatiteni të ndërtoni, të respektojë dinjitetin, liritë, të drejtat e njerëzve: dhe këta njerëz jeni ju". E vijonin: "Luftoni kundër çdo egoizmi. Refuzojeni shprehjen pa fre të instinkteve të dhunës dhe të urrejtjes, të cilat sjellin luftën dhe kortezhin e saj të përmortshëm të mjerimeve. Jini bujarë, të pastër, të respektueshëm, të sinqertë. Dhe ndërtoni me entuziazëm një botë më të mirë se ajo e tashmja”.

Kisha ju shikon me besim dhe dashuri

Papa i këtyre kohëve, i cili erdhi "nga fundi i botës", përfundon duke iu drejtuar ipeshkvijve, që do ta shoqërojnë në udhën e Sinodit deri më 28 tetor.

Etër sinodalë, Kisha ju shikon me besim dhe dashuri.

03 tetor 2018, 14:28