Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: frytet e Sinodit po fermentohen

“Kohë ngushëllimi e shprese”. Kështu e quajti Papa, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, përvojën prej 26 ditësh të Sinodit të sapopërfunduar, kushtuar të rinjve.

R. SH. - Vatikan

Përfundoi një udhë, e cila, përmes punës themelore, impenjative e të lodhshme të dëgjimit, krijoi kushtet që realiteti shumëformësh i breznive të reja të hynte në Sinod”… Sepse, të dëgjosh kërkon kohë, kujdes, hapje të mendjes e të zemrës. Po ky impenjim u shndërrua çdo ditë në ngushëllim, posaçërisht sepse kishim mes nesh praninë mendjemprehtë dhe nxitjen e të të rinjve, historitë dhe kontributet e tyre. Përmes tyre e edhe dëshmive të Etërve sinodalë, realiteti shumëformësh i breznive të reja hyri në Sinod nga të katër anët: nga kontinentet dhe situatat njerëzore e shoqërore.

Shqyrtimi

Vetëm nëse e shqyrtojmë thirrjen në dritën e Zotit e të Shpirtit Shenjt,  dëgjimi sjell fryte, duke krijuar mundësinë ta deshifrosh realitetin e të kuptosh shenjat e kohës. Kjo është një nga dhuratat më të bukura, që i bën Zoti Kishës katolike: të mbledhë zëra e fytyra të realiteteve nga më të ndryshmet e kështu të mund të provojë  një interpretim, i cili llogarit gjithë pasurinë dhe kompleksitetin e fenomeneve, gjithnjë në dritën e Ungjillit.

Frytet e para të Sinodit

Për Papën Françesku - e kështu edhe e përfundoi lutjen - “Sinodi i të rinjve ishte vjelje e begatë, që premton verë të mirë”. E fryti i parë shihet tashmë. Është - theksoi Papa - “stili sinodal”, që përshkoi gjithë Asamblenë XV.

“… fryti i parë i kësaj asambleje sinodale është shembulli i metodës, që u ndoq qysh në fazën përgatitore. Stil sinodal, i cili nuk pati si qëllim kryesor hartimin e një dokumenti, ndonëse edhe ky i çmuar e i nevojshëm. Por, më shumë se dokumenti, kishte rëndësi të përhapej një mënyrë për të qenë bashkë e për të punuar bashkërisht, të rinj e të moshuar, në dëgjim e në shqyrtim, për të arritur në përfundimet e duhura baritore.

28 tetor 2018, 14:31