Kërko

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jaein Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jaein 

Presidenti i Koresë së Jugut, në audiencë tek Papa, me një mesazh të Veriut

Audienca e presidentit Moon Jaein tek Papa Françesku është parashikuar për 18 tetor. Një ditë më parë, kardinali Parolin do të kremtojë një meshë në Shën Pjetër për paqen në Gadishullin Korean. Presidenti Moon do t’i transmetojë Papës një mesazh nga ana e kreut të Koresë së Veriut.

R.SH. - Vatikan

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke, deklaroi sot paradite, se Papa Françesku do të presë në audiencë presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jaein, të enjten, më 18 tetor, në orën 12.00, në Pallatin Apostolik të Vatikanit.

         Një ditë para audiencës, të mërkurën më 17 tetor, në orën 18.00, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, do të kremtojë një “Meshë për Paqen” në Gadishullin Korean, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në të do të marrë pjesë edhe vetë presidenti Moon.

Gjithnjë sot – njoftojnë agjencitë ndërkombëtare – zëdhënësi i Blue House, shtëpisë presidenciale të Koresë së Jugut, Kim Eui-kyum, pasi dha lajmin për vizitën zyrtare në Selinë e Shenjtë më 17 e 18 tetor, saktësoi se presidenti Moon do t’i transmetojë Papës një mesazh nga ana e kreut të Koresë së Veriut, Kim Jong-un: “Nëse Papa do të vizitojë Pyongyang-un, do t’i uroj mirëseardhjen me mikpritje të përzemërt”. Ky është pak a shumë mesazhi, sipas zëdhënësit korean.

09 tetor 2018, 12:28