Kërko

Përshëndetja e Papës për festën e Zojës së Aparecida-s

Me një video të regjistruar nga njëri prej etërve sinodalë, Papa Françesku përshëndet popullin brazilian, me rastin e festës së sotme të Zojës së Aparecida-s, pajtore e Brazilit.

R.SH. - Vatikan

Dje, në Sinod, ipeshkvi i Imperatriz (Brazil), imzot Vilsom Basso, realizoi një video, me të cilin Papa Françesku përshëndet popullin brazilian, në festën e sotme të Zojës së Aparecida-s, Pajtore e Brazilit. Papa flet në spanjisht:

         “Popullit të Brazilit, përshëndetja ime e përzemërt, në këtë festë të Zojës së Papërlyer të Aparecida-s. Secili prej jush, pastë mundësinë ta takojë në zemrën e vet, ashtu si peshkatarët e takuan në lumë. Kërkoni në ujrat e zemrës suaj e do ta gjeni, sepse Ajo është nënë. Ju shoqëroftë gjithmonë. E lutuni për mua”.

Traditë e gjatë

         Gjetur në agimin e 12 tetorit 1717 nga tre peshkatarë, në ujrat e lumit Paraiba, shtatorja e Zojës u vendos në një kasolle të thjeshtë e, brenda pak kohësh, në fshatrat përreth u përhap lajmi i një peshkimi të mrekullueshëm. Ҫdo mbrëmje, një grup gjithnjë e më i madh peshkatarësh filloi ta nderojë shtatoren e Shën Marisë Virgjër e të thoshte rruzaren. E quajtën “Aparecida”, pra “Ajo, që u duk”. Me kohë, turma u bë kaq e madhe, sa u desh të ngrihej një kapelë e parë e pastaj, në vitin 1737, një tjetër, edhe më e madhe. Të shumta, dëshmitë e hireve e të mrekullive, që ndodhën në atë shenjtërore.

Gjon Pali II, Papa i parë që vizitoi shenjtëroren

         Në korrik të vitit 1980, Gjon Pali II qe Papa i parë, që e vizitoi shenjtëroren e Aparecida-s. Më vonë, më 2007, shkoi Papa Benedikti XVI, që e quajti shenjtëroren “zemra mariane e Brazilit”. Më 24 korrik 2013, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, mesha u kremtua nga Papa Françesku, pikërisht në Bazilikën e shenjtërores. “Edhe unë – pati thënë Ati i Shenjtë në homeli – vij të trokas në portën e shtëpisë së Marisë – e cila e deshi dhe e edukoi Jezusin – që të na ndihmojë ne të gjithëve, barinjve të Popullit të Zotit, të ndihmojë prindërit dhe edukatorët, për t’u transmetuar të rinjve vlerat, që i bëjnë protagonistë të një kombi e të një bote më të drejtë, më solidare e më vëllazërore”.

12 tetor 2018, 14:24