Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Papa: të vësh kurorë nuk do të thotë të kremtosh martesën, por nga unë, të kalosh tek ne!

Në audiencën e sotme të përgjithshme Françesku vuri në dukje se çdo thirrje e krishterë, ashtu si dhe meshtaria e virgjëria e kushtuar, kanë natyrë martesore.

R. SH. - Vatikan

“Thirrja jonë e zanafillës është dashuria martesore e plotë e besnike”, që Jezu Krishti na e zbuloi e na e dhuroi”. Këtë kujtoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke plotësuar katekizmin kushtuar Urdhërimit VI: “Mos kurvëro!”.

Revolucion i vërtetë

Papa reflektoi mbi Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Efezianëve,  të cilën e quajti  fragment revolucionar, mbasi “me antropologjinë e asaj kohe”, pohon “se burri duhet ta dojë gruan, ashtu si  Krishti Kishën”.

Ndoshta, në atë kohë, është fjala më revolucionare, që u tha për martesën. Gjithnjë në udhën e dashurisë.

Domethënia e fjalës “martesore”

Papa kujtoi se “dashuria besnike e Krishtit është dritë, për ta jetuar bukurinë e  dashurisë njerëzore” në besnikëri, dashamirësi, mëshirë. Një Urdhërim që - kujtoi Françesku - meqë flet qartë për besnikërinë në martesë, të shtyn të ndalohesh e të mendosh “mbi domethëníen e saj martesore”. Është urdhër për besnikëri – vijoi të shpjegojë Françesku - që u jepet jo vetëm bashkëshortëve, por të gjithëve, sepse fjalë atërore e Zotit, drejtuar çdo burri e çdo gruaje.

Kujtojmë se udha e pjekurisë njerëzore është udhë e vetë dashurisë, e cila kalon nga çasti i marrjes së kujdesit, në atë të dhënies së tij, nga çasti kur merr jetë, në   aftësinë për të dhuruar jetë. Të bëhesh burrë a grua e pjekur, do të thotë ta jetosh aftësinë martesore e prindërore, që shfaqet në situata të ndryshme të jetës, si aftësi për të marrë mbi vete barrën e ndonjë tjetri e për ta dashur pa asnjë lëkundje. Është aftësi globale e njeriut, që di  ta kuptpjë realitetin e të hyjë në lidhje të thella me të tjerët.

Duhet të mësohesh për t’u  shpërqendruar

Papa shpjegoi, më tutje, se njeriu i pabesë, i flligshtë, është i papjekur, egoist. Kërkon ta ketë vetëm për vete jetën e tij e t’i shpjegojë situatat e ndryshme, sipas andjeve të veta”.

Të vësh kurorë nuk do të thotë të kremtosh martesën, por nga unë, të kalosh tek ne! Do të thotë të mos mendosh më si një njeri i vetëm, por si dy; të mos jetosh si një njeri i vetëm, por si dy vetë: udhë e bukur, kjo. Kur arrijmë të mos e vëmë më në qendër vetveten, kur shpërqendrohemi, atëherë çdo veprim që bëjmë është martesor: punojmë, flasim, vendosim, takohemi me të tjerët me sjellje mikpritëse e mblatuese.

Meshtaria dhe virgjëria e kushtuar

Në këtë kuptim - vuri në dukje Papa - çdo thirrje e krishterë është martesore. Meshtaria, sepse thirrje në Krishtin e në Kishë, për t’i shërbyer bashkësisë me gjithë  dashurinë, kujdesin e urtinë, që dhuron Zoti. Kishës nuk i duhen  pretendentët për rolin e priftit - jo, nuk i duhen. Bëjnë më mirë të rrinë në shtëpi - sepse Kishës i duhen  njerëz, të cilëve Shpirti Shenjt ua prek zemrën me një dashuri pa asnjë kusht për Nusen e Krishtit. Në meshtari populli i Zotit duhet me të gjithë atësinë, dhembshurinë e forcën e një dhëndrri e të një ati. Kështu edhe  virgjëria e kushtuar në Krishtin jetohet me besnikëri e gëzim, si lidhje martesore edhe e frytshme amësie e atësie.

Kuptimi i plotë i seksualitetit

Thirrja e krishterë është fryt i lidhjes së dashurisë, në të cilën u rilindëm të gjithë: asaj të Krishtit. Të nisur nga besnikëria e Tij, nga dhembshuria, nga bujaria,  e shikojmë me fe martesën dhe çdo thirrje, duke e kuptuar plotësisht edhe seksualitetin. Krijesa njerëzore, në unitetin e pandashëm të shpirtit me korpin e në polaritetin e saj mashkullor e femëror, është realitet shumë i mirë, i paracaktuar të dojë e të duhet. Korpi njerëzor nuk është mjet kënaqësie, por  vend i thirrjes sonë për dashuri, e në dashurinë e vërtetë, nuk ka vend për flligështi e për cektësi. Burrat e gratë meritojnë shumë më tepër se kjo!

 

31 tetor 2018, 12:47