Kërko

 Papa takohet me seminaristët e Lombardisë Papa takohet me seminaristët e Lombardisë 

Papa seminaristëve lombardë: pranë popullit të Zotit, kurrë me mendësinë e botës

U bë i njohur sot teksti i takimit, organizuar të shtunën e kaluar, në Sallën Klementine, në të cilin Papa Françesku u përgjigjet pyetjeve të seminaristëve të ndryshëm lombardë, shoqëruar nga ipeshkvijtë dhe edukatorët e tyre. Ishte takim spontan, në të cilin Papa kujtoi se sekreti për të qenë meshtarë të popullit, është afërsia.

R. SH. - Vatikan

Meshtari duhet të jetë “njerëzor”, normal, të rrijë në vendin që i takon e të mos shkandullojë kurrë. Papa Françesku ua skicoi kështu tiparet e priftit, seminaristëve të rinj të dioqezës lombarde, duke i pritur, të shtunën e kaluar, në Vatikan. Ishte dialog i hapur, i sinqertë, në stilin e Papës si atë e bari.

Shpërdorimet, shkandull botëror

Pyetjes së don Davidit lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur përballë shkandujve të Kishës, Françesku iu përgjigj duke kujtuar se “populli i Zotit ka urti të thellë, por nuk di t’i falë ata, që i keqtrajtojnë njerëzit. E aq më shumë priftin e etur për para”. Pas kësaj, ftesa për të folur me ipeshkvin për kë jep shkandull, që të mund të ndihmohet. Lidhur me çështjen e dhimbshme të abuzimeve, Papa e quajti “shkandull botëror, i cili të sjell në mendje flijimet njerëzore të fëmijëve, që bënin paganët”. Shkandulli më i fortë për mua - pohoi Françesku - është edhe prifti me mendësinë e botës, i cili nuk shihet kurrë para tabernakullit, kurrë në spital, për të vizituar të sëmurët, kurrë buzagaz para atyre, që kanë nevojë për një buzëqeshje.

Afërsia me popullin e Zotit

Kisha duhet të jetë gjithnjë në dalje, ashtu si e deshi Jezusi. “Jo në shëtitje, në dalje, sepse dalja nuk është aventurë, por mandat i Zotit”. Meshtarët janë të thirrur ta ndjekin këtë rrugë, ndonëse është e vëshirë të kuptohet. Bota, në kohën e Jezusit, ishte e ngjashme me këtë tonën. Në atë kohë bëheshin flijime njerëzore,  e edhe sot bëhen, në një farë mënyre, por “me doreza të bardha”. Kështu u shpreh Papa, që vijoi t’i ftojë të pranishmit të bëjnë gjëra konkrete, për të qenë pranë Popullit të Zotit e, para së gjithash, pranë Jezusit në lutje, si dhe për të kultivuar familjaritetin me Fjalën, që është familjaritet i zemrës. “Duhet të jeni barinj të Zotit, jo klerikë të Shtetit. Klerikalizmi - vuri në dukje Papa - është çoroditje e Kishës e prifti, që vrapon pas njëmijë gjërave, largohet nga ideali i Jezusit”.

Dyshimi është pasuri

Seminaristi Daniel, i dioqezës së Mantovës, e pyeti Françeskun si mund të rrihet para kryqit të dyshimeve e të lodhjes, duke ndjekur Jezusin. Papa kujtoi se kryqi i dyshimit vërtet është kryq, por i frytshëm, që të vë në krizë, të afron me Zotin e shndërrohet në pasuri. Rëndësi ka - vijoi Papa - të dialogosh me atë, që të shoqëron në udhën shpirtërore, në një ballafaqim të sinqertë e të hapur. Merreni dyshimin - u tha Françesku seminaristëve - si ftesë për kërkimin e së vërtetës, kërkimin e takimit me Krishtin.

Larg ngurtësisë

Kthejeni kokën pas, për të kujtuar nga vini e për të pranuar se gjithçka është dhuratë e hirit: kështu u foli Françesku meshtarëve, duke i nxitur të bëjnë gjithnjë pyetje, të dallojnë të mirën nga e keqja, larg ngurtësisë, sepse ngurtësia krijon probleme, e, doemos, edhe me ndjenjën e humorizmit. Këto janë kritere, të cilat i ndihmojnë edhe edukatorët ta kuptojnë thirrjen e vërtetë të seminaristëve, që pastaj stërviten për të ecur në udhën e durimit. Shenjë e pjekurisë - pohoi Papa - është edhe aftësia për të luajtur me fëmijët”.

Eukaristia – mister, që duhet shpjeguar

Duke iu përgjigjur një pyetjeje kushtuar të rinjve, që nuk e pranojnë Eukaristinë si çast kryesor i jetës së çdo burri e çdo gruaje, Françesku vuri në dukje se duhet punuar më mirë, që të mund të kuptohet përmasa liturgjike dhe komunitare e kremtimit. Solli shembullin e një prifti të aftë për t’i afruar të rinjtë me një katekizëm prej pesë minutash, duke e zgjeruar, pastaj, ngadalë, e duke i çuar djemtë për të bërë adhuriminin eukaristik. “Eukaristia - pohoi - është mister, që duhet shpjeguar hap pas hapi. Nganjëherë Mesha - kujtoi - tingëllon si kremtim mortor, prandaj duhen  këshilluar homeli të shkurtëra, jo më shumë se 8 minuta, të shtjelluara rreth një ideje, një figure a një fjale. Këtu duhet kërkuar sekreti, për të kremtuar bukur!”.

 

16 tetor 2018, 15:22